Dështimi i pritshëm, analistët: Politika bën teatër, ajo nuk e do “Drejtësinë”

Heshtja e liderëve para takimit pas pyetjes nëse ishin entuziaste për konsensus në lidhje me reformën në drejtësi, u konvertua pas takimit me dështim, të cilin dy liderët në tryeze Kryeministri Edi Rama dhe ai i opozitës Lulzim Basha e veshën me fjalë.

Palët dolën secila me qëndrimet e veta nga takimi i shumëpritur. Analistët megjithatë nuk janë surpizuar aspak, nga rezultati i tij e vlerësojnë kështu:

Armand Shkullaku, drejtor informacioni në ABC News: Ne që merremi me këtë punë e dimë pak a shumë ose si të thuash nuk kishim pritshmëri. Kryeministri e kishte të gatshëm fjalimin pra kishte shkuar në takim me bindjen se nuk do të merrej vesh me palën përballë.

Afrim Krasniqi, politolog: Fakti që dy palët u takuan për mua është rezultat pozitiv, pasi kemi kthimin e politikës në institucionet vendimmarrëse, do të thotë në nivel parlamentar. Si i tillë është një lajm i mirë! Në lidhje me rezultatet e takimit, pritej që nuk do të kishte rezultate.

Mero Baze, analist: Mendoj që takimi kishte rëndësi për heqjen e iluzioneve rreth reformës në drejtësi. Ndonjëherë, në përpjekjet për ta eksploruar të vërtetën, dështimi është i rëndësishëm.

Gjithçka vlerësohet si teatër politik për te bindur ndërkombëtarët se palët po bëjnë përpjekje për reformën qe ka mbështetje dhe nxitet me çdo kusht nga BE dhe diplomacia amerikane. Por tani në këto kushte, kryeministri ka njoftuar se do ta dërgojë në Kuvend reformën ndërkohë qe nuk ka shumicën prej 94 votash për ta miratuar atë.

Baze: Nëse kryeministri është serioz në atë që tha, tani e vetmja gjë është që reforma të shkojë formalisht në Parlament dhe nëse deputetët e Parlamentit do të dëgjojnë thirrjen e zv/Presidentes së Parlamentit Evropian, Frederica Mogherini, e cili u bëri thirrje deputetëve për përgjegjësi personale në këtë proces. Ne mund të kemi surpriza, pra ata që unë i quaj heronjtë e Perëndimit në Parlament, në qoftë se do të jenë të tillë, të cilët do të jenë heronj për shumicën e shqiptarëve, por do të jenë tradhtarë dhe të shitur për Berishën dhe Bashën.

E ndërsa Mero Baze e mban frymën në analizën e tij tek shpresa që deputetë rebelë të opozitës mund të bashkojnë votat me shumicën për draftin e reformën në drejtësi qe do vije nga komisioni i posaçëm parlamentar dhe qe nuk ka ke mbështetjen e krejt trupës opozitare, Armand Shkullaku dhe Afrim Krasniqi kanë një tjetër këndvështrim.

Krasniqi: Unë pres që tryeza të vazhdojë në nivele të tjera, fillimisht në nivele ekspertësh dhe pastaj përsëri në tryezë në nivel lidershipi të dy liderëve kryesor dhe me praninë e faktorit ndërkombëtar.

Shkullaku: Kjo e Parlamentit është deri diku sikur t’i hedhës pak benzinë një zjarri, i cili është i ndezur por që deri tani nuk ka djegur asnjë nga palët. Pa diskutim, nëse do të ndodhë diçka e tillë, ashtu siç tha edhe PD-ja në mbledhjen e grupit, Partia Demokratike do të radikalizojë qëndrimin e saj, mund të shkohet në tensionim të situatës, deputetët e PD-së, pjesa ‘zyrtare’ do të djegë mandatet e tyre dhe faktikisht do të kemi një situatë që mund të votohet ose jo një reformë, do të kemi një konflikt politik.

E me gjithë deklaratat e shefit te qeverise për zgjedhje te parakohshme nëse dështon miratimi i paktës se drejtësie ne kuvend, ka serish dyshime serioze nëse do arrije shumica ne këto zgjedhje te fitoje numrin e mjaftueshëm prej 94 mandatesh për ta miratuar atë pas zgjedhjeve.

Analistët vërejnë në çdo kohë, se reforma në drejtësi ka pengesë vetë politikën dhe vete ata që ulen në tryezë.

Baze: Kur Partia Demokratike pa se çështja ishte serioze dhe reforma do të shkonte në Parlament, atëherë ajo nxori pretendim pas pretendimi  të cilat nuk kanë të bëjnë me draftin, por me thelbin e reformës. Pretendimi i parë ishte kërkesa për 2/3-t. Për këtë përgjigje u dorëzua dhe shumica e pranoi. Pastaj janë vendet e rezervuara. Janë çështje jashtë draftin dhe e zhbëjnë reformën, e kthejnë aty ku ka qenë.

Shkullaku: Nëse do të kishte vullnet të mirë, gjërat do të ishin shtyrë shumë kohë përpara. Për mua, mungon vullneti dhe gjithë pjesa tjetër është një dekor, skenar, për t’u treguar njerëzve se shiko: ne po përpiqemi, por s’po na lë ai tjetri.

Krasniqi: Nëse reforma do miratohej, të parët njerëz që do të përballeshin me drejtësinë do të ishin vetë politikanët dhe disa prej anëtarëve që u ndodhën në tryezë.

SHKARKO APP