Dhjetë xhalot e aferës së ÇEZ që të fyejnë inteligjencën
Nga Mero Baze
Për shumë qytetarë shqiptarë sot është më e paqartë se kurrë se për çfarë po flitet rreth aferës së ÇEZ-it, pasi aktorët që po mbajnë të hapur këtë çështje po investohen tek fakte qesharake, të cilat më shumë u japin të drejtë të akuzuarëve se atyre që akuzojnë.
Në gjithë këtë histori, prej fillimit ka disa xhalo të prodhuara vetëm për të krijuar idenë se ka fakte.
Xhalua e parë ishte dëshmia që Kastriot Ismailaj, pronar i një prej shtatë kompanive seksere që kanë mbledhur borxhet e ÇEZ, kishte lidhje me Ilir Metën, pasi ky i fundit ia kishte rekomanduar atë çekëve. Dëshmia e drejtorit të ÇEZ, provonte se ambasadori Tepshi i kishte thënë atij se Ismailaj ishte njeri i Metës dhe Berishës. E gjithë kjo është e vërtetë, por nuk do të thotë asgjë. Është e qartë se Ismailaj e kishte përdorur pushtetin e Tiranës për ta fituar atë kontratë. Njëlloj si Ismaliaj e kanë fituar dhe gjashtë të tjerë, madje nga ata që kanë mbledhur borxhe të kompanive shtetërore, që përbën krim më vete.
Xhalua e dytë ishte fakti që ÇEZ ka paguar 1.5 milionë euro për të ulur çmimin e energjisë elektrike që blente nga KESH. Uljen e çmimit e ka rekomanduar me shkresë, me firmë dhe vulë Ridvan Bode. Nga ulja e çmimit shteti humbi 30 milionë dollarë. Me këtë çështje nuk u mor askush, edhe pse është e vetmja vjedhje që ÇEZ i ka bërë qytetarëve shqiptarë. Rasti i 7 kompanive seksere është vjedhje që pushtetarët i kanë bërë ÇEZ-it si kompani private, ose si të thuash nderi që ÇEZ u ka bërë politikanëve shqiptarë në pushtet për të ulur çmimin e energjisë. Vjedhja që u është bërë qytetarve është ulja e çmimit të energjisë. Sot del Ridvan Bode, pa iu dridhur qerpiku dhe akuzon këtë qeveri që s’ka lidhje fare me këtë aferë që po fsheh dokumente të Bankës Botërore, që i japin të drejtë Bodes të ulë çmimin. Me fjalë të tjera Bode do të thotë, se unë vërtetë e kam ulur çmimin dhe kemi humbur 30 milionë dollarë, por këtë e kemi pasur kusht qysh në shitje të kompanisë dhe kishte vënë garanci banka. Atëherë meqë shitjen e ka bërë po Bode me Berishën dhe meqë paskan vënë kushte të tilla, janë dyfish fajtor dhe përgjegjës për këtë vjedhje.
Xhalua e tretë është ky tipi që ka qenë Drejtor Ekzekutiv i DIA-së së Kastriot Ismailajt. Ky ka bërë gjithë operacionet e mbledhjes së borxhit nga DIA si Drejtor Ekzekutiv dhe ka pasur dhe një kompani të vetën private në emër të gruas për mbledhje borxhi. Tani ky tipi, bashkë me gruan e tij kanë probleme me drejtësinë në Tiranë, pasi janë në gjyq nga Prokuroria për fshehje tatimesh dhe skemë mashtruese me TVSH-në. Në vend, që ndaj tij të ketë një gjyq publik, ka një adhurim publik si njeri që po të flasë do thotë të vërtetat e mëdha. Të vërtetë më të madhe, që ky është pronar i një kompanie që ka rrjepur lekët tona dhe që është në gjyq për tu futur 7 vite burg nuk ka dhe çdo dëshmi e tij vlen vetëm për ta na kthyer lekët që na ka vjedhur, jo për tu bërë hero i frikësuar nga një fantazëm që është ndërkohë në burg.
Xhalua e katër është kjo video bomb që do jepej për kërcënimin. Ajo, përveçse bënte qesharak të frikësuarin ishte një dëshmi, që ndaj tij nuk ka asnjë kërcënim, pasi është thjesht një mitoman paranojak që mund të qetësohet nëse çohet në qeli si hajdut.
Madje në krahasim me këtë, video e Durim Bamit, që dukej se kishte të njëjtin regjisor ishte shumë më e mirë se heshtja ndaj 6 kompanive të tjera seksere në këtë histori. Gazeta TemA do t’i zbardhë me radhë të gjashta duke shpjeguar dhe lidhjet politike aq sa janë dhe duke zbardhur bilancet e tyre, pas së cilave mund të dalin plot histori të tjera, por në opinion publik flitet sikur gjashtë kompanitë e tjera që kanë vjedhur janë të mira dhe e meritojnë se janë të Breçanëve dhe Frangajve, kurse një prej tyre e meritonte dikur, po nuk e meriton tani se ashtu është një punë.
Xhalua e shtatë është se askush nuk shpjegon lidhjet e drejtuesit çek të ÇEZ-it me familjen Berisha. Mjafton të kujtojmë se ai kishte me qera 5 mijë euro në muaj apartamentin e Argita Berishës tek ETC, për të kuptuar se kush e komandonte ÇEZ dhe kush vidhte bashkë me çekët.
Xhalua e tetë është se në Shqipëri ka një hetim ndaj Kastriot Ismailaj dhe ai është në burg, por për këtë nuk flet askush. Pra nëse bëhet fjalë që ky njeri ka pasur problem, drejtësia jonë e ka arrestuar, e ka në burg dhe po e gjykon.Për Kastriot Ismailajn flitet sikur nuk është më gjallë e sikur nuk kemi çfarë t’i bëjmë, ndërsa për gjashtë të tjerët nuk flet askush.
Xhalua e nëntë është se tek lista e gjykatës së Tiranës ku është akuzuar gruaja e Elvis Metës për skema mashtruese janë dhe disa persona të firmave të tjera seksere të ÇEZ, që dëshmon se ata përveçse kanë vjedhur, kanë fshehur dhe të ardhurat duke i futur parat në xhep.
Xhalua e dhjetë dhe kryexhalo është që Sali Berisha ka pasur këshilltar të tij në cështjen e CEZ, Endrit Mataj, i cili është thjesht vëllai i Elvis Mataj që bën sikur është trembur në një klub të Tiranës. Duke qenë se vëllai i Elvis Metaj ishte këshhiltar për teknologjinë dhe telekomunikacionin, ai ka mbuluar direkt privatizimin e CEZ dhe kjo shpjegon arsyen përse Kastriot Ismaili punësoi si Drejtor Egzekutiv vëllain e tij, Elvis Mataj. Tani Berisha para se të bëj video nëpër klube, më mirë të na jap videot e zyrave të tij se cfarë pazare ka bërë vëllai i Mataj, që ishte këshilltari i tij, në këtë histori. Gjurmët e këtij pazari, bile edhe Ismailajt, të cojnë në zyrën e tij. Aty ku ishte pushteti.
TEMA