“Cunami” i Kishës Katolike. Çfarë do të ndodhë në Vatikan, pas skandalit të fundit?

Nga Paolo Mossetti

Kisha Katolike, gjendet në mesin e një “cunami” politike dhe fetar, pasi kardinali dhe Kryepeshkopi Xhorxh Pell, zyrtari më i lartë i Vatikanit në Australi, dhe arkëtari i Selisë së Shenjtë, u dënua për krime seksuale ndaj fëmijëve.

Është një rast i pashembullt:kurrë më parë një klerik i këtij niveli, nuk ishte shpallur fajtor për pedofili. Për Pell, 77 vjeç, dyert e burgut ka të ngjarë të hapen shumë shpejt, por saga e tij gjyqësore do të jetë shumë e gjatë. Dhe pesha e rolit të tij, hap një seri pikëpyetjesh, mbi një sërë pasojat që do të bien mbi Vatikanin, nga çdo lloj këndvështrimi.

Vendimi i njëzëshëm i Gjykatës së Qarkut tëViktorias, që e dënon Pell për abuzime me dy këngëtarëve të mitur të korit të kishës në katedralen e Shën Patrikut në Melburn, ishte marrë në fakt që më 11 dhjetor 2018. Por për shkak të ligjeve australiane, ai mundi të shpallej vetëm sot. Kjo ka shkaktuar ndër të tjera, edhe protesta të ashpra nga shtypi australian, që akuzoi gjykatën për censurë.

Largimi nga Vatikani

“Tërmeti”, ishte ndjerë në qarqet fetare dhe gazetareske që 2 muaj e gjysmë më parë, kur u publikuan dëshmitë e para të procesit gjyqësor të Pell. Një sinjal i pagabueshëm ato ditë, ishte largimi i Pell nga Këshilli i Kardinalëve, i njohur zakonisht si C9, një grup pune që ndihmon Papa Françeskun në reformimin e Kurisë. Një ngjarje e bujshme, që çoi shumëkënd të hamendësojë dënimin e ndodhur.

Tani që dënimi në gjykatën e shkallës së parë është zyrtar, përjashtimi zyrtar i Pell nga Vatikani, do të jetë i pashmangshëm. Edhe roli i tij i arkëtarit – ishte vendosur 4 vite më parë nga Papa Frnçesku për shkak të efiçencës së tij – do jetë shumë shpejt diçka që i përket së kaluarës.

Në fakt, Papa Françesku, nuk është shprehur ende mbi këtë vendim. Por sipas burimeve të shumta, rasti i Pell ka pasur dhe do të ketë një ndikim të madh mbi papatin e tij.

Presidenti i Konferencës së Peshkopëve Australianë, Kryepeshkopi Mark Kolerixh, ka shprehur tronditjen e peshkopëve vendas mbi këtë ngjarje, dhe tha se të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Nga Selia e Shenjtë, Atë Hans Zolner, anëtar i Komisionit Papnor për Mbrojtjen e Fëmijëve, tha se do të presë vendimin e gjykatës së apelit, duke kujtuar rastin e Kryepeshkopit të Adelaides, “që në shkallën e parë u dënua jo për abuzim, por pse kishte mbuluar një ngjarje të tillë, dhe në shkallën e dytë u shpall i pafajshëm… Prandaj, le të shohim se çfarë do të dalë në këtë rast”.

Gjyqtari në Melburn, që do të merret me rastin, ka deklaruar tashmë se Pell ka shumë të ngjarë të përfundojë në burg. Shkeljet për të cilat ai akuzohet – akti i plotë seksual me një fëmijë nën 16 vjeç dhe 4 episode të turpshme – dënohen deri në 10 vjet burg secili.

Një nga viktimat e Pell, ishte 13 vjeç kur në vitin 1996, u abuzua në Melburn. Adoleshenti vuajti nga stresi post-traumatik dhe depresioni, duke nisur të përdorte drogë dhe përfundimisht të vdiste nga mbidoza e heroinës në vitin 2014, në moshën 30 vjeçare.

Një ‘damnatio memoriae’ në horizont?

Sido që të përfundojë gjyqi, historia e Pell është një njollë e rëndë për reputacionin e Kishës, e cila detyron tani edhe Papën dhe peshkopët e tij të marrin pozicione simbolike shumë të ashpra, për të kundërshtuar kulturën e abuzimeve seksuale. Mund të imagjinohet tashmë që Kardinali, do të zhvishet nga çdo titull nderi, siç ndodhi në fillim të shkurtit me kryepeshkopin amerikan Teodor Mekarrik, i shpallur fajtor se kishte kërkuar favore seksuale me të mitur, dhe që u shkarkua menjëherë nga roli i zëvendëspresident të ‘Football Club Richmond’, një pozicion që ai kishte mbajtur prej 20 vjetësh.

Kolegji i Shën Patrikut në Ballarat, konvikti ku Pell kishte studiuar në vitet 1949-1959, dhe ku kishte marrë nofkën “Legjenda e shkollës”, hoqi emrin e tij nga ndërtesa. Sipas gazetarit Emiliano Fitipaldi , që është marrë me disa investigime mbi rastin Pell për revistën “L’Espresso” “pavarësisht nga provat e qarta, kardinali është mbrojtur gjithmonë nga Papa”. “Dhe në fakt edhe nga gati i gjithë shtypi italian”- tha ai.

Më shumë gra në Vatikan?

Sipas ish-famullitarit dhe historianit të fesë katolike, Pol Kolins, rasti i Pell është më i rëndi në historinë moderne të Kishës së Romës. “Po flasim për një njeri, që praktikisht e ka dominuar Kishën në Australi për 20 vjet”- tha Kolins në një intervistë. Për historianin, me një dënim të ngjashëm hapet një periudhë zbulesash dhe krizash, dhe udhëheqësit katolikë e kanë për detyrë të tregohen më autoritativë, ng sa kanë qenë deri më tani.

Si ka mundësi – pyet Kolins – që peshkopët australianë, nuk arritën t’i propozojnë Episkopatës në Romë figura më të denja se Xhorxh Pell? Duhet ndërkohë të përfshihen më shumë gra në pozitat drejtuese të Kishës, për të përmirësuar aftësinë e saj për të menaxhuar raste të tilla. Çfarëdo që të ndodhë, shpjegon Kolins, kjo do të mbahet mend si epoka Pell, dhe do të duhet të veprohet shpejt, për të riparuar të çarat e shkaktuara nga trashëgimia e tij e neveritshme.

“Wired.it” – Bota.al

SHKARKO APP