“Dashi me zile” po e con tufën drejt humnerës

Placeholder Image

Nga Prof. Dr. Kastriot Islami –

Rama është arrogant e ofendues me të gjithë në këtë fushatë. Në fakt po bën mirë atë gjë që ka bërë më mirë në jetën e tij arrogantin anarkist që nuk merr vesh nga asgjë vecse të gënjejë e mashtrojë. Kjo ka vetëm një anë të mirë se ai shfaqet, sic është në të vërtetë… Madje pas 25 prillit do të jetë edhe më rëndë…Kjo sjellje vjen nga që ai është i bindur se humbja është e sigurtë dhe nuk ka rrugëdalje… Perceptimi publik në shumicë është se arroganca e papërgjegjshmëria e tij janë shprehje e pasigurisë nga tmerri pafund që ja shkakton fakti se tufa po gremiset dhe “dashi i vjetër me këmborë s’është në gjëndje ta shpëtojë… ”. Preferon një fund të tmerrshëm por edhe këtë duket s’e ka në dorë…

Rama është në thelb totalisht i dëshpruar sepse ka kuptuar që e ka të pamundur të bëjë fushatë për shkak të refuzimit nga revolta e acarimi ekstrem qytetar nga dështimet e mashtrimet e tij në qeverisjet e mëparshme dhe kërkesës paradoksale për një mandat të tretë. Thënë ndryshe, ai po përballet me faktin e hidhur se gjënjeshtrat e mashtrimet s’shkojnë më dhe për më tepër gjithcka thotë askush s’e beson, ndonëse kishte menduar se rezervuari e gënjeshtrave të tij ishte i pafundëm dhe se ai zotëronte aftësi për të gjeneruar pafundësisht mashtrime. Madje kudo shkon ndjen neverinë e madhe qytetare.

Rama ndjehet i lodhur e i mërzitur, sepse kudo ku shkon ndjen po ashtu që mashtrimet e tij të reja, me vaksinat apo tërmetin, nuk i beson më askush e madje as që duan ti dëgjojnë… Ndjen se asgjë s’e shpëton dot. Madje në sytë e qytetarëve po shfaqet qesharak e po kthehet në objekt barcaletash që tregohen e lexohen cdo ditë në rrjetet sociale, kjo e tërbon!

Është i tronditur në ekstrem, sepse ekipi i kandidatëve po i del jasht kontrollit… “Mashtrimi me konkurencën” i promovuar prej tij me pompozitet po kthehet në sherr e grindje mes kandidatëve që askush nuk e ndal dot. Kjo duket një shenjë tjetër e qartë e rrëshqitjes drejt humbjes së sigurtë në 25 prill por edhe e shpërbërjes së sektit pas 25 prillit! Porositë e tij që kandidatët të mos lëvizin jasht zonave ku janë caktuar, askush nuk i përfill më. Sepse të gjithë ndjejnë humbjen e madhe dhe për më tepër dëgjojnë cdo ditë se këtë gjë e di edhe vetë Rama. Prandaj një numër i madh kandidatësh po sherosen deri në ekstrem vetëm që të zgjidhen deputetë, duke shpërfillur “këshillat” e Ramës. Kjo luftë totale mes kandidatëve po zhvillohet e ashpër në cdo qark. Tek të gjithë mbizotëron mendimi se në opozitë duhet një qoshe në parlament… për ata që e kanë për herë të parë si vënd pune meqë ranë në këtë kurth kurse për të tjerët si një vrimë për të fshehur zullumet… Duket se ky sherr do të thellohet, sepse askush s’e can koken për thirrjet e Ramës në ikje dhe me shumë gjasa ky sherr do ta thellojë humbjen!

Rama është gjithashtu i tërbuar se cdo ditë i shkojnë lajme se disa “(ish)bashkëpuntorë” shumë të afërt po organizohen për ta goditur pas humbjes dhe për ta hequr qafe pas 25 prillit si fajtorin kryesor të këtij dështimi… Ata duket s’po merren fare me fushatën e tij se e ndjejnë që është humbës, madje po punojnë fuqimisht për humbjen e tij e të shpurës së tij të ngushtë sepse ndjejnë kalimin në opozitë dhe vlerësojnë se ky është momenti i artë për ti dhënë goditjen fatale… Kjo e ka destabilizuar plotësisht…

Rama prandaj është në gjëndje të rëndë; po ashtu ndjehet i cekulibuar se kudo që shkon e kundërshtojnë, e shpërfillin, e tallin dhe askush nga shpura nuk e mbron, pavarësisht pozova që bëjnë para tij apo shfaqjeve teatrale nëpër banaqet e televizioneve! S’ka takim ku të mos shfaqen qytetarët me slloganin “Rama ik”…Edhe me partnerët ndjehet keq e i nervozuar, sidomos kur ata i kërkojnë të largojë të “korruptuarit e të inkriminuarit” apo kur nxjerrin në pah avantazhet e opozitës…Apo kur shikon raportet ndërkombëtare që japin fakte për korrupsionin, kapjen e shtetit, apo dhunimin e të i drejtave të njeriut nga qeveria e tij…Nuk duron dot më, kur e cilësojnë drejtuesin më të korruptuar e më të paaftë në 100 vitet e fundit… E gjitha kjo e ka kthyer në personazhin më grotesk të 30 viteve të fundit…Ndërkohë që tufa që e ndjek nga pas po përfundon në humnerë!

SHKARKO APP