“Déjà vu” nga zgjedhjet….

 

Nga Lutfi Dervishi*

1) Përdorimi i administratës. Megjithëse Kodi zgjedhor e ndalon përdorimin e administratës për fushatë, duket se kodi ka po aq fuqi mbi administratën sa ka urdhri i oficerit ndaj ushtarit, një ditë para se ai të lirohet nga ushtria. Në një intervistë televizive kryeministri pranoi se ishte e tepruar shpërndarja e certifikatave të legalizimit nga kandidatët. 5 ditë më vonë drejtori i Legalizimeve u shfaq në Lezhë me deputeten e zonës duke shpërndarë certifikata legalizimi si për të sfiduar jo vetëm ligjin, por edhe fjalën e kryeministrit.

Swiss Digital Desktop Reklama

2) Ku i gjejmë paratë për premtimet? Për këtë pyetje pa iu dridhur qerpiku kandidatët thonë: i marrim nga qeveria! Madje edhe dy kandidatë të opozitës (Tiranë, Durrës) thonë se nuk e kemi problem të flasim dhe të pimë kafe me kryeministrin, vetëm punët të bëhen. Ndarja e re territoriale nënkupton edhe autonomi më të madhe. Duke qeverisur me shumë njerëz dhe territor, ke automatikisht më shumë fonde dhe më shumë hapësirë veprimi. Nuk ka asgjë të keqe që pret paratë nga qeveria. E keqja është se edhe vetë qeveria është mbytur në borxhe, sa te FMN-ja, sa te Banka Botërore sa edhe te publiku.

Swiss Digital Mobile Reklama

3) Tregu i votës! Miell, xhinse, iphone, janë disa prej mallrave të këmbimit aty ku mungon paraja apo euro! “Drejtojuni prokurorisë!” është refreni që në radhë të parë nuk e besojnë ato që e thonë.

4) KQZ- sërish në qendër të vëmendjes. Sërish për të ka ankesa nga opozita, por me një dallim të madh. Shumica nuk tentoi të zhbëjë, zëvëndësojë apo tjetërsojë përbërjen e komisionit.

5) Posterat! Kandidatët dhe kandidatet u shfaqën në postera sërish, dhe sërish 10-20 vjet më të rinj se ç’janë. Autor i vërtetë i fotove është photoshop-i. Për tu shënuar është posterat më të pakët u shfaqën në Korçë dhe posterat më të vegjël në Gjirokastër.

6) Fëmijët. E ndaluar me ligj, e ndaluar me kod, e ndaluar me konventa ndërkombëtare, por sërish fëmijët u përdorën në fushatë. I veshën me simbole partish. U dhanë pankarta në duar. Më pak. Por nuk është çështje sasie, por principi.

7) Ambasadorët. Edhe pse janë zgjedhjet lokale, ambasadorët janë sërish prezent me thirrje dhe me monitorim. Flasin, tërheqin, vëmendjen, luten, dhe kur sheh vendosmërinë për të mos bërë atë që duhet të kujtohet thënia: “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë”.

8) Kandidatë për herë të n-të! Megjithëse numri i të zgjedhurve vendorë, falë reformës është më i vogël nga 373 në 61, sërish kemi kandidatë që garojnë për herë të 3-të, të 4-t dhe të 5-të. Në këto zona të krijohet përshtypja se 25 vjet pas ndryshimit të sistemit, pluralizmi ende nuk ka mbërritur.

9) Partitë luledielli. Edhe në këto zgjedhje koalicionin më të madh e krijoi qeveria! Ky fakt nuk është se të krijon shumë pështjellim në stomak. Ajo që të sjell zorrët në fyt është deklarimi se “ky kalim është bërë në interesin e qytetarëve”. Partitë që diell kanë qeverinë, janë gjithfarëllojesh, që nga parti –kryetarësh e deri tek parti-patriotësh.

10) Incidentet. Shkrepje armësh, sulme ndaj kandidatëve, përdorim karrikesh- jo vetëm për tu ulur, por edhe mbi kokat e kundërshtarit, leva, aksidente – kur ke parasysh se do të votohet në mbi 5000 qendra votimi, numri incidenteve i ngjan numrit të deleve të zeza në kopenë e zezë, mund të jenë pak, por duken shumë. Ajo që mund të thuhet me siguri është se vëzhguesit do të kenë çfarë të shkruajnë dhe nuk do të ekzistojë meraku: Kot i kemi thirrur!

Syri.net

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?