Dilema në zgjedhje, druri apo truri
Mirë do të ishte që të kishte një reformë të reformës për reformat. Nëse një akt i tillë do të gjente konsuensus në politikë, atëherë ky do të ishte ndoshta një hap i parë për të dalë nga kafazi ku vrapohet çift brenda një rrote. Që edhe pse vërtitet e ndryshon, është sërish e njëjta gjë…
Nga Lorenc Vangjeli
Nëse do të bëhet një kërkim për fjalën më të përdorur në ligjërimin shqip, fjala jo në shqip “reformë” me shumë gjasa do të zerë vendin e parë. Menjëherë mbas përmbysjes së sistemit komunist, kur u bë e qartë për këdo se Shqipëria nuk ishte qendra e botës siç thuhej nën ritme daullesh propagande, por një periferi e mjerë dhe e varfër e saj, u bë e qartë se do të duhej të reformohej gjithçka. Që nga individi i deformuar e deri tek mënyra e jetesës, e sjelljes së tij në shoqëri dhe marrëdhënies së pjesës me të tërën dhe anasjelltas. Ishte nevojë urgjente për të reformuar gjithçka që nga morali e deri tek korpusi ligjor që kodifikonte sjelljet dhe i ndante në të moralshme apo jo të tilla. Një shembull: komunistët e kishin të ndaluar me kushtetutë marrjen e kredive. Sot vetëm halli dhe FMNja e kane ndaluar ngritjen e mëtejshme të nivelit të borxhit. Apo shembulli tjetër për izolimin total të djeshëm që dikur quhej sovranitet dhe sot është nevoja ulëritëse për integrim në botën euroatlantike.
Nuk do shumë kujtesë për të zbuluar se një nga dështimet më të dhembshme të vendit, prodhuar nga shumica të djathta e të majta në më shumë se 25 vjet pluralizëm ka qenë pikërisht reforma e korpusit ligjor. Politikanët dhe juristët, simbioza klasike mes dy pushteteve të parë e të dytë me pushtetin e tretë, janë çifti që kanë vrapuar vazhdimisht si kaviet brenda rrotës të mbyllur në kafaz. Një çift që ka vrapuar pa prehje për të sjellë pothuaj gjithçka e gjithçka në pothuaj në të njëjtën pikë: nevojën për të filluar reformën e radhës. Ndodhi një gjë e tillë që me dispozitat kryesore kushtetuese që zëvendësuan dokumentin arkaik komunist të 1976ës, me tentativën e parë personale kushtetuese të 1994ës, por dhe me kushtetutën e miratuar me referendum të 1998ës. Duke u nisur nga kjo e fundit, ndërhyrjet në të, ndryshimet e rishkrimet e saj, praktikisht kanë prodhuar një kushtetutë të re, nga e cila preken pothuaj të gjitha institucionet e tjera kushtetuese në vend.
Preken dhe krijohen raporte të reja mes tyre dhe një raport i ri mes kontrollit dhe balancës që kushtëzon bashkëjetesën e këtyre institucioneve. Por këtu ka një problem. Çfarë sot mund të ngjajë dhe është propaganduar fort si një hap final, i fundëm dhe shterues, nëse merret një krahasim me traditën e reformave në Shqipëri, nesër me gjasë mund të jetë një hap i radhës në serinë e pafundme të reformave që janë bërë në vend. E para sepse një gjë e tillë është e logjikshme dhe asnjë sistem ligjesh nuk është i përhershëm dhe e dyta, sepse është jo thjesht “mania” e politikës shqiptare për të rifilluar gjithçka nga e para: për të gjetur në një mënyrë apo në një tjetër, pikërisht aty një shkak dhe shkas që justifikon vetveten. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, nevoja e dëshpëruar për t’i parë reformat jo si një mjet për të realizuar qëllimin, por si një qëllim në vetvete. Në rastin konkret jo për të gjetur mundësinë më të mirë që qytetari të marrë nga gjykatësi të drejtën e tij për t’u shërbyer nga gjykatës, por që gjykatësi të marrë drurin e hurin nëse abuzon me të drejtën e tij për të dhënë drejtësi. Ky është shkopi që ka goditur më fort në daullen e propagandës. Kjo rrezikon dhe njëherë ose të paktën krijon mundësinë e pritshmërive të gabuara, për çfarë do të ndodhë nesër. Si zgjedhja e gabuar mes drurit – efekteve shtrënguese të ligjeve – dhe trurit – mundësisë së zbatimit të tyre real në praktikë. Duke nisur së pari nga ata që i shkruajnë dhe i miratojnë.
Për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm për tabunë e ditës, reformën në drejtësi, krahasimi mund të bëhet me reformën zgjedhore. Në çdo palë zgjedhjesh në Shqipëri, ka ndërhyrje të rëndësishme në ligjin zgjedhor. Atë që dikton rregullat dhe normat sesi do të përkthehet vota e shqiptarëve për t’u përkthyer në mandat për të qeverisur për një palë dhe në mandat për t’u qeverisur për palën tjetër. Çdo katër vjet ka njëreformë të tillë e cila për shkak të rëndësisë që ka në përcaktimin e ngjyrës së qeverisjes, menjëherë sapo “kolaudohet” në terren, kërkohet të ndryshohet nga pala që do të qeveriset. Përtej dallimeve dhe urrejtjestradicionale, ka megjithatë një detaj që e bashkon në mënyrë të plotë nën shenjën e konsensusit të majtën e tëdjathtën në Shqipëri. Dhe ajo është pakënaqësia me prehjen të cilën si rregull e prishin reformat. Mirë do të ishte që të kishte një reformë të reformës për reformat. Nëse një akt i tillë do të gjente konsuensus në politikë, atëherë ky do të ishte ndoshta një hap i parë për të dalë nga kafazi ku vrapohet çift brenda një rrote. Që edhe pse vërtitet e ndryshon, është sërish e njëjta gjë. Të paktën deri tani ka qenë kështu. Edhe pse si rregull dhepër traditë, në këto vise druri zgjidhet përpara trurit. Java