”Dele e zezë”, por pazari që Albin Kurti nuk bën kurrë!
Nga: Redjon Shtylla
Ka një ego nga Edi Rama për të qenë lider Ballkani dhe kokëfortësi nga Albin Kurti, për të dëgjuar veten dhe mbi të gjitha, ai nuk bën kompromis për atë që beson. Albin Kurti bën kompromis në ideologji, por nuk lëshon në aspektin nacional të bindjeve të tij.
Një përplasje dhe helmatisje personale mes dy kryeministrave. Albin Kurti pretendon se Tirana nuk mund të marrë nisma me Beogradin pa u konsultuar më parë me Prishtinën dhe draftin për Asociacionin ata e quajnë si një dhuratë për Serbinë.
Kurse Rama e ka quajtur më parë partinë Vetëvendosje si një organizatë neo marksiste që beson në mënyrë delirante se mund të vendosi masa proteksioniste njësoj si Kina, apo Rusia. Kundërshtitë mes dy liderëve janë të mëdha.
Edi Rama dhe Albin Kurti nuk e duan njëri-tjetrin dhe kjo është e dukshme, por kjo marrëdhënie e acaruar mes tyre do të ndikojë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe në rrugën e Kosovës për njohje nga vendet e tjera të BE-së. Por edhe pse po shënjestrohet si “delja e zezë”, Albin Kurti është lideri politik që ka bërë histori në Kosovë, duke fituar bindshëm në zgjedhje. Kjo qasje me ultimamute nuk ndihmon Kosovën, por bën që Kurti të veprojë me saksione edhe më shunë ndaj Serbisë.
Nuk është situata në veriun e Kosovës, që ka vënë përballë Kurtin dhe Ramën. Ish-kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti thotë se ka një listë krizash që kanë shënjuar marrëdhënien konfliktuale midis Albin Kurtit dhe Edi Ramës.
Për të krisja më e madhe midis Kurtit dhe Ramës ka qenë në 2013, kohë kur Partia Socialiste firmosi koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës. Ahmeti tha se vetë ai, asokohe si një nga figurat më në zë të Vetëvendosjes dhe Kurti kanë refuzuar të pranojnë Ramën në një takim, pasi ishin kundër Ilir Metës.
Albin Kurti i kërkon Serbisë që të njohë Kosovën si shtet pastaj të bëjnë Asocacionin. Edhe sikur ta rrëzojnë, madje edhe sikur ta vrasin, në këtë pikë kryeministri Albin Kurti nuk lëviz.
Kryeministri Albin Kurti thotë që nuk e ka as ai e askush të drejtën që të bëjë pazar me trojet e Kosovës.