Dasmë false si pasqyrë e një shoqërie false

“Ore, si nuk kupton ti,- më thoshte një kolegu im një ditë në Pragë,- atje të hapin xhaketën dhe të shohin markën, të shohin markën e orës, të këpucëve, të këmishës dhe po nuk i pate markato, nuk je askushi”…!

Nga Zef Shtjefni

Ka një tendencë të fortë drejtë falsitetit shoqëria shqiptare. VIP-a fals, deputetë fals, të diplomuar fals, veshje fale, evenimente false etj. Falsitete që syri të sheh çdo ditë, deri në neveritje. Njerëzit e thjeshtë dhe realë të këtij vendi nuk ndjehen më në vendin e tyre. Ata janë jashtë loje, jashtë mode, jashtë kohe. “Ore, si nuk kupton ti,- më thoshte një kolegu im një ditë në Pragë,- atje të hapin xhaketën dhe të shohin markën, të shohin markën e orës, të këpucëve, të këmishës dhe po nuk i pate markato, nuk je askushi”…!

Edhe orët e shtrenjta të gjyqtarëve tanë hajdutë, që mrekulluan para ca kohësh Ambasadorin amerikan Lu, janë pjesë e kësaj gare falsiteti e degjenerimi të vlerave njerëzore tek ne. Pra, sipas mentalitetit të sotëm shqiptar, VIP-i dallohet nga rrobat që ka në trup, nga çfarë bën për t’u dukur dhe jo nga vlerat reale që ka si njeri, apo nga kontributi që jep në taksa e nga mendimet që i ka dhënë shoqërisë. Kjo mënyrë të menduari dhe të jetuari VIP, që vihet re tek ne, është një shkëlqim fals, një paraqitje e rremë, është një mashtrim që nuk ka lidhje me vlerat reale të një njeriu dhe të një shoqërie. Si rrjedhojë, nuk e prisja të ishte ndryshe edhe dasma e “Princit dhe e Princeshës sonë”, të cilët janë gjithsesi personazhe fale të një shoqërie që shkon pa u ndalur drejt një falsiteti gjithnjë e më të madh. Çdo gjë në atë dasmë mua dhe, sigurisht shumë shqiptarëve si unë, mu duk me princër fals, me të ftuar falls, me shkëlqim fals, me shpenzime, që një çifti të ri, si puna e këtyre “princërve” tanë, nuk ua mban kurrizi, pra false. Por nëse e gjykojmë në një plan më të përgjithshëm ky shkëlqim, ky luks, kjo madhështi false duket tamam si qershia mbi tortë për një shoqëri, e cila çdo ditë e më shumë tenton të bëhet simbol i një mentaliteti fals dhe peng i njerëzve fals.

Dëgjova nga disa analistë që thoshin se dasma qe një reklamë e mirë për Shqipërinë, pasi erdhën e na vizituan njerëz të shquar, përfaqësues të oborreve mbretërore të botës. Të më falin ata që kanë opinion të kundërt me mua, por mua mu duken personazhe qesharake ata që erdhën në atë dasmë. Qesharakë, sepse pjesa më e madhe e mbretërive të tyre në vendet nga vijnë, janë tashmë relike qesharake e pa asnjë lloj peshe në jetën politiko-shoqërore të vendeve të veta. Bile për opinionin e gjerë të brezave të sotëm mbretëritë janë pjesë e një bote parazite, që ia vlen të harrohen e kancelohen. Ndaj dyshoj shumë në fuqinë e tyre publicitare në të mirë të Shqipërisë edhe nëse kanë dalë me opinion shumë të mirë nga kjo dasmë “mbretërore” shqiptare. Këta princër mua më shumë më ngjasonin më një grup turistësh pleq që kanë ardhur të kalojnë një ëeekand në një vend të çuditshëm, që nuk e kishin parë dhe për një “mbretëri”, që një pjesë e madhe e tyre nuk e dinin se ka ekzistuar. Nga ana tjetër, në aspektin e brendshëm kjo dasmë, ashtu si shumë dasma dhe evenimente që organizon klasa jonë e politikaneve, në garën e luksit të shfrenuar me njëri-tjetrin, është në kontrast të plotë me gjendjen ekonomike të një vendi dhe një populli që masivisht për të siguruar bukën e përditshme u është drejtuar maleve dhe parcelave të kanabisit, duke sfiduar çdo lloj rreziku. Atëherë, më del vetvetiu pyetja: pse u organizua një dasmë e tillë me një madhështi false, në një pallat mbrëtëror fals, me shpenzime astronomike false…!?  Pse u bë dhe kujt i shërben!? Unë besoj se dasmat private, në rrethe të ngushta, me shpenzime reale, pa bujë e pa pompozitet, brenda mundësive reale ekonomike,  do ta kishin nderuar më shumë çiftin e ri dhe do të ishin një pasqyrë më e saktë e dy “princërve” tanë, që punojnë në Bashkinë e Tiranës. Ky falsitet i rreme me mbretër e pricër të rremë dhe shkëlqim e madhështi false, me shpenzime përrallore, që nuk dihet nga vijnë e pse vijnë, janë pjesë e pandarë tashmë e një shoqërie dhe klase politike të çmendur, që ka humbur çdo lloj lidhje me arsyen e realitetin, duhet përbuzur nga shqiptarët.

SHKARKO APP