“Diplomacia” korruptive e kanabisit

Nga Kastriot Islami

Fillimisht kjo është bërë e njohur si Diplomacia e Kavjarit, e aplikuar nga Azerbaxhani, për të kompromentuar zyrtarë të lartë të OSBE, OKB e tjerë… që ta paraqisnin të sheqerosur gjendjen e rëndë të të drejtave të njeriut dhe mungesën e shtetit ligjor në Azerbaxhan.

U desh një farë kohe që pasojat e kësaj diplomacie të shpërthenin, duke nxjerrë ne pah implikimet e shumë organizmave të rëndësishëm ndërkombëtare, vendeve të rëndësishme, liderëve të fuqishëm dhe zyrtarëve e ambasadorëve të vendeve kryesore të globit

Synimi dhe mjetet e diplomacisë së komprometimit

Synimi i kësaj diplomacie të aplikuar nga vende me demokraci-fasadë, si Shqipëria, është që përmes parave të pista dhe mjeteve korruptive të komprometojë zyrtarë shumë të lartë, punonjës në poste të rëndësishme, ambasadorë të organizmave kryesorë ndërkombëtarë të tilla si OSBE, Këshilli i Europës, Komisioni Europian, e tjerë, por edhe nga vende shumë të rëndësishme si Britania, Gjermania, Italia, Spanja, e tjerë.. për të maskuar sjelljet autoritare, korruptive dhe lidhjet me krimin e trafiqet, përmes raporteve e qëndrimeve të ‘sheqerosura’ për qeverisjet e tyre anti-demokratike, kundër shtetit ligjor, korruptive e kriminale….

Mjetet e përdorura janë paratë e pista të korrupsionit e të trafiqeve të drogës, kurthet me femra të bukura, joshjet me ministre e deputete-barbi, dhuratat e shtrenjta, ftesat e paguara majmërisht në aktivitete ndërkombëtare, pagesa qindra deri miliona dollarëshe për pjesëmarrje në bordet e naftës, minierave të arit e gurëve të çmuar, e tjerë e tjerë.

Në rrjetën e kësaj diplomacie rezultojnë figura të larta të vendeve kryesore të BE, deri dhe ish-kryeministra të njohur në hapësirën evropiane.

Diplomacia komprometuese shqiptare

Një formë alternative e kësaj diplomacie është Diplomacia e Kanabisit e aplikuar në Shqipëri, por ende e pa zbuluar me fakte e prova. Me siguri do të ketë në të ardhmen e afërt një raport për këtë çështje ku do të evidentohen me fakte e prova emrat e të gjithë zyrtarëve të lartë dhe ambasadorëve të gjendur në kurthin e saj.

Shqipëria me ardhjen e Ramës në krye të qeverisë në vitin 2013, filloi të ngrinte një ‘regjim’ oligarkik autoritar, të korruptuar, me lidhje të ngushta me individë me rekorde kriminale dhe trafikantë të drogës, armëve e të qenieve njerëzore. Kjo qeverisje ndër të tjera, që në fillim e qëllimisht do të ngrinte një sistem korruptiv për të kompromentuar ndërkombëtarët që do të kishin lidhje me Shqipërinë. Që do të hartonin raporte për Shqipërinë. Kryesorët do të ishin këshilltarë të mirëpaguar apo lobistë për të ngritur mekanizmin e maskimit/zbukurimit të qeverisjes oligarkike e të korruptuar. Që do të duhet të maskonin bëmat e kësaj qeverisjeje apo do të sheqerosnin mangësitë apo pamjaftueshmëritë e saj.

