Dëmi, që po i sjell Berisha Voltanës në Shkodër

 

Nga Mero Baze

Dy kandidatet për kryetare Bashkie në Shkodër janë gra dhe ky është një rast i artë që të kemi një fushatë elektorale, së paku larg fyerjeve dhe sulmeve personale. Të dyja kanë dhënë opinionet e para në shtyp dhe janë të kujdesshme ndaj njëra-tjetrës. Të fortët e PD-së në Shkodër, ata që për vite e vite më radhë nuk linin njerëzit të dilnin nga shtëpia për të votuar, tani janë si të papunë që mërziten pse nuk po i thërret kush. Po ashtu nami i të fortëve të PS-së, sidomos ata të lidhur me Doshin, janë të rezervuar se në përpjekje për të dëmtuar Bazhdarin duhet të bëjnë kujdes të mos duken si ushtarë të Doktorit.

Pra në një farë mënyre situata është e relaksuar dhe fushata po shkon normalisht.

Por fare papritur, në lojë ka hyrë Sali Berisha. E bëri fillimisht më një video të rëndomtë, nxjerrë nga një drejtoreshë e PS-së, që ka dashur t’i shfajësohet Tomës për atë mbledhje, ku as më shumë e as më pak ka një kërkesë të fortë llogarie të Edi Ramës ndaj drejtorëve të tij, për të lidhur rezultatet e zgjedhjeve me të ardhmen e tyre politike. Nëse nuk do ta bënte këtë do të ishte skandal. Por me sa duket, ngaqë kjo nuk i ndezi shumë, sot në Kuvend nisi sulme personale ndaj Bazhdarit, nga ato më të neveritshmet, duke u përpjekur ta bëjë dhe atë bandite me pistoletë në dorë që grabit biznese.

Sulmi është i neveritshëm jo pse është një shpifje e ndyrë ndaj një gruaje, por se ngjan si i porositur nga një grua tjetër kundër saj. i shqetësuar pse Volatana dhe Keti nuk kanë nisur fushatën duke fyer njëra-tjetrën, i shqetësuar pse banditët e tij të vjetër dhe të rinj kanë mbetur pa punë dhe mbi të gjitha i shqetësuar se nëse situata shkon kështu pa konflikt, rezultati është në pikëpyeje, Berisha po përfshihet dhunshëm, me një gjuhë të ndyrë në fushatë për llogari të Volatana Ademit, me shpresë se e ndihmon atë.

Në fakt nëse ka gjë që e dëmton Voltanën dhe çdo kandidat të PD-së në zgjedhje, është t’i bëhet krah Sali Berisha. Në rastin konkret, ku duket sikur Voltana ka kërkuar ndihmë tek Berisha që ky të fyejë me një fjalor neveritës rivalen e saj, dëmtohet dhe më shumë.

Për aq sa kam parë fushatën e saj, ajo nuk e ka këtë predispozitë dhe duket njeri normal. Berisha po përpiqet ta denatyrojë atë dhe ta konsiderojë një femër alla Jozefinë, që meqë thoshte Berisha “lavire Bulevardi” thoshte dhe ajo.

E vërteta është se Berisha ka probleme me ish-të përndjekurit politik në Shkodër, sidomos me brezin e babait të Bazhdarit. Ata janë ata që e kanë zbuar javën e parë të themelimit të PD-së nga Shkodra si komunist dhe të dërguar të Ramizit dhe ai nuk ua fal. Ata e kanë mundur Berishën dhe në vitin 1996 kur nuk la bashki pa vjedhur në gjithë Shqipërinë. Pra ai ka një të drejtë personale të ketë urrejtje për Bazhdarin dhe sfidën që i ka bërë familja e saj një ish-komunisti që tenton ende të manipulojë Shkodrën.

Me sa duket tani po gjen rastin të zbrazet. Por, problemi është se duket sikur po e bën këtë për të ndihmuar një grua tjetër përballë, duke sharë në emër të saj me një fjalor të pistë dhe me haluçinacionet e një babai që është i obsesionuar nga skenat me pistoletë tek koka, nga historitë e të birit me gjobat e bizneseve.

Berisha mund të përballet vet me Bazdarin. Të bëjë betejë kundër saj, ashtu siç di ai, me libër shtëpie për arsyet e tij politike dhe personale. Por ai më shumë ka frikë se po bie modeli i tij i fushatës pa sharje me libër shtëpie, sesa ka merak të shajë Bazhdarin. Dhe po nxiton të përfshihet në fushatë në Shkodër me çdo çmim, pasi shpreson se aty mund të fitojë dhe të ngjaj si fitorja e tij, triumf i modelit që ka krijuar gjatë jetës politike. Në fakt kjo është një arsye e fortë për ta humbur Shkodrën, sidomos përpjekja e tij për të skalitur një Jozefinë të re, që është gati të pranojë fjalorin e tij dhe akuzat perverse për kundërshtarët politikë.

Gazeta "Tema"

SHKARKO APP