De Biasi: Ja çfarë kam vendosur për të ardhmen time…
Pas pohimeve në mediat italiane se do të mbetet trajner i kombëtares shqiptare deri në vitin 2017, Gianni De Biasi, konfirmon vazhdimin e aventurës në krye të stolit kuqezi.
Trajneri i ka cilësuar të pakuptimta polemikat e krijuara rreth kontratës së tij. Debate që duheshin shmangur, edhe sepse erdhën në një moment kur Shqipëria festoi kualifikimin historik në Europianin 2016 në Francë.
“Më vjen keq vetëm që këtë gëzim nuk e përjetuam ashtu siç duhet, pasi kohët e fundit krijuam disa polemika që mund t’i shmangnim, por e rëndësishme është që në Qershor, Shqipëria do të jetë në Francë!
Tani nuk ka shumë gjëra për të thënë, pasi kontrata ime rinovohet automatikisht deri në Tetor të 2017-tës dhe besoj se janë të gjitha kushtet për të vazhduar punën.
Tani objektivi kryesor për mua është të përqendrohem te finalet e Europianit”.
Trajneri nuk e fsheh dëshirën që pas arritjes madhore kontrata të rishikohet në aspektin financiar.
Por, De Biasi vendosi pikat mbi “i” jo vetëm për sa i takon punës me kombëtaren, por edhe rreth marrëdhënieve, të cilat i cilëson “të shkëlqyera” me presidentin e Federatës, Armand Duka. /SuperSport/