Kështu Rama ngriti mekanizmin adekuat dhe aplikoi Diplomacinë e Kanabisit, homologe të Diplomacisë së Kavjarit. Diplomacia e Kavjarit do të kishte të njëjtat synime, do të përdorte të njëjtat mjete dhe do të shënjestronte po ashtu zyrtarët e lartë të Organizmave Ndërkombëtarë, dhe të vendeve me peshë si dhe përfaqësues të tyre në Tiranë. Vetëm me një ndryshim të vogël, në vend të Kavjarit do të përdoreshin paratë e pista të fituara nga kultivimi i kanabisit, pa përjashtuar paratë e pista të korrupsionit e trafikut të drogave të forta.

Kështu përmes Diplomacisë së Kanabisit do të tentohej të komprometoheshin eurodeputetë të PE, zyrtarë të lartë të KE dhe përfaqësues të BE në Tiranë, si dhe ambasadorë të vendeve kryesore të akredituar në Tiranë. Për arritjen e këtyre synimeve do të përdorej arsenali i Diplomacisë së Kavjarit, dhurata të shtrenjta, seanca orgjish, privilegje për biznese, favorizime për blerje vilash apo banesash, pagesa parashë kesh, deri edhe hijeshitë e ministreve, zv/ministreve dhe deputeteve kukulla.

Fakte kokëforta nga diplomacia komprometuese shqiptare

Kjo lloj diplomacie e kryer në Shqipëri është kamufluar me ‘sukses’ deri më sot, ndonëse ka pasur zbulime të ndrojtura që kërkojnë hetim konsekuent e guxim për tu bërë publike. Qytetarët shqiptarë ndajnë masivisht opinionin (ende te pakonfirmuar) se për të fshehur realitetin në Shqipëri janë kryer veprime për të kompromentuar/joshur/bërë favore apo dhënë ryshfete edhe disa ambasadorëve të huaj në Tiranë, zyrtarëve të lartë në Bruksel e kryeqytete të tjera të rëndësishme të vendeve partnere.

Ekziston bindja e përgjithshme se përmes kësaj diplomacie:

i) është arritur të sigurohet heshtja e shumë prej përfaqësuesve apo nëpunësve që duhet të dërgonin raporte në Bruksel si edhe e zyrtarëve shumë të lartë a këshilltarë, që ndjekin zhvillimet në Shqipërisë apo janë hartues pranë mekanizmave ku formulohen vendime apo raporte për zhvillimet në Shqipëri;

ii) është siguruar heshtje vrastare për korrupsionin e qeverisë e të ministrave të qeverisë Rama;

iii) janë mbyllur sytë për lidhjet e qeverisë me individë me rekorde kriminale apo futjen e tyre në parlament, në krye të bashkive kryesore dhe në poste kyce të admnistratës;

iv) s’është thënë asnjë fjalë për kultivimin e kanabisit dhe trafiqet e drogave të forta; v) janë penguar deklarata publike për lidhjet e Ramës apo ministrave të tij të brendshëm me klanet mafioze dhe me trafikantët e drogës;

vi) është evidentuar mbështetje e heshtur për të gjithë emërimet në poste të rëndësishme të pinjollëve të diktaturës;

vii) janë prodhuar raportime të zbukuruara për arritjet mediokre të qeverisë ndërkohë që janë fshehur bëmat, zullumet e defektet e qeverisë Rama, jo vetëm për sa i përket qeverisjes por edhe tjetërsimit të rezultatit zgjedhor;

viii) janë nxirë veprimet e opozitës madje duke bërë propozime për njohjen zgjedhjeve edhe nëse Rama do ti kryente ato pa praninë e opozitës;

ix) është vënë re heshtje për të gjithë veprimet e Ramës për të vënë nën kontroll të plotë institucionet e drejtësisë. Për të provuar të gjitha këto ekziston një fakt kokëfortë: raportet e sheqerosura për Shqipërinë të hartuara në Bruksel janë ‘grisur’ mbi tre herë nga drejtuesit e lartë të Gjermanisë, Francës, Hollandës, Danimarkës e tjerë kur është diskutuar vendimi për hapjen e negociatave.

*Autori është ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë

SHKARKO APP