“Dita e Politikës”, e vërteta e vetme e 1 Prillit, ditës së gënjeshtrave

Foto e gjeneruar nga IA

Nga Albert Vataj

1 Prilli, me sa duket, e meriton që politika ta ketë një ditë kremte, jo si privilegj, por si njohje e një të vërtete që na lidh pazgjidhshmërisht me të, gënjeshtra. Sepse, nëse ka një zeje që politika e ka ushtruar me këmbëngulje, me përkushtim dhe me një lloj mjeshtërie që shpesh i kalon kufijtë e artit, ajo është pikërisht gënjeshtra, e nevojshme për t’u dëgjuar, e rafinuar për t’u kuptuar, e paketuar për t’u pranuar dhe e ricikluar për të mbijetuar.

Në kulturën pop, në etnosin populist dhe në atë laboratorin e përhershëm ku folklori përpunon me humor të hidhur të vërtetat që nuk i përballon dot seriozisht, është ngjizur prej kohësh ideja për ta shpallur 1 Prillin si “Ditën e Politikës”. Një propozim që nuk ka kaluar në ndonjë procedurë institucionale, nuk ka marrë vulë e as firmë, por që, si shumë të vërteta të tjera të pakonfirmuara, ka gjetur strehë në ndërgjegjen kolektive, aty ku ironia është më e besueshme se deklaratat zyrtare.

Swiss Digital Desktop Reklama

Vetë politika, me atë elegancën e saj të njohur për të mos marrë përgjegjësi, as nuk e ka refuzuar këtë “nder”, por as nuk është ndjerë e fyer. Një qëndrim tipik, të mos e mohosh, të mos e pranosh, por ta lësh të rrjedhë, si çdo narrativë që mund të rezultojë e dobishme. Në fillim, ky asociim ishte menduar si një fshikullim, një mënyrë e sofistikuar për të denoncuar raportin e shtrembër që politika ndërton me të vërtetën dhe me publikun. Një ironi që synonte ta vinte në siklet, ta zhveshte nga serioziteti i saj i simuluar.

Swiss Digital Mobile Reklama

Por politika, si ai ati babaxhan që ka parë shumë dhe nuk skuqet më nga asgjë, nuk u tregua as e ndjeshme, as reaktive. Përkundrazi, e përthithi këtë thumbim me një qetësi të admirueshme, ose me një indiferencë strategjike, duke e kthyer në pjesë të repertorit të saj. Bëri një vesh shurdh e një sy qorr, dhe e pranoi në heshtje 1 Prillin si një lloj feste profesionale, dita kur publiku lejohet të qeshë me gënjeshtrën, pa e kuptuar se është duke festuar përditshmërinë e saj.

Madje, me një bujari që rrallë e tregon në fusha të tjera, politika lejoi që media ta shndërronte këtë ditë në spektakël, ku shakaja dhe mashtrimi ndërrojnë maska, dhe qytetari ftohet të marrë pjesë në një lojë që i ngjan çuditërisht realitetit. Për një ditë të vetme, publiku bëhet bashkëautor i farsës, një përfshirje simbolike që i jep iluzionin e kontrollit mbi një mekanizëm që zakonisht e përjashton.

E megjithatë, ky “dakordësim” mbetet një ironi e madhe në vetvete. Sepse 1 Prilli, në origjinën e tij në Francën mesjetare, ishte një ditë e pafajshme, ku fëmijët sfidonin seriozitetin e të rriturve përmes rrengjeve të padëmshme. Ishte një hapësirë e vogël lirie, ku gënjeshtra nuk synonte të bindte, por të nxirrte një buzëqeshje; nuk kërkonte të sundonte, por të çlironte.

Ndërsa në duart e politikës, ose më saktë, në hijen e saj, kjo gënjeshtër humbet pafajësinë dhe fiton peshë. Ajo nuk është më lojë, por teknikë; nuk është më çlirim, por instrument. Dhe kështu, në një përmbysje të hollë, 1 Prilli nuk bëhet dita që e tall politikën, por dita që e pasqyron atë me një saktësi të pakëndshme dhe një të vërtetë të pamohueshme.

Në udhëkryqin ku kryqëzohet tragjedia e kompromisit me të papranueshmen dhe absurdi i normalizimit të së keqes, 1 Prilli qëndron si një pezullim i përkohshëm. Ai shërben si një shkarkesë ironike për një shoqëri që ka mësuar të bashkëjetojë me gënjeshtrën, duke e shndërruar mashtrimin nga një rreng të pafajshëm, në një mjet për të zbërthyer me humor të zi moralin tonë të përbashkët.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet të nxjerrë PD dhe Opozita emrin e kandidatit për Kryeministër, por të mos jetë Berisha?