Dilema e Bashës, Odise me votë apo Akil me shpatë
Negociatat tashmë ngjajnë të pamundura dhe i vetmi shans për t’i ringjallur ato, është një udhëtim mes Shilës dhe Karibdës së 13 majit. Protesta e thirrur e opozitës dhe dyshimet reale se ajo ditë do të jetë e egër, në mënyrë paradoksale mund të afrojnë një shans të ri. Nëse protesta do të jetë e madhe…
Nga Lorenc Vangjeli
Fotografia e Isa Mustafës, kryeministrit të Republikës së Kosovës, menjëherë mbas mocionit të mosbesimit ndaj tij, ka bërë një xhiro të pabesueshme në botën e internetit. Zoti Mustafa shihte nga dera gjysëm e hapur e sallës së Kuvendit të Kosovës, e cila nga e mërkura në drekë, u mbyll mbas shpatullave të tij në ikje. Ky është akti që do ta çojë Republikën e Kosovës në zgjedhje të parakohshme. Sipas ligjit, zgjedhjet duhet të mbahen nga një muaj deri në një muaj e gjysëm mbas rënies së qeverisë, domethënë minimalisht deri në javën e dytë të qershorit. Isa Mustafa e pati të pamundur të bënte diçka për të shmangur këtë frakturim të parakohshëm të mandatit të tij; papritur për shumë e shumë arsye që në Prishtinë i kuptojnë shumë më mirë se në Tiranë, ai u gjend mes Shilës dhe Karibdës, votave të opozitës dhe një pjese të pozitës, të cilat e larguan.
Që prej katër vjetësh, kur hynte për herë të parë në derën e sallës së Kuvendit të Shqipërisë, Edi Rama e dinte se afati maksimal i qëndrimit të tij në detyrë do të ishte diku nga muaji qershor i këtij viti. Në të gjitha rrethanat dhe në të gjitha rastet, Rama ishte i qartë se sido që të shkonin punët, ai nuk do të kishte asnjë mundësi që të shmangte takimin e çdo katër vjetshëm me qytetarët.
Si në Tiranë, si në Prishtinë, me përjashtim të zgjdhjeve të parakohshme, ky është cikli që demokracia i jep zakonisht një mandati qeverisës, kudo ku vota përcakton se ku dhe kujt do t’i jepet me qera pushteti i publikut.
Debati në Tiranë për largimin e kryeministrit pëpara zgjedhjeve që të garantohet liria dhe ndershmëria e zgjedhjeve, është në kulmet e tij, por në të gjitha rastet u konsumua vetëm me fjalë.
Ai ka qenë vetëm debat dhe asnjëherë nuk ka qenë akt.
Ka qenë dëshirë dhe jo veprim.
Ka qenë qëllim final dhe jo mjet i përkohshëm.
Ishte një ëndërr e opozitës e ndjekur me ankth, por asnjëherë një hap për t’u shndërruar në realitet.
Shqipëria po shkon drejt 18 qershorit më e paqartë se kurrë. Jo vetëm për atë që do të ndodhë në 18 qershor, por kryesisht për atë që pritet të ndodhë më pas. Ligjërisht, pothuaj nuk ka asnjë mundësi për ta shmangur këtë takim të politikës me votuesin. Përsëritja e rastit të Kavajës në të gjithë Shqipërinë kërkon shumë më shumë sesa vullneti i mirë i kryeministrit dhe dyshimet e këqia.
Negociatat tashmë ngjajnë të pamundura dhe i vetmi shans për t’i ringjallur ato, është një udhëtim mes Shilës dhe Karibdës së 13 majit. Protesta e thirrur e opozitës dhe dyshimet reale se ajo ditë do të jetë e egër, në mënyrë paradoksale mund të afrojnë një shans të ri. Nëse protesta do të jetë e madhe (është e vështirë të përcaktohet se çfarë do të thotë në këtë rast fjala “e madhe”) dhe nëse ajo do të jetë e shtrirë në kohë, do të shërbente si një trokitje e fortë në derën e qeverisë. Po të jetë e qetë dhe paqësore, protesta me gjasë do ta hapë derën e qeverisë, me kusht që Lulzim Basha të jetë më pak mur gome kur të hyjë brenda. Në të kundërt, nëse verifikohet frika e madhe se “partitë politike do të menaxhohen nga protestuesit”, pra, nëse gjithçka degjeneron në dhunë dhe dera e kryeministrisë hapet me forcë, atëherë do të ketë me të gjitha gjasat një negociatë. Një negociatë, e cila nuk dihet sesi do të përfundojë, por që pa nisur, do të njihte për humbës me siguri të gjithë shqiptarët.
Shqipëria ka shumë urgjenca, por urgjenca themelore e saj është ruajtja me çdo kush dhe çdo çmim i qetësisë, shmangia e dhunës dhe largimi nga militarizimi ekstrem i klimës politike në vend. Pavarësisht se ky është akti më i vështirë i mundshëm, Lulzim Basha duhet të bëhet Odisea që mundi të lundrojë mes Shilës dhe Karibdës së vet në antikitet. Ja vlen që ai ta provojë një gjë të tillë. Basha duhet të shmangë me çdo kusht që të dëgjojë zërat që e thërrasin herë nga bindja, herë nga padija, herë nga servlizmi e herë nga kotësia me emrin e Akilit, luftëtarit që vriste si pakkush armiqtë e tij, por që e kishte të parashkruar se do të përfundonte dhe ai dëshmor. Kryetari i PD-së ka rëndesën e zgjedhjes së dilemës: Odise me votë apo Akil me shpatë.
Bota moderne e lexon, por nuk e pranon këtë mit. Demokracia i hap dhe i mbyll dyert vetëm nëpërmjet votës. Ashtu siç ndodhi në Kosovë me Isa Mustafën, edhe në Tiranë me Edi Ramën, nuk ka rrugë tjetër për të komunikuar përveç votës. Në të kundërt, shumë dyer do të mbyllen në Tiranë dhe kriza që nuk gjeti zgjidhje nga politika, do të rikthehet që të zgjidhë ajo vetë hesapet me politikën. Dhe atëherë pendesa nuk do të vlejë as për të qarë të shkuarën dhe mëkatarëve nuk do t’u ketë vlerë as luksi i pendesës. (Javanews.al)