Ç’po ndodh me stadiumin e ri?

Edhe pse, nga një kërkim i thjeshtë në internet, rezulton që pjesa më e madhe e stadiumeve qëndrorë ndërtohen tashmë jo thjeshtë ai ambiente futbolli për një ndeshje 90 minuta në javë, por ai ansamble të jetës sociale dhe madje edhe tregtare”…

Nga Blendi Fevziu

Asgjë më shumë se sa ndërtimi i stadiumit të ri nuk duhej të kishte dominuar debatin publik në vend këtë javë. Ai që kemi sot, u ndërtua 75 vjet më parë dhe nuk është çudi, që ky i riu, të mbetet së paku për një gjysëm shekulli monumenti më i rëndësishëm i futbollit në vend. Por përtej të qenit një stadium futbolli, për hir të vendit që do të zerë në qendër të qytetit, ai do të jetë edhe një ndërtim i rëndësishëm dhe me peshë në urbanistikën e qytetit.

Nuk ka asnjë problem që ndërtimi i stadiumit ka tërhequr kaq shumë mendime pro dhe kundër. Debati mbi të duhej të kishte qenë edhe më i mprehtë. Ajo që të bën përshtypje, është tentativa për ta kthyer nga një debat nevoje në një debat luksi. Nga vështirësia që kemi për të ngritur një stadium në një debat sikur po bëjmë gjënë më të mirë që mund të bëhej në këtë rast. Debati në fakt duhej të ishte thjeshtë arkitektonik dhe urbanistik. Dhe me fare pak propagandë.

E Para, të gjithë e dimë që Shqipëria ka nevojë për një stadium në Tiranë! Stadiumi që në 1940 filloi të ndërtonte Musolini nuk bën më, nuk restaurohet më dhe nuk i kryen dot funksionet e tij.

Në këtë kontekst, ekipi kombëtar, rrezikon të shndrohet në një lajm botëror duke u bërë i vetmi në ekip në glob që nuk lejohet të luajë në Kryeqytet sepse nuk ka kushte.

E dyta të gjithë e dimë, që Shteti, Federata dhe gjithë kombinimet e mundshme dështuan të ndërtojnë një stadium futbolli të ri. Kostot ishin të larta dhe financimi nuk u arrit kurrë.

E treta, në rrethanat e Shqipërisë, ndërtimi i një stadiumi apo kompleksi vetëm futbolli në periferi është thuajse i pamundur. Transporti publik mungon dhe transportimi i 20 – 25 mijë tifozëve drejt atij vendi në mungesë të metrosë do ishte i pamundur. Mos harrojmë që një pjesë e tifozëfe janë gjimazistë, nxënës e studentë që nuk kanë mjetet e tyre të transportit.

Të ndodhur përpara këtyre rrethanave, Federata dhe Shteti kanë rënë dakort të zbatojnë një formulë të njohur për Shqipërinë e tranzicionit. Formulën pronar toke – investitor. Në parim, Federata dhe Shteti vënë në dispozicion tokën ku do ndërtohet stadiumi, ndërsa investitori merr përsipër të bëjë investimin duke i dhënë një përqindje të projektit të mbaruar pronarëve të tokës.

Sipas asaj që mësuam dje në emisionin Opinion, investitori do përfitojë një sipërfaqe prej 20 – 25 mijë metra katrorë ambiente shërbimsh, ndërsa Federata stadiumin dhe një sipërfaqe prej 12 mijë metrash zyra.

Për të hyrë në një raport të tillë, investitori padyshim që do të kërkojë që stadiumi të jetë i shoqëruar me ambiente shërbimesh: dyqane, salla, zyra, të cilat do t’i kthejnë atij mbrapsht vlerën e investimit. Në të kundërt, nëse nuk fiton ai s’ka asnjë interes ta ndërtojë stadiumin. Pra thënë shkurt, stadiumi po ndërtohet bashke më një qendër tregtare dhe një kullë, për arsyen kryesore se vetëm në këtë mënyrë ai mund të investohet nga një kompani. Deklaratat televizive që kulla përfaqëson identitetin shqiptar, apo mrekullitë më të fundit arkitektonike ngjajnë fare qesharake.

Eshtë më mirë të thuhet kjo është formula me e thjeshtë për të ndërtuar stadiumin pa kosto dhe kjo e bën debatin me real se sa ai mbi mrekullinë urbane.

Edhe pse, nga një kërkim i thjeshtë në internet, rezulton që pjesa më e madhe e stadiumeve qëndrorë ndërtohen tashmë jo thjeshtë ai ambiente futbolli për një ndeshje 90 minuta në javë, por ai ansamble të jetës sociale dhe madje edhe tregtare.

E fundit, ndërtimi i stadiumit të ri aty ku është, kërkon zbatimin rigoroz të ligjit. Fasada e Stadiumit, është pjesë e zonës muzeale të mbrojtur me ligj që në Prill 2000. E ndërtuar në Gerardo Bosio në 1940, ajo zonë funksionon si një dhe e pandarë. Arkitekti i stadiumit duhet të ruajë hyrjen ballore brenda fasadës së re, duke respektuar kështu traditën, ligjin, por edhe pamjen e përgjithshme të zonës. Një detyrë e ngjashme i ishte dhënë në vitin 2010 edhe studios Spanjolle dhe ajo e konsideroi këtë të drejtë.Opinion.al

SHKARKO APP