Denoncimi i të vërtetës nuk është as panik e as krim

Nga Ylli Manjani –

Nuk ka të pasme ku të rrijë llogjika që aktivistët e Teatrit paskan përhapur panik pse regjistruan dhe emetuan në rrjete sociale një mjet që po shkarkonte qesee ndihma në hyrjen e Ministrisë së Brendshme.

Kjo është turp, jo llogjikë!

Fakt është se vetë Ministri i Brendshëm e pranon se ato qese janë me ndihma dhe se po futeshin në magazinën e SHÇB.

Pra jo panik, por as gënjeshtër nuk është rregjistrimi video i bërë nga aktivistët. E pranon vetë ministri që janë qese me ndihma.

Aktivistët në koment thonë se ndihmat janë vjedhur nga policia. Fiks të njëjtën gjë thotë dhe ministri, “ato ndihma janë provë materiale e një vjedhje që ka bërë një punonjës policie…”. Pra policët i paskan vjedhur ndihmat.

Sinqerisht nuk e kuptoj se ku është vepra penale e kryer nga Aktivistët!!! Ata denoncuan diçka të çuditshme që panë. Natyrisht nuk mund të dinin nëse ato qese ndihmash i kishte vjedhur një poloc në Rinas apo një polic diku tjetër. Fakti ishte i qartë: në Ministrinë e Brendshme po shkarkoheshin ndihma që normalisht duhet të shkarkoheshin tek banorët në nevojë.

Në fakt e çuditshme është që provat hetimore u ruakan në Ministrinë e Brendshme.

Sidoqoftë asnjë panik e asnjë të pavërtetë nuk ka në raportimin e aktivistëve. Mund të ketë diskutime etike mbi komentet apo opinionet reciproke që bëjnë si aktivistët denoncues ashtu dhe Ministri i Brendshëm reagues, por jo shkelje ligji!

Pra mund të mos jesh dakort me komentin, por jo me faktin që e pranon dhe vetë që ka ndodhur.

Nëse duan ti përndjekin e ti terrorizojnë me polic se ju do qejfi, është hesap tjetër, por që të kenë shkelur ndonjë ligj të shkruar nuk kanë të drejtë ta bëjnë.

Të denoncosh diçka që e sheh dhe pranohet se është e vërtetë nuk është panik. Përkundrazi është shërbim qytetar i nivelit të lartë. Panik dhe krim është kur fshihet e vërteta si dhe kur tentohet mbyllja e gojës njerëzve! Kjo e fundit tashmë njihet si krim kundër njerëzimit që kryhet në shtete diktatoriale.

SHKARKO APP