Dekorimi i 4 të vrarëve në protestë, kartat e sforcuara elektorale të Ramës

Nga Xhovan SHYTI

Pas sigurimit të një sasie tepër modeste të vaksinave anti-Covid dhe propagandimit të tyre të bujshëm si një sukses, që vetëm “Skendërbeu modern” mund ta arrij, kryeministri Edi Ramë, njëherësh dhe kryetar i sektit “Rilindja” të Partisë Socialiste, dje ka shpërfaqur një tjetër kartë elektorale.

Fjala është për shpalljen, po me bujë dhe shtirje mallëngjyese, “Dëshmorë të Atdheut” të katër të vrarëve gjatë zhvillimit të protestës së 21 janarit 2011, tashmë proverbiale për mosndëshkueshmërinë dhe fshehjen e autorëve urdhërues.

Pas një harrese dhjetë vjeçare dhe premtimeve të bujëshme për të hetuar në detaje dhe shpënë para bankës së të akuzuarve autorët e këtij krimi monstruoz, edhe pse gjatë kësaj dekade heshti dhe nuk lëvizi asnjë gisht nga skena e krimit të kohës së Sali Berishës, Edi Rama, kryetar zotërues absolut i dy funksioneve të larta, nuk ngurroi ti dekoroj viktimat me shpresën për ta përdorur aktin si “jorgan” të mëkateve të veta. Ku “harresa” dhe lënia pas dore, pse jo për pazare të pasperdeve me urdhëruesit e vrasësit e tyre, që dihet tashmë se janë rivalë të fortë politik të tij, janë motivi i vërtetë, përkundër shfajësimeve për mosqenien komandues i drejtësisë, që artikulon Kryeministri.

Foto: Kryeministri Edi Rama refuzues.

Nuk marrim përsipër të vlerësojmë nëse katër të vrarët nga dora e pushtetit ekzekutiv të asaj kohe: të ndjerët Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj i plotësojnë apo jo kushtet për t’u klasifikuar të tillë, apo meritojnë një titull më të lartë, as nëse është dekorimi i tyre kompetencë e Kryeministrit apo Presidentit, por një gjë duket ashiqare fare: Në shterim të mbi 100 premtimeve të bujëshme të bëra në fushatën elektorale të 2013 e më pas, në mosmbajtje të pjesës dërmuese të tyre e zhytjes së vendit e shqiptarëve në varfëri ekstreme etj., për të realizuar objektivin e votëbesimit edhe për një mandat të tretë, Kryeministri po shfrytëzon çdo shteg të ri. Për më shumë vota dhe votëbesues, për marrjen me çdo kusht të një mandati të tretë qeverisës edhe pse është i bindur se nuk ka ç’ti jap më shumë se propagandë boshe shqiptarëve që po vuajnë dhimbshëm aventurën politike të njeriut që premtoi “rilindjen” por që na shpuri në “rivdekje”.

Nga rreth 1000 dollarë të ardhurat për frymë i zbriti në 300 dollarë. Rendin publik me një të vrarë e gjysëm në ditë, nga krimi e aksidentet, e shndërroi në kasaphanë publike.

E më tej: pa një strategji të qartë zhvillimore, me ca PPP zhvatëse të parave të taksapaguesve, të mbyllura në qarkun e klientelizmit që ndan paratë me pushtetin, me një korrupsion galopant, që ka alarmuar BE e SHBA, dhe një administratë nepotike në krye të të cilës zundojnë të besuarit, bijtë e bijat, nipërit, mbesat tezet, hallat e soj e sorollopi, që e hedh vallen e është vigjilentë ndaj shkelësve të vijës skënderbejane…Kjo është Shqipëria që s’duam përkundër asaj që “duam” të propaganduar nga Edi Rama shtatë vite më parë.

Qeveria e urdhëruar prej tij dështoi me menaxhimin e situatës pandemike nëpërmjet strategjisë “pagave të luftës” edhe pse prej buxhetit të shtetit u nxorrën mbi 121 milionë dollarë, apo mbi 1 miliard e 300 milion lekë, duke e rritur edhe më shumë borxhin e brendshëm.

Foto: Kryeministri Rama, me duar të pastra”.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, nisma ishte e mirë por “amatoreske”dhe e pamjaftueshme për të zbutur efektin e krizës ekonomike të biznerseve. Kjo pasi shpërndarja e pagave nuk i ndihte as bizneseve dhe as individëve përfitues që pas përfundimit të trajtimit me ndihmë financiare lufte u gjendën të papunë, duke shtuar më tej numrin e këtyre të fundit.

Statistika zyrtare e INSTAT, (dt. 10/09/2020), e ndjekur më pas nga ajo e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, (09 dhjetor 2020), gjatë fjalës në Ëorkshop-in e XIV të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore, konfirmojnë se si pasojë e krizës pandemike në 6 muajt e parë të vitit 2020 dolën të papunë rreth 50 mijë persona, nga humbja e vëndeve të punës. E barazavlefshme kjo me një rënie vjetore të punësimit prej 3.6%. Si rrjedhim norma e papunësisë u rrit në 11.9%.

Ekonomia ka pësuar humbje me rreth 1-1,2 miliardë euro në PBB, ndërsa të dhënat e publikuara në faqen zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve tregojnë se nga 01 maji 2020, kur filloi heqja graduale e kufizimeve, deri në 31 dhjetor 2020, subjektet që kanë kaluar në status pasiv janë rritur me 38%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pra, me straegjinë e ndihmë së luftës të nisur një vit më parë dhe të bitisur në nisje të valës së dytë pandemike, me deklaratën e famëshme të Ramës se nuk do të kishte një paketë të tretë financiare për menaxhimin e saj, Kryeministri e konsumoi sjelljen e tij premtuese dhe politikën optimiste të shpëtimit të ekonomisë nga kriza.

E konvertoi në kartë e djegur në vigjilje të zgjedhjeve të Përgjithëshme Parlamentare të 25 prillit, duke e kompensuar me shfrytëzimin e lajmit entuziast mbarëbotëror të daljes së vaksinës anti-virus dhe sjelljen në Shqipëri qoftë edhe të një sasie modeste të saj (sikurse ndodhi me lojën e 10 mijë, 30 mijë e dreqi e di sesa do të jetë sasia e vërtetë e vaksinave që Rama po i propagandon bujshëm se pritet të vijnë, pa përcaktuar afat kohor.)

Sasia modeste e vaksinave anti-COVID, që pritet të shkojë në 10 mijë e mjafton për veç 5000 persona të personelit shëndetësor, e propaganduar me bujë së bashku me rikthimin tek dekorimi të katër viktimave të pafajshëm të protestës së 21 janarit 2011, pas një harrese dhjetë vjeçare kanë si motiv rikuperimin e dështimit madhor të “rilindjes” dhe ndalimin e zbritjes nga kali i pushtetit të “Skënderbeut modern” Edi Rama, i cili aftësi të lindur apo të fituar ka bërjen e “qimes tra” e të “mizës buall që fluturon”. Nëpërmjet shfrytëzimit të sharlatanëve mediatik dhe dhjetra qindra portaleve të hapura e TV-ve të vena në shërbim të tij kundrejt përfimimeve të majme me pasuritë publike e paratë e taksapguesve./ ArberaNews.net

SHKARKO APP