Dimri 2017 po i vë notë jokaluese Reformës Territoriale

Më keq akoma, ndodh me Njësitë administrative (ish komunat), të cilat në përgjithësi vetëm sa e përcjellin shqetësimin në bashki dhe nuk dinë kurrë të zgjidhin situata të tilla, pothuaj në asnjë rast, duke deleguar dhe duke u përdorur politikisht, kur janë me përkatësi të krerëvë të tyre jo-socialiste.

Nga Ben Andoni

Reforma Territoriale e nisur me shumë intensitet nga maxhoranca socialiste dhe e miratuar në parlamentin shqiptar ka pasur pak mundësi për të përshfaqur realisht funksionimin e saj. Historia e saj me politikën shqiptare është e gjatë, por socialistëve duhet t’u njihet merita se ishin ata që e realizuan de facto. E nisur qysh në fillim të viteve 2000 ajo mbeti në mes edhe pse atëkohë dukej se e mbarte një konsensus të mirëfilltë politik. Palët ndaheshin për shumë gjëra, por debati më i madh dukej se shtrohej në dyshimin te përcaktimi, ligjërisht konfuz i qarkut, që prezupozonte një nivel qeverisje lokale por që kishte “kompetenca rajonale”. Ajo nuk përbënte vetëm dyshimin por edhe vijën e pakalueshme nga partitë, të cilat e rihapën debatin e stërkthyer të reformës territoriale në Shqipëri, që i shtoheshin tagri i kufijve kohë pas kohe konfliktualë midis bashkive dhe komunave.

Në fakt, shqetësimi ynë, nuk lidhet me konceptet e saj por me mungesën e funksionimit si duhet ende. Nëse para arritjes së dimrit 2017 reforma është përfolur për anomalitë e një sërë shërbimesh sociale, në orët që po flasim, një pjesë e madhe e qyteteve, fshatrave në vend janë pa ujë, janë pa drita, me shërbime sociale të munguara, me mungesë furnizimi etj., prej shkakut të një moti jashtëzakonisht të ftohtë. Me pak fjalë ajo që duhej bërë me kohë është neglizhuar turpërisht. Bashkitë në buxhetet e tyre sa i përket zërit buxhetor “fond për emergjenca civile” miratojnë vlera shumë të papërfillshme dhe ndaj ndodh që në raste të tilla janë krejt të pazonjat për t’u përballur me situata emergjence.

Më keq akoma, ndodh me Njësitë administrative (ish komunat), të cilat në përgjithësi vetëm sa e përcjellin shqetësimin në bashki dhe nuk dinë kurrë të zgjidhin situata të tilla, pothuaj në asnjë rast, duke deleguar dhe duke u përdorur politikisht, kur janë me përkatësi të krerëvë të tyre jo-socialiste.

Edhe pse nga qeveria qendrore është duke u punuar fort në bashkëpunim me Shtabin Emergjencave dhe një propagande sensibilizuese, duket se Shqipëria është e papërgatitur. Kjo pasi e humbet fillin vetëm me kapriçon më të vogël të motit. Një pjesë e kryetarëve të njësive vendore ende nuk e kanë konceptin e detyrave të tyre dhe që duhet të paraprijnë me masat e tyre. Kuptohet frustrimi i tyre i parë. Fuqizimi de jure i disa njësive të mëdha vendore dhe rajoneve është konsideruar si një lloj karshillëku nga klasa politike që në drejtimin e çdo maxhorance do të donte që të kishte një marrëdhënie sa më të varur të njësive vendore ndaj nivelit qendror. Realisht dhe politikisht, ndarja e territorit tregon një varësi të lartë nga buxheti qendror, që mund të përkthehet në faktin se varësia politike shtrihet në territor në mënyrë kapilare. Ndërkohë që ditët e fundit kanë kërkuar një fleksibilitet më të madh të pushtetit lokal por edhe kanë treguar një dobësi të madhe të pushtetit lokal dhe krejt mosfunksionimin si duhet të saj. Kësaj i shtohet edhe neglizhenca e vazhdueshme por edhe tradicionale e mjeteve dhe burimeve njerëzore lokale për mirëmbajtjen e zakonshme sidomos të rrugëve rurale, e këtu nuk përfshihen kohë-emergjencat, që lenë shumë për të dëshiruar sa i përket përballjes.

Duke u kthyer në idenë tonë: Pagëzimi i reformave bëhet në momente të tilla dhe duket se reforma ka nevojë të maturohet, por edhe të nxjerrë mësime, sidomos njerëzit që po e zbatojnë atë në terren. Dimri i vitit 2017, deri më tani, po i vë nota jokaluese Reformës Territoriale në kapilarët e saj. (Javanews)

SHKARKO APP