Debati/ Pro dhe kundër Ardit Gjebresë

Tashmë vetë Ardit Gjebrea ka folur më në fund për intervistën e tij kontroverse në burg me një të të dënuar të përjetshëm për vrasjen e dyfishtë. Pa hyrë në thelbin e polemikës, nëse një rast kaq specific mund të trajtohet në një mënyrë aq pak profesionale, ai ka mbrojtur idenë se qëllimi i tij nuk qe që të bënte drejtësi. Por pavarësisht nga kjo në mediat e shkruara dhe ato online nuk ka munguar debati nga zërat më autoritarë të shtypit shqiprar, për mëkatin ose jo të Gjebresë. Lapsi.al i ka përballur opinionet e atyre që e fshikullojnë dhe të atyre që e mbrojnë Gjebrenë.

Në një koment në “Java” Lorenc Vangjeli këmbëngul se: “Arditi ishte viktima perfekte e javës për të shtyrë kotësinë dhe për të zbrazur frustrimin nga anonimiteti”. Sipas tij: “Kush ju hodh në kurriz e bëri edhe sepse Arditit i mban kurrizi”. Dhe për Vangjelin e gjithë furia ndaj Gjebresë ishte thjeshtë hakmarrja e ziliqarëve: “Me gjasë vetë Arditi do të ketë mbetur i habitur. Jeta në art e ka mësuar se mund të duartrokitet dhe të fishkëllehet, por jo që të meritojë urrejtje. Urrejtja është çfarë ai nuk ishte mësuar të merrte në këtë botë të nëndheshme që për “nord” ka ligësinë, që qëndron në ekuilibër vetëm nga interesi dhe që vjen rrotull vetëm nga egoizmi”.

Por ka edhe nga ata që mendojnë se këngëtari prezantues gaboi pasi ai ngatërroi profesion. Pasi ai nuk është një gazetar. Kështu Mentor Kikia, zv drejtor i lajmeve në Top Channel shkruan: “Gjebrea është një profesionist i shkëlqyer për atë që bën. Por në atë intervistë ishte në territor të huaj. Ai ishte përpjekur të sjellë njeriun që është brenda një vrasësi. Edhe loti që i pikoi, ndyrshe nga ç’e akuzojnë, nuk ishte për jetën e Marianit, por për letrën që i biri i dërgonte të atit. Dhe fëmijët janë njësoj të pafajshëm edhe ata të vrasësve edhe më të mëdhënj. Në këtë kuadër unë intervistën do ta quaja thjeshtë jo profesionale. Gjebrea nuk ka nevoje për audiencën e Marian Rrokut”.

Por pikërisht ethet e Audiencës ishin ato që e bënë Gjebrean të gabojë sipas analistitPreç Zogaj. Në shkrimin e tij në “Panorama”, Zogaj është i ashpër me Gjebrean kur shprehet “Etja për shikueshmëri tregoi edhe një herë se nuk sheh kallot ku shkel dhe plagët që hap”. Ai vazhdon: “Sindroma e audiencës me çdo çmim dha një shfaqje tronditëse këto ditë. Etja për shikueshmëri tregoi edhe një herë se nuk sheh kallot ku shkel dhe plagët që hap. Lakmia ka sy flakërues, por nuk ka fe, nuk ka mëshirë. Si mund të ndalet, si mund të korrigjohet kjo mynxyrë? Duhet të besojmë kurdoherë në zgjimin dhe rizgjimin e ndërgjegjes profesionale të gazetarëve”.

Por përpos kritikave edhe zëra të rëndësishëm në shtyp kanë dalë në mbrojtje të drejtuesit të « E diela Shqiptare » në komentin e tij në « Opinion » Artur Zheji, e amniston arditin duke thënë se media nuk është detyrimisht një kategori moralizuese : «  …qëllimi i Gjebresë, nuk ishte ta rehabilitonte, por thjesht ta rrëfente Rrokun. Me dritëhijet e tij. Dhe kush priste që ai ti thoshte: “more maskara, more vrasës, çfarë ke bërë kështu 15 vjet më parë?!”, nuk kupton se çfarë është media, që buron nga termi “mediare”, e që do të thotë ndërmjetësim. Ndërmjetësim midis asaj që është apo ndodh dhe atyre që nuk e dinë dhe nuk e shohin. Media është pra në thelb, një shërbim, është një dritare, është një sy dhe një vesh, që ai, ata, ato, nuk e kanë. Dhe jo një kategori detyrimisht interpretative apo moralizuese”.

Në krah të Gjebresë është reshtuar në të njëjtën faqe edhe Blendi Fevziu. Ai bën thirrje që Gjebresë të mos i kërkohet llogari për një peshë që nuk e mban dot mbi supe: “Më qëlloi këto ditë të ndjek edhe komentet ndaj intervistës dhe qëndrimin ndaj Gjebreas që e bëri atë. Gjebrea nuk është gazetar investigativ. As e ka këtë mision. Ai ka gjetur të tregojë një histori burgu dhe e ka bërë këtë duke besuar personin që ka përballë. Pa i hyrë analizave të thella dhe pa e pretenduar këtë. Ai thjeshtë ka ndërtuar një histori burgu, me gjithë dritëhijet që ajo ka. Në mediat shqiptare ka vitet e fundit plot intervista me kriminelë dhe vrasës në burg, nga gazetarë që merren çdo ditë më këtë gjë. Kanë gjënjyer e kanë ngritur alibi e askush nuk është kujtuar për këtë. Ndaj mos i ngarkoni Gjebreas, një peshë që as ai nuk e pretendon” shkruan Fevziu.(Lapsi.al)

SHKARKO APP