Destinacioni i kësaj vere është shtëpia jonë
Nga Rudina Xhunga
Tani që reforma në drejtësi kaloi, ajo çfarë ka më shumë nevoje Shqipëria që të ndodhë, më pas, është një reformë tjetër. Ajo për turizmin. Nëse ka drejtësi në Shqipëri, kjo do të sillte zhvillim, por reforma në turizëm do të prodhonte edhe më shumë, zhvillim dhe mirëqënie.
Mundësia e vetme e Shqipërisë për industri, është industria e turizmit dhe për bujqësinë, agrikultura. Mjafton të shohësh Malin e Zi, Greqinë dhe bindesh se nuk kemi asgjë më pak, përkundrazi nëse e reformojmë sektorin, mund të jemi konkurrues në rajon dhe të bëhemi destinacion nga më të preferuarit. Shqipëria ka gjithçka mund të dëshirojë një tokë të ketë, ka potencial dhe treg. Sikur vetëm shqiptarë nga trojet të kemi turistë, ne ia dalim të mëkëmbim një mundësi të artë zhvillimi si turizmi.
Nuk di nga ta nis e ku ta mbyll, duke thënë çfarë mund të bëjë shteti, ndaj nuk po jap mend. Por besoj se e para është fjala.
Ajo që mund bënin rrjetet sociale dhe personat me ndikim në to, këtë verë është tregimi i kësaj parajse vend e pëllëmbë, pa komplekse se të pushosh në Shqipëri do të thotë se nuk ke para dhe të vesh në Turqi, je “in”. Në fakt të jesh person publik dhe të ndash me ndjekësit në instagram foto pushimesh, ka më shumë mundësi të kesh hotelin falas nga agjencia. Pasi pak shanse ka të kesh shkuar në Turqi, se janë ulur cmimet, apo se nuk ke frikë nga situata që sapo ka ndodhur në këtë vend. Agjencitë bëjnë punën e vet dhe nuk di nëse Ministria e Turizmit mund të kërkonte prej tyre, në mënyrë të kujdesshme të bënin më shumë kujdes me ofertat e këtij sezoni me gjendje të jashtëzakonshme në Turqi, pasi ky është treg i lirë dhe çdokush merr përsipër vetë rreziqet, por Turqia, megjithatë, nuk ngjan të jetë destinacioni më i mire për shqiptarët , pavarësisht nga fotot e vipave shqiptare dhe ftesa e agjencive turistike.
Destinacioni i kësaj vere të paqarte, plot lajme, është shtëpia jote. Jo për frike, por për siguri, jo për patriotizëm, por për dashuri.
Shqiptarët e Kosovës e dinë më mirë se ne, se destinacioni i kësaj vere është Shqipëria, me Valbonën dhe Thethin, Sarandën dhe Vloren, Korçen dhe Shëngjinin, Divjakën dhe Gjirokastrën, Ersekën dhe Tushemishtin. Nuk është gati sic do të donim, diku ende punohet, diku shkatërrohet, diku është shtrenjte, diku është pis, por do e gjesh një vend, një dhomë, një çadër, një tryezë që do të të bëjë vend e që do të të lërë pa mend. Unë që shkruaj, e kam shëtitur të gjithën këtë verë, nga Tropoja në Rehovë. Sonte në Dritare, në Vizion Plus, do të tregoj për një fshat që nuk duhet humbur pa e parë, një ushqim që nuk duhet lënë pa ngrënë, një plazh ku nuk duhet lënë pa shkuar. Këte do të bëj edhe të hënen tjetër, një tjetër destinacion si Semani që për kë nuk e njeh kujton se është kanal, ndaj duan ta kthejne në grumbullim plehrash atë zonë. Por jo, është det dhe rërë, është ushqim dhe mundësi zhvillimi i Myzeqesë, hambarit të Shqipërisë. Në shtator, do të tregoj sërish për një tjetër fshat, si përallë vjeshte. E kam parë, ndaj e di dhe e them pa drojë, që Shqipëria këtë verë është më e bukur dhe do të jete më plot. Aq plot sa do të habiteni kur të dëgjoni sa erdhen e sa dolën në këtë vend që e ka kuptuar se nuk bën dot pa ndryshuar, pa u përmiresuar, pa rregulluar infrastrukturen dhe detajet, për të sjellë mot nje Shqipëri vere nga ato, që propozohen si destinacion i rëndësishëm.
Dhe kjo sepse secili operator turizimi, familjar apo jo, po e bën reformën e vet. Ajo që pritet është reforma e përbashkët e shtetit me shqiptarët, për turizmin e viteve që vijnë. MAPO