Disa paqartësi rreth “Dosjes Frroku”

 

Nga Mero Baze

Komisioni i Mandateve do të mblidhet sërish të dielën pasdite për t’i hapur rrugë një kërkese të dytë të Prokurorisë për arrestimin e Mark Frrokut, deputetit kristiandemokrat, i cili tani gjendet përballë një telashi të vjetër.

Zhurma e ditës së sotme rreth këtij lajmi ishte aq e fortë, sa me lehtësinë që e karakterizon shtypin shqiptar, e bëri gjithçka rrëmujë. Në shtyp është folur për kërkesë nga Belgjika për ekstradim, kërkesë për arrestim, i shpallur në kërkim nga Interpoli, etj.

Nëse lexon shkresën e Prokurorisë shqiptare vëren se nuk kemi ndonjë kërkesë nga Belgjika, por një raport nga Ministra e Brendshme e Shqipërisë, përkatëisht nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana, me shkresën datë 27.03.2015 dhe nga Ministria e Drejtësisë, me shkresën datë 28.03.2015, në bazë të të cilit është regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Pra jemi para një procedimi penal që po e bën Prokruria Shqiptare, për shkak se ky person është shpallur me pullë të kuqe nga Interpoli. Në këtë rast Prokuroria shqiptare duhet të jetë e qartë në kërkesat e saj dhe po të qartë duhet të jenë dhe deputetët kur të marrin vendimin, pasi kjo çështje, është mbuluar me aq shumë zhurmë, sa nëse Gjykata e rrëzon, do të duket sikur i akuzuari është totalisht i pastër.

Së pari duhet të theksojmë se është procedim i palës shqiptare dhe jo ndonjë kërkesë nga Belgjika. Për aq sa unë pyeta burimet zyrtare, Belgjika edhe pse është vënë në kontakt me autoritetet shqiptare, ende nuk ka lëshuar një urdhër arresti apo kërkesë për ekstradim për të, pasi ende nuk ka përfunduar procesi gjyqësor. Ka përfunduar një shkallë e tij dhe është duke u apeluar vendimi.

Në këtë rast, kërkesa duhet të jetë e motivuar qartë nga ana ligjore, pasi dështimi i Prokrurisë në këtë rast do të jetë shumë më i rëndë sesa në rastin dëshmisë së rreme që kanë për filmin e prodhuar rreth atentatit. Tani Kuvendi i Shqipërisë është përballë standardit perëndimor të dekriminalizmit dhe nëse jepen gjithë autorizimet që kërkon Prokuroria dhe ajo e bazon këtë vetëm në një shkresë informuese nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë, mundet që çështja të rrëzohet në Gjykatë. Në këtë kakofoni arsyetimesh që ka dhe “në këtë klimë revolucionare për dekriminalizimin”, një dështim i tillë do të kushtonte shtrenjtë.

Nuk kam të drejtë ta paragjykoj Prokurorinë në këtë rast, por në kërkesën drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit, Prokurori i Përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit të Brukselit, ka ngritur akt-akuzën kundër shtetasit Mark Frroku (alias Besnik Morina), i akuzuar për “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Aleksandër Kurti, ngjarje e ndodhur në Bruksel, në datën 05.03.1999. Siç motivohet kërkesa është e paqartë se çdo bëj shteti shqiptar me Mark Frrokun pasi t’i jepet leja nga Kuvendi dhe pasi Gjykata e Lartë t’i japë të drejtë ose jo Kryeprokurorit. Do të ekstradohet? Ende nuk ka një kërkesë të tillë. Do të arrestohet për llogari të palës belge? Ende nuk ka nga ata një kërkesë të tillë! Do të mbahet në burg në Shqipëri derisa të mbarojë procesi në Bruksel? Këta skenarë duhet t’i ketë të qarta Prokuroria, pasi historitë e tjerrura sot në media kanë qenë më shumë kacafytje gjelash se informacione.

Parlamenti shqiptar, ngaqë është ende nën emocionet e vendimit të parë me siguri që nuk do të mendohet shumë, por nëse kjo kërkesë has probleme në Gjykatën e Lartë mund të ndodhemi para një akti juridik të pavlefshëm, i cili do të krijojë sërish debate pa bukë rreth kësaj çështje. Më e keqja do të jetë imazhi i Prokurorisë, e cila shpeshherë bën si radikale për të mbuluar dhe pastruar problemin dhe jo për ta hetuar atë. Ne kemi parë raste konkrete në Shqipëri sesi të dënuar shqiptarë në Perëndim, në formë të prerë deri në Strasburg, nuk janë ekstarduar duke u mbrojtur nga gjykatat shqiptare. Disa prej tyre madje dhe nën mbrojten direkte politike të Berishës. Ata kanë përdorur procedurat e shtetit tone, për t’iu shmangur ekstradimit, për procese të përfunduara. Në rastin konkret jemi para një procedure, e cila po zhvillohet paralel me gjyqin ndaj personit dhe në kushtet kur askush nuk ka një komunikim zyrtar me autoritetet tona për ta arrestuar dhe ekstraduar. E gjitha çfarë është, është një informim i Interpol Tiranës që ky person është në listën e të kërkuarëve dhe ky informacion i është përcjellë Prokurorisë. Prokuroria i ka duart e lira ta hetojë dhe të hapë procedurën e hetimit për këtë vrasje. Por përdorimi i Këshillit të Mandateve, me kaq shpejtësi dhe për një çështje, dështimi i së cilës na varrosë dhe në sytë e Brukselit, më duket guxim i tepruar. Unë uroj që Mark Frroku të jetë i pafajshëm në atë akuzë për vrasje, por ky gjyq para kohe në Tiranë kam frikë se do ta bëjë më të pafajshëm seç mund të jetë në të vërtetë, duke “vrapuar” në emër të medaljes “flamurtarë, për arritje të reja.”

Gazeta "Tema"

SHKARKO APP