Demokracia na rri ngushtë ne shqiptarëve

Nga Ben Andoni/

Ka një ndjesi, pas të gjithë tollovisë që po na dhuron politika shqiptare e këtij mandati legjislativ dhe ekzekutiv. Kjo i bashkon në një të tërë shqiptarët e pothuaj të gjitha fashave sociale të shoqërisë, por edhe moshave. Ajo lidhet me vetëm një fjali: Në Shqipëri nuk rrihet dhe asnjëherë nuk do të rregullohet! Kjo është pasoja e frikshme, që po përjeton vendi nga retorika pa sens e kryetarit të Opozitës Basha, që e ndan jetën e vet personale mes Holandës dhe Shqipërisë; por edhe vetë-bisedave së Ramës, kryetarit të Maxhorancës në takimet fare pa kuptim me njerëzit e thjeshtë, shtuar këtu edhe gjuhën e drunjtë të Ilir Metës.

Ndërsa Shqipëria po rrëshqet prej një papërgjegjshmërie totale të politikës në kaosin e radhës, politikanët vazhdojnë e japin shfaqje neveritëse. Të mjafton t’u lexosh gjuhën e trupit, kur rrinë pas njëri-tjetrit që t’i kapi ndonjë kamera me negociatorët e huaj apo të shikosh krerët e ekzekutivit, si vazhdojnë të shpallin suksese sikur vendi të jetë në një paqtim normal, të zë lemeria.

Thuhet se zgjedhje nuk ka dhe me gjasa zgjedhjet do preken për t’u gjendur një fill që t’u bashkojë grykësinë gargauntiane politikanëve tanë. Ndërkohë që në Shqipëri ka filluar fushata me zyrat përkatëse, ku ato kanë mbirë kudo. Opozita thotë se nuk do marrë pjesë në zgjedhje, porse janë sakaq gati nëse një moment Ramës i shket këmba dhe krijon premisën për qeverinë teknike, “kushtin e tyre bazë”!

Po njerëzit? Ata rrinë e vëzhgojnë dhe jo pak syresh, ashtu si kanë bërë në 25 vitet e fundit e gjejnë veten në tribunat e tifozëve për t’i shërbyer turpshëm politikës. Në çadër, në tribuna, pas liderave. Ndërkohë që votimet janë të tyret. Thjesht të tyret.

Kushtetuta shqiptare detyron çdo kategori demografike që të votojë në zgjedhjet e përgjithshme në datën që dekreton presidenti i vendit. Nuk ka rëndësi se presidenti yt nuk është për asgjë dhe nuk organizon dot edhe një tryezë të vetme politike, sepse nuk u bë dot kurrë simbol (në fakt e katandisi politika dhe i shërbeu asaj); nuk ka rëndësi se Basha kryetari de jure i opozitës (po kthehet edhe për pak de facto) kërcënon dhe bën thirrje deri për luftë civile; nuk ka problem se Rama bën monologje pa fund dhe i kënaqet retorikës së vet, zgjedhjet janë thjesht të njerëzve, që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Me pak fjalë, 18 Qershori është i njerëzve, nuk është as i Bashës dhe as i Ramës e ca më keq i Metës. Po cili do t’ia dijë?! Populli rri dhe pret dy pikat që vijojnë titujt uniformë pas fjalëve të dyshes tejet të lodhshme Rama-Basha. Në vend që këta të fundit duhej që në këto javë të bënin maskaradën e radhës, ku t’i tregonin njerëzve sesa shumë ishin lodhur, në një fushatë normale, ata akuzojnë dhe akuzojnë.

Me pak fjalë shqiptarët po tregojnë se përbëjnë një bashkësi që mund të luash lehtë. Ia vumë fajin komunizmit, këta pushtimit, këta Zogut, këta qeverive pas Ismail Qemalit… Kjo gjendje na bën të mendojmë se ato thëniet që shqiptarët s’dinë të bëjnë shtet, megjithë helmin e madh dhe të lëshuar nga kuzhina për shfarosjen e tyre, e paskan pasur një të vërtetë të hidhur. Ne, shqiptarët, kemi probleme me demokracinë, me veten, por edhe me shtetin tonë. Me sa duket, demokracia na rri ngushtë. Ndaj është kaq e thjeshtë kjo krizë, sepse pak vite më vonë do jetë me patjetër një tjetër, pak më e sofistikuar, por po kaq e ndyrë, si kjo që po i afrohet mesit të vitit 2017 dhe që na barabit me shtete 20-vjeçare si Maqedonia.

Dhe, shqiptarët do lindin gjithnjë e më pak dhe do largohen gjithnjë e më shumë, por gjithsesi pa harruar të bëjnë tifo për këta njerëz që i ndyejnë me dashjen e tyre. Po kjo s’është më çudi, teksa nuk dimë të bëjmë dot shtetin, që ta duam dhe ta mendojmë se është vendi që duhet ta duash në të mirë dhe të keq, këtë gjendje me sa duket e meritojmë. Javanews.al

SHKARKO APP