Dale se nuk keni parë gjë akoma!
Nga Lorenc Vangjeli /
Paraditen e të hënës është dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë inisiativa ligjore per lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi dosjen e nxehtë të CEZ-it. Partia Demokratike, ashtu siç kishte premtuar, ndërmorri inisiativën e saj për të hedhur dritë me gjuhë dhe ekspertizë të huaj mbi një histori me plot hije të zeza dhe gri nëpër të. E nisi zoti Berisha i cili hodhi këtë sfidë publike në parlament, pikërisht në ditët e pikut të akuzave ndaj kryetarit të parlamentit Meta për këtë dosje, por që nisën të devijohen edhe mbi kokën e ish-kryeministrit. Qeverisja e Doktorit i ngjan një kostumi bojaxhiu; një njollë më shumë, një më pak nuk bie shumë në sy. Lulzim Basha, një tjetër bojaxhi politik në vend, e di mjaft mirë një gjë të tillë edhe për shkak të afrësisë me Doktorin.
E vazhdoi më pas edhe Meta. Me një lëvizje të befasishme, Meta u bë i pari që e pranoi idenë e hetimit ndërkombëtar për dosjen CEZ. Ai shkoi dhe më tej kur përcaktoi edhe kombësinë e prokurorëve të huaj që do të hetonin dhe e shtyu objektin e hetimit që nga momenti i nisjes së proceurave të privatizimit e deri në rishtetëzimin e kompanisë. Duke përfshirë edhe menaxhimin e kompanisë që me të gjitha gjasat ka qenë një trekëndësh Bermude ku zhdukeshin lekë publikë në xhepa privatë.
Meta tha se preferonte hetim nga prokurorë amerikanë. Por si për t’u bërë më e pakuptueshme për publikun e gjerë gjithë çfarë po ndodhte, vetë ambasada amerikane shpjegoi zyrtarisht pamundësinë e shtetit amerikan për të hetuar dosje të tilla, pa anashkaluar megjithatë shpjegimin se ndihmësa e anës tjetër të Atlantikut ishte këshillimore. Në të gjithë reformimin e drejtësisë së shtrembër shqiptare.
Ka një mori lëvizjesh në tre javët e fundit, kur palët kanë shkëmbyer akuza reciproke për përfshirje në skandal.
Të hënën, qëndrimin e saj PD e përktheu në projektligj. Nëpërmjet 15 neneve, deputetët e PD-së pretendojnë se do t’i hapin rrugë hetimit të dosjes CEZ nga të prokurorë të huaj, çka do të krijonte jo vetëm klimën e besimit, por dhe të profesionalizmit të hetimit, larg frikës për ndërhyrje politike nëse një gjë e tillë do të bëhej nga prokurorë Bio nga Shqipëria.
Drafti i PD-së fton një strukturë të specializuar hetimi nga SHBA ose BE, të cilave ju kërkohet të dërgojnë prokurorë të tyre për të hetuar në Shqipëri. Nën hetim do të jetë, gjithmonë sipas draftit të PD-së, marrëveshja mes kompanisë DIA dhe asaj CEZ për mbledhjen e borxheve dhe hetimi për dëmet financiare të shtetit shqiptar “…nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Shqipërisë dhe CEZ-it…”. Me fjalë të tjera, hetimi i akuzave ndaj Metës dhe mbi të gjitha, hetimi ndaj akuzave që po PD-ja i ka bërë kryeministrit Rama. Dhe në këtë mënyrë, ky është një objekt hetimi i mangët. Njëlloj sikur prokurorët amerikanë të ftohen të luajnë rolin e qytetarit dixhital, siç thotë Berisha. Në të vërtetë të dy, edhe Berisha në fillim, edhe Meta më pas kanë nxitur një hetim të pandërprerë që shkon në të dy skajet e segmentit që nisi që me privatizimin e CEZ-it e deri në largimin e tij. PD-ja këtu hesht. Sepse për të çuditërisht mungon edhe skaji i parë, privatizimi i 2009-ës, edhe fakti që njëlloj si DIA e Ismailajt, gjashtë kompani të tjera ishin të përfshira në skemën e mbledhjes së borxheve të këqia të energjisë.
Ky është dhe momenti që e bën gjithë projektligjin njëlloj si ftesa për drekë: ftesë e çuar sa për të larë gojën. Në një histori të tillë kur më shumë se për furça juridike dhëmbësh, interesi publik kërkon dentistë për të shkulur dhëmbë të sëmurë e plot infeksion, objekti i paplotë i hetimit kompromenton gjithë hetimin. Me gjasë, dy partitë e maxhorancës do të jenë kundër këtij objekti të veprimtarisë së ligjit dhe pavarësisht se do të duan të garantojnë votën pro, do ta shtrijnë atë edhe në mënyrën e privatizimit të kompanisë së energjisë në 2009-ën, edhe në hetimin e gjashtë kompanive të tjera borxhmbledhëse.
Skandali i CEZ-it nisi si një histori mediatike, por që nuk mund të mos kishte një prapavijë shumë të fortë politike, siç ndodh sa herë që në lojë janë shumë para dhe shumë vota. Në emër të votave dhe të parave, në emër të ekuilibrave të së shkuarës dhe të nesërmes, urrejtjeve të vjetra dhe dashurive të reja, interesave, deformimeve, riformatimeve e kështu me rradhë, duket se kjo dosje do të diktojë shumëçka në Tiranë. Sepse vetë Tirana është ndryshe qoftë nga fillimi i shtatorit të këtij viti, qoftë nga shtatorët e viteve të shkuara. Për ta shpjeguar atë mund të mjaftojë shprehja proverbiale e kryeministrit në një shtator tjetër në Parlament, sapo kishte nisur qeverisjen e tij: “Daleni se nuk keni parë asgjë akoma!”.
Dosja CEZ ende nuk është parë në gjithë kompleksitetin e saj; ajo është vetëm një pasqyrë e vogël në të cilën politika e madhe në Tiranë mund të shohë vetveten. Ka shumë detaje të pasigurta në këtë tablo, por njëra është e padyshimtë: ky do të jetë një dimër i madh në Tiranën e vogël, të mbushur me të njëjtët personazhe që venë e vijnë! Me personazhe që lëvizin njëlloj si lavjerësat e orave të murit që shkojnë sa nga e majta në të djathtë e anasjelltas duke trazuar e drithëruar gjithkënd. Edhe regjizorët, edhe aktorët, edhe spektatorët që normalisht ftohen të votojnë dy herë në katër vjet.
P.S. Në PD thonë se Doktori nuk e ka marrë kurrë seriozisht pasardhësin e tij në krye të partisë. Të njëjtën gjë e thotë duke qeshur edhe vetë Doktori. Mbasi bëri kohën me shi e me diell për shqiptarët në çerek shekulli, me siguri ai tani sheh me pezm sesi kanë planifikuar për të një dimër të madh e plot vetmi. Sikur të mos u dilte dimri që i shkaktuan shqiptarët në verën e vitit 2013. (Javanews.al)