Dështim i madh!

Nga DR. Jorgji Kote –
Ministrat e Jashtëm të BE-së në Takimin virtual më 17 Nëntor e shtynë për shkak të mosplotësimit të kushteve të njohura çeljen e negociatave me Shqipërinë, ndërsa Bullgaria bllokoi Maqedoninë e Veriut. Ka një shpresë fare të vakët për në dhjetor, por që duket “ hallvë e ftohtë”. Duket sikur Tirana nuk po i ndjen efektet sizmike të shtyrjes së re. Kjo mbasi “Jo”-ja këtë radhë ishte graduale dhe “me pambuk”; në fakt, ajo u tha “ pa zë” në pritjen e Ramës “ me këmbët e para” në Berlin në shtator; po ashtu, në të paktën pesë telefonata telegrafike nga “ të mëdhenjtë e BE-së, nga Merkel dhe Kurz; mesazhin e shtyrjes e dhanë më “ shqip” Holanda më 3 nëntor, Ambasadorja e Francës më 12 Nëntor e të tjerë. Veç kësaj, kjo shtyrje që nuk e dëshirojmë aspak është dështim i paralajmëruar, pikërisht këtë vit kur kryesojmë OSBE-në dhe ca më tepër në një vit jubilar; kur përgatitemi të kremtojmë 30 vjetorin e pluralizmit demokratik, kur sheshet tona ushtuan nga thirjet entusiazte të qindra mijrave, sidomos të rinjve :” E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” Dhe plot 20 vjet pas fillimit të procesit historik të antarësimit në BE, kur “ jemi ala te ura” Kjo është ngjarje e trishtueshme politike dhe publike; ajo shënon dështimin më të madh të klasës sonë politike, në radhë të parë të kësaj mazhorance dhe qeverisë në tri dekadat e fundit.
Ajo çka e bën dhe më dramatike këtë dështim është se mundësitë praktike të parandalimit ishin të shumta. Mirëpo, në vend të mobilizimit për të plotësuar të paktën pesë kushtet e para konkrete, duke krijuar qoftë dhe përkohësisht një front të përbashkët unik mbarëpartiak, politika bëri të kundërtën, shpalli luftë dhe polemika boshe gjithandej. Alibia politike qeveritare filloi me narrativën se “ i kemi kryer detyrat”, edhe pse punët e shtëpisë i kishim “çorap” Pastaj pretendohej se “ Mjaft që Komisioni Europian na vlerësoi” Ndonëse e “ di dhe bufi” se në BE veç Komisionit propozues, dhe Europarlamentit, vendimmarrrës janë të 27 vendet antare, deri te Luksemburgu i vogël; le më pastaj Gjermania, Franca dhe Holanda që të “ bëjnë gjëmën” bashkë me të tjerë. Megjithatë, dhe Komisioni u mjaftua me frazën “jemi pranë plotësimit të kushteve”
Pastaj u kalua te refreni i bezdishëm i “ dinamikave të brendshme dhe zgjedhjeve të ardhëshme” në vende të caktuara të BE-së, siç pohoi Kryeministri Rama më 18 Shtator në Berlin, më 7 tetor në Konferencën e Shtypit me Komisionerin e Zgjerimit të BE-së në Tiranë, Varhelyi dhe më 18 Tetor në Europapark në Munih. Në fakt, këto “dinamika të brendshme” mund të ndikonin deri diku vitin e kaluar për shkak të zgjedhjeve europiane dhe në shumicën e vendeve antare. Mirëpo, kjo situatë ndryshoi rrënjësisht pas Tetorit 2018; më 25 Mars në kulmin e pandemisë COVID – 19, BE jo vetëm që nuk e shtyu vendimin, por e shprehu qartë mesazhin e saj me një PO të shpejtë, brenda këtij viti për të dy vendet tona; edhe pse për ne, me të drejtë, të shoqëruar me 15 kushte, për fajin e dinamikave tona dhe të askujt tjetër! Në Maj, Komisioni akordoi 3,3 miliard Euro për krizën e koronës për Ballkanin Perendimor, veç 1,15 miliard që kishte mbledhur në shkurt në Bruksel për pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit. Këtë mbështetje të fuqishme, BE-ja e rikonfirmoi më 6 Tetor me miratimin e Paketës gjigande Ekonomike për rajonin me 9 Miliard Euro. Atëhere, nëse do të ishte për “ dinamikat e brendshme” dhe zgjedhjet që janë proces i vazhdueshëm, përse duhej që BE-ja të ndërmerrte gjithë këto hapa në mbështetje të rajonit dhe Shqipërisë?
