Divorc

Nga Edison Ypi

Të dy me shkollë të lartë, të dy me smartfona, të dy me email me pasuord që nuk e zbërthen dot as CIA, u njohën gjatë ceremonisë së promuovimit të një libri të palexueshëm. Ai u mahnit pas saj nga mënyra se si ajo tundëte flokët. Ajo u magjeps pas "burrnisë" së tij. Ai i tha; “shum’ nice ky libri”. Ajo ja ktheu; “goxha cool ky autori”. Pasi u takuan disa herë dhe zbuluan binjakërinë e shpirtrave, vendosën të fejohen. Pas një viti u martuan. Ndër këngët që u kënduan në dasëm bëri përshtypje ajo që thotë; "Bukuria porsi selvi, na i mori n’qaf’ çunat e ri", dhe “Ristana” me atë vargun lotëndjellës; “S’pata pare me të majte”.
Në një moment gjatë vallzimit kameramani e mori dhëndërrin duke teshtitur. Dhëndërri i tha me ironi kameramanit; Pasi më morë duke teshtitur, më merr edhe duke pjerdhur. Një çakërrqef nxorri një kobure dhe u bë gati të çponte tavanin. Nja dy që ishin më esëll e ja hoqën nga duart koburen adhuruesit të traditës duke i thënë se kishte ngatërruar shekullin.
Dasma po shkonte për bukuri, kur në një moment u vunë re disa lëvizje nervoze të dhëndërrit i cili vej-e-vijke me një celular në dorë si i tërbuar. Me gjasa në ekranin e atij celulari duhej të kishte diçka, ndoshta foto tmerruese.
Dasma nisi t'i ngjante një zjarri shkarpash që shndrrohen me shpejtësi në hi.
Në fillim mbyturazi, pastaj me zë të plotë dasmorët nisën të pyesnin; ç‘ka ndodhur, ç‘po bën vaki ?! Shpejt u muar vesh se njohjen e beftë, shpirtrat binjakë, dashurinë e zjarrtë, fejesën e ëmbël, dasmën dhe martesën e shumpritur, të gjitha i kishte marrë lumi; Ai dhe ajo nuk do martoheshin, nuk do bëheshin burr’ e grua, nuk do pillnin bastarda.
Të gjithë pyesnin; Pse-pse-pse ?!
Disa të ftuar ja plasën të qarit me dënesa.
Vazhdoi ky hukubet me llafe, llomotitje, psherëtima, piskama brenda kësaj gjendjeje të mistershme ku dihej pasoja por jo shkaku, derisa doli një kunat i dhëndërrit dhe i dha drejtim muhabetit.
Kunati tha;
Na vjen keq që i braktisët tavolinat e të ngrënave duke i lënë ato të mjera si fushëbeteja luftrash të humbura. Një hata e tillë nuk mund të ndodhte me një dhëndërr aq trendy sa kunati im. Por gjithçka është e faktuar me një foto që u bë me celular nga një mik i dhëndërrit. Nuk mund të ketë dhëndërr shqiptar që për një cop foto të sakrifikojë dasmën dhe gruan. Por as nuk mund t'i mohohet dhëndërrit tipari kryesor i shqiptarit, vlimi i atypëratyshëm i gjakut për ca gjëra të cilat nëse cënohen shqiptari përfundon në çmendinë, në burg, ose në varr kur fjala është për gjëra që mund të përfundojnë edhe në Youtube, apo edhe më kuq, në Redtube. Në foton fatale që u bë sebep për këtë divorc është fiksuar momenti kur gjatë një vallëzimi rock nuses j'u dukën pak brekët.

SHKARKO APP