Diplomati Agim Nesho: Lulzim Basha dhe justifikimi i dështimit të politikës së jashtme nga Rama
Nga Agim Nesho –
Ka disa ditë me radhë që propaganda e mirëkontrolluar dhe dirigjuar nga Rilindja po pompon faktin që kreu i opozitës Shqiptare, Zoti Basha, gjatë ushtrimit të detyrës së tij në UNMIK (OKB) ka fshehur prova dhe ka njohur dosjen, dosje e cila sot ka shërbyer për të vënë në bankën e të akuzuarit udhëheqës të UCK. Akuzat e ngritura jo vetëm nuk kanë një bazë por janë sqaruar menjëherë nga personalitete politike që kanë drejtuar sektorin e drejtësisë në administratën transitore të UNMIK-ut në Kosovë. Vetë jam dëshmitar i ngjarjeve në New York ku diplomatë të njohur të SHBA-së dhe OKB vlerësonin ‘profesionalizmin dhe aftësitë e shkëlqyera të shqiptarëve që punonin në Kosovë pranë OKB-së’, me të vetmen ‘të metë’ që në ndonjë rast nuk e fshihnin patriotizmin e tyre dhe emocionet ndaj krimeve monstruoze të regjimit të Milosheviçit. Por pse sot sulmohet lideri i Opozitës Z. Basha, me akuza të pavërteta duke kujtuar faktin e veprimeve të UDB-së së Rankoviçit, që në filozofinë e tyre kishin si qëllim eliminimin e individëve sesa vërtetësinë e ngjarjes?
Gjyqi i Hagës, ku sot janë të akuzuar drejtuesit kryesore të UCK-së, është pjesë e një skenari të nacionalistëve serbë për të nxirë epopenë e lavdishme të popullit të Kosovës për çlirim nga gjenocidi serb dhe regjimi nazist i Slobodan Milosheviçit. Gjithë bota e qytetëruar u bashkua me kauzën e drejtë Shqiptare duke marrë pjesë në ndërhyrjen humanitare më të rëndësishme në historinë moderne për të ndaluar një holokaust të ri në zemër të Europës së qytetëruar. Për vite me radhë Serbia punoi për të treguar se të dy palët ishin njësoj fajtorë dhe konflikti që ndodhi në Kosovë ishte një konflikt lokal, midis dy etnive me axhenda të ndryshme nacionale, prandaj veprimi i perëndimit ishte i pajustifikueshëm dhe jo proporcional. Qëllimi: riparja e marrëveshjes me Kosovën, ku të dy palët të përfitonin nga një zgjidhje e re. Materialet e falsifikuara në Serbi për të akuzuar liderët e UÇK-së si dhe ngritja e akuzave monstruoze për shtëpinë e verdhë e detyruan komunitetin ndërkombëtar dhe klasën politike në Kosovë për të pranuar një gjykatë ‘ndërkombëtare’ për të pastruar veten dhe të mbronin qëllimin e madh të luftës së tyre.
Por ky nuk ishte skenari i vetëm i nacionalistëve serbë, i ish-qeveritarëve të regjimit të Milosheviçit. Nevoja për të prishur konsensusin e madh ndërkombëtar për Kosovën i shtyu ata drejt një projekti tjetër në Ballkanin Perëndimor me ndryshim kufijsh për të definuar një zgjidhje të re gjeo-politike ku serbët nuk ishin kundër shqiptarëve, por kundër Kosovës dhe zgjidhjes politike për të. Për fat të keq ky projekt u përkrah edhe nga liderët shqiptarë nga miopia e tyre politike, të dehur nga ide delirante për hapësira të reja shqiptare dhe konsoliduar pushtetin e tyre personal. Plani Serbo-Rus për Ballkanin Perëndimor u bë një plan i pëlqyer dhe u vetë-ofrua nga liderët ballkanikë për zgjidhje në Washington dhe Bruksel nëpërmjet një lobimi të fuqishëm. Ndalja e tij nga Samiti i Berlinit dhe përdorimi i tij për qëllime elektorale në Washington kundër kandidatit presidencial Biden tregoi se Republika e Kosovës i mbijetoi skenarit të ndarjes por jo axhendave delirante të liderëve ballkanikë.
Mini-Shengeni ose projekti i dominimit ekonomik të Serbisë dhe rritjes së influencës ruse në Ballkan vazhdonte me sukses. Ai u krijua si një iniciativë paralele për të kontestuar vendimin e Brukselit për mos-hapjen e negociatave, duke realizuar në fakt qëllimin e Beogradit për të anashkaluar Kosovën. Me pranimin e dy iniciativave të Presidentit Vuçiç politika e jashtme e qeverisë Rama tregoi dështimin e saj total ndaj agresivitetit serb dhe politikave të tyre anti-shqiptare. Aq e vërtetë është kjo sa dhe ditën e gjykimit të Presidentit Thaci në Hagë, takimi simbolik i mini-shengenit u zhvillua me sukses. Vuçiç e realizoi qëllimin e tij kundër Kosovës duke u shtirur të bëjë dashamirësin në marrëdhëniet me Shqipërinë. Ngjarjet e fundit në Kosovë nuk duhet të na pezmatojnë dhe të na përkulin sot. Shqiptarët duhet të bëhen bashkë me një konsensus të madh politik për të ndaluar ekspansionin e Beogradit. Figura të reja duhet të dalin në skenë, ata që me kurajo kanë paralajmëruar për këtë skenar, si Haradinaj, Kurti, Osmani, Hoxhaj, etj. në Kosovë dhe Presidenti Meta dhe lideri i Opozitës Basha në Shqipëri. Planeve serbomadhe të përkrahur nga deliranca e liderave shqiptarë duhet t’ju priten lidhjet. Sulmi ndaj Lulzim Bashës si kandidat i ri për kryeministër nga opozita Shqiptare është përpjekja e fundit e Vuçiç për të shpëtuar bashkëpunëtorët e tij në Ballkan. Shekulli i 21-të është shekulli i Shqiptarëve dhe rikthimi i tyre si fuqi rajonale nuk kalon nga bashkërendimi me Beogradin. Ardhja në pushtet e administratës Biden është një moment pozitiv, i cili duhet të shfrytëzohet nga shqiptarët për të rikthyer demokracinë, shtetin ligjor dhe për të ndaluar çdo projekt Serbo-Rus që do të pengojë integrimin e shpejtë të Shqipërisë dhe Kosovës drejt Perëndimit.
Lexoni edhe…
- Kush është shqetësimi kryesor: Basha me një kasetë apo Covid dhe varfëria e koncesionet në rritje?
- Paloka publikon videon që rrëzon mashtrimin e Ramës: Ia ke borxh Kosovës dhe shqiptarëve përgjigjen…
- Isa Mustafa: Akuzat ndaj Bashës dëmtojnë Kosovën dhe UÇK
- Basha, Ramës: Lëri trillimet! Ekonomia jonë është në kolaps
- Ish-deputeti i PS rrëzon akuzat e Ramës kundër Bashës
- Andi Bushati: Kaseta e Ramallanicës që shfaqi armiqtë e drejtësisë ndërkombëtare