Dështimi i Valdrin Pjetrit është një (tjetër) dështim i partitokracisë
Nga:
Hyjnë në politikë nga dera e pasme, çatia, gardhi apo bodrumi, e veçse kur i sheh të krekosen në rreshtin e parë pa u mbushur viti. Parashutohen në jetën politike e institucionale vetëm për shkak të trafikut të interesave, tarafeve, njohjeve e izmave gjithfarësh dhe bëjnë karriera të rrufeshme që të lenë me gojë hapur. Një rast i tillë u zbulua se është edhe ai i Valdrin Pjetrit, kreut ende të pabetuar të Bashkisë së Shkodrës, i cili si një dyzinë krerësh të tjerë lokalë, deputetë e zyrtarë gjithfarësh pak kohë më parë, ka rënë në grackën e ligjit të dekriminalizimit. Ndodhemi sërish para faktit të shëmtuar, që një person për shumëkënd krejt i panjohur, kap titujt e mediave kombëtare jo për punët e mira që bën sot, po për aventurat e shëmtuara që ka lënë pas, dhjetë apo njëzet vjet të shkuara në emigracion.
Fati personal i Valdrin Pjetrit ka shumë pak rëndësi në këtë mes. Është një emër më tepër në listën tashmë jo të shkurtër të politikanëve që kanë tentuar të fyejnë inteligjencën e zgjedhësve, shefave të tyre politikë dhe të të gjithë shqiptarëve, duke kërkuar të hiqen ata që s’janë. Pas kaq e kaq viktimave që ka lënë pas ligji në fjalë, të pretendosh të marrësh bashkinë e dytë në vend pasi akuzohesh se ke pranuar dënimin për trafik narkotikësh në Itali, është kryekëput një “marri”, siç thonë në Shkodër.
Por siç thamë, fati i Pjetrit tashmë është drejt harresës. Emra të tillë shkojnë e vijnë pa lënë gjurmë në kujtesën kolektive. Fenomeni që shqetëson dhe shokon këto orë, është ai i lehtësisë me të cilën vijojnë të penetrojnë emra dhe fytyra të “pakontrolluara” në kokat e listave elektorale, por edhe në forumet drejtuese e instancat politike qëndrore apo lokale. U bënë vite e vite që procesi i rekrutimit dhe promovimit të lidershipit politik, i cili më tej shndërrohet edhe në lidership institucional, ndodh në rrethana më së paku të dyshimta. Sa herë afrohen zgjedhjet për shembull, ndodh rituali i shëmtuar i hermetizimit të listave, të cilat kalojnë pragun e KQZ vetëm pak minuta para se të mbarojë afati kushtetues i paraqitjes së kandidatëve. Dhe që kanë marrë formën dhe përmbajtjen që ka preferuar kryetari, duke konsultuar në rastin më të mirë vetëm formalisht dhe në mënyrë të fiktive institucionet e partisë, bazën, krerët e niveleve të ndryshme etjetj.
Në anë tjetër, asnjëra nga partitë nuk procedon me garë të brendshme për postet politike, vendet në forumet e larta drejtuese apo kandidatët për parlamentin, pushtetin vendor etj. Aktualisht për presidentin e SHBA po konkurojnë vetëm brenda Partisë Demokrate 27 kandidatë, të cilët garojnë ashpër dhe në mënyrë transparente. Asgjë sadopak të ngjashme s’kemi parë këto vite brenda partive shqiptare, ku forumet partiake kanë ardhur duke u mpakur, zbehur dhe relativizuar, për shkak të mbipushtetit që kanë marrë kryetarët.
Është diçka shumë e mirë që Edi Rama reagoi shpejt dhe qartë ndaj rastit Pjetri. Por është momenti që kryeministri dhe kryetari i PS të rikujtojë me veten e tij faktin që ky person, që sot është njeriu më i braktisur në Shqipëri, ka qenë funksionar i lartë në qeveritë shqiptare, në kohën e Berishës (që bën sikur s’e njeh) dhe të Ramës, por ka qenë edhe prefekt i Shkodrës. Pra, ka shkelur në shumë zyra dhe ka mbajtur shumë spaleta, disa prej të cilave i janë vënë me dorën e vetë kryeministrit aktual.
Është rasti që Rama dhe bashkë me të edhe krerët e tjerë të partive kryesore në Shqipëri, të kuptojnë se relativizimi dhe përçudnimi i procedurave institucionale brenda partive politike, mbytja e mendimeve ndryshe brenda forcave politike, i vetingut të brendshëm, matjes reale të kontributeve, përvojës dhe filtrave të natyrshëm përmes të cilëve duhet të kalojë një politikan apo drejtues i shtetit, janë kushti primar që të evitohen skena të pakëndshme si kjo me kryetarin e bashkisë së Shkodrës.
Valdrin Pjetri nuk shënon vetëm dështimin e një rasti unik që PS të drejtonte një bashki si Shkodra. Ai shënon më së pari rënien e zhurmshme të rradhës, të kinse-demokracisë partiake në Shqipëri. Një dështim therës për ata që kujtojnë se mund të bësh stan me lepujt që vijnë nga hiçi, e shkojnë drejt hiçit…
/Javanews/