Diplomaci dhe futboll!

Nga Artan Fuga

Ndeshje futbolli midis liderëve shtetërorë të Ballkanit dhe disa zyrtarëve të dorës dytë dhe tretë të vendeve në BE?

Çfarë do të thotë kjo, që shefat politikë janë edhe futbollistë? Atëherë le të jenë edhe kirurgë, inxhinierë, agronomë, gjithçka.

Do të thotë se BE Ballkanin e konsideron si një të tërë, dhe i fut të gjitha shtetet në një thes…, ndjesë, në një skuadër ?

Se ç'm'u kujtua ndeshjet e kombëtares sonë me Kinën, por atëherë luanin futbollistë të telekomanduar nga tribuna qendrore!

Futbolli është një gjuhë e lehtë për t'u kuptuar dhe transmetuar mesazhe minimale kur gjuhë tjetër nuk funksionon. Ka nevojë për gjuhë joverbale që vihet në funksionim këmba në vend të gojës?

Ja fjalori minimal:

ence,

driblim,

goditje këndi,

goditje e lirë,

ofsajt,

penallti, karton i kuq, etj.

Më jep pesë goditje këndi, të jap tre gjuajtje të lira !

Traditat po ripërtërihen. Dikur në betejat e Mesjetës, kishte raste, kur ushtritë qëndronin mënjanë dhe ndesheshin ta zëmë gjelat e princërve kundërshtarë, ai gjel që fitonte merrte edhe fitoren ushtarake.

Po mbase nuk ka asgjë të çuditshme, ndofta edhe shtetarët e dikurshëm kur takoheshin pas bisedimeve i fusnin ndonjë dorë poker mbasdarke. Të sotmit luajnë futboll. Ndryshimi është se atëherë loja e pokerit ishte intime, çështje personale e tyre, dhe nuk bëhej publike, kurse sot dallimi midis privates dhe publikes po bëhet si top lecke.

Nuk merret vesh se ku mbaron puna dhe fillon qejfi.

Unë them ta venë me nga një shishe birrë fitoren, si futboll plazhi, se kështu pa emulacion nuk ka lezet.

A do ta transmetojë RTSH ndeshjen sepse ajo ka ekskluzivitetin e transmetimit të aktivitetit të eventeve sportive ndërkombëtare?

A keni pasur raste të tilla në historinë e Europës?

Është një lajm që flet për një ngjarje që ndan mijëvjeçarë, diplomacia para-futbollistike dhe diplomacia futbollistike.

Bota po ndryshon.

SHKARKO APP