Mbasi këto e të tjera pseudo- argumenta nuk “ngjitën”, pushtetarët tanë kaluan në diversion mes vendeve të ndryshme të BE-së. Këtë Kryeministri Rama e përsëriti mëse një herë, duke iu referuar Suedisë dhe Finlandës, se nuk i kanë më të ulta standardet demokratike se vendet e tjera me hezitime ndaj nesh! Një pohim i tillë tregon mosnjohje të realiteteve historike brenda BE-së, ku secili vend ka rolin, peshën, specifikat dhe qëndrimet e veta. Ja që kështu është bërë dhe funksionon BE-ja, për mirë apo për keq. Pastaj, në respekt të dy vendeve të lartpërmendura që kanë aderuar në BE në vitin 1992 dhe 1995, po aq, madje dhe më shumë respekt do treguar për të tjerët, sidomos për Gjermaninë, Francën dhe Holandën, si bashkëthemeluese të BE-së më 1957 dhe mbi të gjitha për mbështetjen e tyre vendimtare në 30 vitet e fundit. Dhe, sikur të mos mjaftonin këto broçkulla politike, më 7 Tetor, përballë Varhelyi në Tiranë por dhe më 18 Tetor në Munih Rama foli për negociatat sikur po shkonim në dasëm. Madje, qortoi “ krushqit” europianë që nuk kanë ardhur” duke pohuar se po i prisnim me kostum, thënë ndryshe me “lugë në brez”!
Krahasimi i mësipërm banal rikonfirmon qëndrimin pritës, pasiv dhe fajësues ndaj të tjerëve të qeverisë sonë, në përpjekje për të mbuluar me “gjethe fiku” kapitullimin e saj “pa kushte”. Ca më keq akoma, këto politika dhe qëndrime të jashtme të papërgjegjshme u pasqyruan dhe brenda vendit. Edhe pse i goditur nga Tërmeti i 26 Nëntorit dhe korona, ndonëse periudha nga Marsi në Nëntor kur do të jepej vendimi i BE-së ishte tejet e shkurtër, atëhere kur klima, terreni dhe atmosfera politike në vend duhej të ishin pozitive, pajtuese dhe bashkëpunuese me opozitën dhe aktorët/faktorët e tjerë përkatës institucionalë, ndodhi krejt e kundërta. Edhe pse të tjerët nuk janë pa gjë në këtë mes, përgjegjësia kryesore bie mbi shumicën parlamentare që “ kishte në dorë gurin dhe arrën”. Muajt e fundit ajo pothuajse nuk “e vuri ujin në zjarr” për plotësimin e kushteve të njohura, fillimisht me debatet nëse ato “janë pesë apo pesëmbëdhjetë” dhe “ e lagu s’e lagu”!
Në vend që t’u binte kambanave të alarmit për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila ishte premtuar për vitin e kaluar, ajo u fut në polemika të panevojshme dhe në “ stërkëmbësha” me Presidentin e Republikës për procedurat e emërimit në to. Ndonënse tre institucionet tona më të larta janë vetëm 100 metra larg njera tjetrës, në vend që të sheshonin mosmarrëveshjet në Tiranë brenda javës, ankesat e tyre u dërguan në Venecia. Lidhur me kushtin tjetër urgjent, atë të miratimit me konsensus mbarëpartiak të Reformës së re zgjedhore, dha shumë shpresa Marrëveshja e 5 Qershorit, e cila u përshëndet “ nga i madh dhe i vogël” brenda e jashtë vendit. Por “ produkti” i tij cilësor që plotësonte një kusht tjetër urgjent u shkallmua më 30 Korrik me ndryshimet e njëanshme kushtetuese; ato nuk u mirëpritën as nga komuniteti ndërkombëtar; tjetër gjë se qeveria bën sikur nuk e kuptonte “ JO”-në e tij diplomatike. Në fakt, asnjë partner ndërkombëtar nuk na e kërkoi 30 Korrikun; ndërsa për miratimin e Kodit te ri zgjedhor BE dhe vetë Komisioneri Varhelyi kërkuan të pritej Opinioni i Venecias që qeveria e refuzoi brutalisht; kështu, ajo i dha “shqelmin” e fundit çeljes së negociatave në Dhjetor! Veç kësaj, qeveria e kishte fare të lehtë ta linte për më vonë projekt-ligjin e diskutueshëm mbi median. Por, ndonëse nuk mbeti institucion ndërkombëtar dhe vetë OSBE që kryesojmë pa e kundërshtuar, qeveria “ nguli këmbë si mushka” duke e vështirësuar më tej përparimin në plotësimin e kushteve. E ç’të themi pastaj për krimin e organizuar, azilin dhe emigracionin, pa alternative bindëse për lehtësimin e gjendjes? Nuk po hyjmë te kushtet dhe përparësitë e tjera, se tablloja bëhet dhe më e zymtë.
