Demokratë, ne humbëm!
Nga Ilir Levonja
Harta është ngjyrë violetë. Shifrat kanë diferenca të ndjeshme, por edhe honike. Përkundër të gjitha arsyetimeve, kjo është humbje. Dhe një e tillë, përpara se ta kërkojmë tek tjetri duhet ta kërkojmë tek vetja. Tjetrit i duhet thënë urime. Pavarsisht mospikëpjekjeve tona. Pavarsisht se duam apo nuk e duam. Pavarsisht pretendimeve. Ka një sovran që e do. Ai ka emrin popull.
Të cilin nuk kemi përse ta mallkojmë. Pasi ishte ai që na dha edhe neve pushtet dikur. Eshtë ai që do na rimëkëmbi sërish. Lum kush e kupton dhe mjerë kush vazhdon ankohet. Ka domethënien e qoshes. Spostimit. Ta gëzojmë atë. I pari kryetari i opozitës. Një nga njerëzit që për hir të së vërtetës, për disa vite me radhë u bë modeli fitues i një fushate ndryshe. Sot e di ai pse ndryshoi. Pse përfundoi tek oratoria me mallkime. Tek vendimmarrja personale, jo ajo kolegjiale. Pse quan fitore rritjen prej 9% të numrit të votuesve. Ata në favor të PD-ës. Harta është ngjyrë violetë. Bashkive të mëdha as që iu afruam. As që i shkundëm pluhurat. Kjo quhet humbje. Madje humnerë. Rezultai i ngjan ndeshjes Gjermani- Brazil në kampionatin botëror të 2014.
Si mund të justifikohemi. E thjesht fare. Të mësohemi të urojmë kundërshtarin. Pastaj të ulemi dhe të analizojmë humbjen. Të ulemi duke dëgjuar edhe mendimin ndryshe brenda vetes. Një demokrat nuk është vetëm ai që mendon si kryetari, që qesh si kryetari, etj. Por edhe ai që pavarsisht të gjithave, ka rreshtuar veten në atë radhë të gjatë emrash. Ku ai në krye duhet të gëzohet përse ka radhë. Dhe jo të përjashtojë njerëz prej saj. Jo ta shikojmë shoku-shokun me ironi. Dhe të fillojmë me atë formulën shqiptare, të kryqëzimit. Kush ka të drejtë apo jo. Pse s'më dëgjove mua? Pse kështu e pse ashtu? Por për së mbari. Dhe një rrugë e tillë fillon duke hequr nga koka mendimin se humbja e një palë zgjedhjeve është fundi i botës. Koha rrjedh më shpejt se ujët e lumit. Ata që duhet ta kuptojnë të parët këtë, janë opozitarët. Edhe pse të dërrmuar. Edhe pse të shënjuar. Nga ana tjetër duhet të jemi krenar për çdo reagim të fortë prej opozitari, që kemi bërë. Që do të bëjmë. Pasi është ekzistenca e demokracisë. Një popull që është i lumtur 100%, ka paraqitjen e një tryeze dreke me të njëjtën menu. Fasule, fasule, fasule…
Veç opozitar nuk do të thotë të mallkosh. Të nxjerrësh koka njerëzish që ulërasin, shajnë, për turpin dhe faqen tonë të zezë. Koka që krijojnë grupe klasash, lagjeje dhe krahine apo anët tona e anët tuaja. Opozitar do të thotë krijesë njerëzish që frymojnë bashkë.
Nëse kjo quhet e pamundur. Nuk është përpjekja për t'u afruar modelit. Pra e pamundur. Nëse kjo quhet se nuk i përket botës shqiptare. Nuk është përpjekja për t'u afruar asaj bote që ne e ëndërrojmë.
Ne humbëm. Por të mos humbim kohën e reflektimit.
KOHA JONË SONDAZH

