Disa turpe të mitingut të Peshkopisë
Turpin, që nuk kërkoi falje për Shukriun socialist të rilindjes seksuale me goca të reja dhe hallexhesha, për një vend pune. Turpin, që përtoi të vishte diçka për të qenë për të nderuar fatkeqët dibranë, që mbushnin sheshin…
Nga Artur Zheji
Unë nuk e di se kush është më mirë për Peshkopinë, Sherefedini apo Muharremi. Dimë që Shukriu i Rilindjes, doli nga skena si Rilindje socialiste seksuale e dështuar! Por si i detyruar të shoh çfarëdolloj teatri dhe çfarëdolloj premiere që jep politika, si gazetar që jam, pashë edhe komedinë e mitingut socialist të Peshkopisë.
Termi “komedi” është fjalë me peshë, ne teorinë e dramës, sepse komedia është pamvarsisht të qeshurës, një mrekulli e mençur, kur është e arrirë. Në të vërtetë në mitingun e Peshkëpajës, ndoqëm një estradë nga ato premiera që dikur bënte Estrada e Ushtarit, në kohën e baballarëve.
Por të paktën 3 turpe mbetën të paharrueshme nga ky miting, që s’dihet se çdo prodhojë më 11 shtator, sepse 11 shtatori i Peshkopisë, do të luhet me përplasje bandash në terren dhe mitingu ishte dhe do mbetet një alibi politike. Por le të kthehemi te pjesa e dukshme e ajsbergut dhe te tre turpet e dukshme:
Turpin e parë e nënvizuan disa folës që më shumë se për Peshkopinë, për hallin apo hallet e saja, folën për kryeministrin në mënyrë pështirsisht servile. Të mendosh që janë të pasur dhe milionerë dhe kanë gjithësesi nevojë për tu lëpirë dhe jargavitur në publik për pushtetin, në atë farë feje. Ata qofshin! Me gjithë milionat e tyre që nuk vlejnë asnjë grosh dinjiteti.
Turpi i dytë, lidhej mungesën e kurajos për të thënë një gjë konkrete për Rrugën e Arbërit, që do të ishte zgjidhja e izolimit shumëvjeçar të krahinës së Dibrës. Do të mjaftonte vetëm një pjesë e koncesioneve 400 milion eurshe, të dhëna për shëndetësinë edhe më të sëmurë shqiptare, që kjo rrugë të hapte rrugën e zhvillimit të Dibrës.
Do të mjaftonte veçse një pjesë nga evazioni kolosal i Bankers Petroleum, që ka rrjedhur xhepave të pushtetit që kjo rrugë të bëhej. Do të mjaftonte një pjesë e vogël e gropës 500 milion dollarëshe të Armos dhe të paaftësisë apo diç tjetër të Gjiknurit, që Dibra të bëhej një land zviceran.
Guximi për të patur koordinator vetë Damianin e këtyre dështimeve, është një turp më vete. Turpi i tretë, lidhet me atë që kryeministri broçkulliti në fjalimin e vet të shpërqëndruar. Kur i kërcënoi në fund dibranët, se po të zgjidhnin dikë tjetër përveç Muharremit të partisë, vështirë do ta kishte Dibra për financime dhe projekte.
Turpin, që nuk kërkoi falje për Shukriun socialist të rilindjes seksuale me goca të reja dhe hallexhesha, për një vend pune. Turpin, që përtoi të vishte diçka për të qenë për të nderuar fatkeqët dibranë, që mbushnin sheshin.
Turpin, që lejoi të thuheshin për të, ato lavde pështirane, të porosituar dhe të klithura fort nga tenderaxhinjtë e partisë. Një paradhomë e frikshme kjo, për atë që kryeministri na fton të shohim nesër me shprehjen se: S’kemi parë gjë akoma! 360gradë.al