Në këto situata, kur “topi i negociatave” vërtitej te lëmshi në portën tonë, pa mohuar disa hapa, sidomos përkushtimin e ekspertëve në disa dikastere dhe institucione, qeveria mendoi “ ta hidhte me aq lumin” me disa reagime dhe arnime kozmetike, si mbledhje “ pa bereqet” të Komisionit gjysmak të Integrimit, miratimi i Kryenegociatorit me ekipin e vet të përbërë gjithsesi nga zyrtarë të lartë politikë që na kujtojnë thënien “peshku në det, tigani në zjarr”. Për pasojë, krejt ndryshe nga Maqedonia e Veriut, në dy vitet e fundit ne nuk patëm asnjë “breakthrough” pozitiv.
Përjashtim këtu bën angazhimi i vazhdueshëm serioz i Kryesisë së Kuvendit në forma të ndryshme; mesazhe partnerëve, takime e vizita dhe kryesorja përafrimi i legjislacionit tonë me atë të BE-së. Dhe pse kjo punë ndoshta ende nuk shihet e preket na kushdo, asaj do t’ia ndiejmë lezetin më vonë, kur të kenë filluar negociatat me përparimin e tyre. Po kështu diplomacia jonë në Tiranë, në metropolet europiane e sidomos Përfaqësia jonë në Bruksel që mbulon BE-në, Belgjikën dhe Luksemburgun, kanë bërë maksimumin e tyre. Për fat të keq, përballë një politike të tillë, si diplomatët dhe ekspertët më të mirë në botë nuk do të kishin shans!
Këto fjalë po i shkruaj me shumë keqardhje, si qytetar por dhe ish diplomat profesionist që jam marrë direkt me këtë dosje nga viti 1997 në Bruksel, në Berlin, në Tiranë dhe sërish në Bruksel deri këto vitet e fundit. E di mirë se kështu ndihen dhe shumë kolegë të tjerë, ambasadorë e zyrtarë në MPJ dhe në përfaqësitë tona jashtë shtetit. Megjithë mobilizimin, përpjekjet dhe profesionalizmin e tyre, kemi dështuar të gjithë përballë politikës sonë dritëshkurtër dhe refraktare, që megjithë premtimet dhe betimet, me veprime dhe mosveprime, ia ka dalë “ me sukses” që integrimin e shumëpritur të lerë “ pas liste”.
E keqja u bë, tani jemi të detyruar të presim ende “në radë”, ndërsa negociatorët “në stolin e rezervave”. Madje, nuk e dimë dhe për sa kohë. Sepse kemi përpara një KUSHT madhor që do kthyer në Produkt bindës, zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit me të papriturat dhe problemet e tyre. Vetëm pas zhvillimit dhe certifikimit të tyre ndërkombëtar, krijimit të qeverisë dhe angazhimit të saj real për plotësimin e kushteve të njohura që do Zoti nuk shtohen më, mund të flitet për çeljen e tyre të shpejtë, në verë ose ndoshta në vjeshtë 2021. Veçse jo më si deri tani, por me punë, përpjekje dhe mbi të gjitha frymë dhe atmosferë bashkëpunuese, ku Negociatat të jenë vërtet në krye të axhendës sonë politike.

SHKARKO APP