“Djali i lezetshëm” që mposhti Erdoganin

Nga Abbas Djavadi*

Në kulmin e një fushate të nxehtë parazgjedhore në Turqi, javën e kaluar, presidenti Recep Tayyip Erdogan është tallur me Selahattin Demirtasin, udhëheqësin e Partisë Popullore Demokratike, e cila konsiderohet si krah politik i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit. Erdogan e ka quajtur Demirtasin “djalë i lezetshëm”. Për 12 vjet, Erdogan ka fituar vazhdimisht zgjedhjet, falë angazhimit të tij për ekonominë dhe tregtinë. Madje edhe në provincat e banuara kryesisht me popullatë kurde, në lindje të Turqisë, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdoganit ka marrë më shumë vota se partitë kurde.

Por, pas 12 vjetësh, kjo parti nuk ka mundur të arrijë dy qëllime që ka vendosur presidenti. I pari ka qenë qëllimi i tij kryesor: të arrijë shumicën absolute prej 400 deputetësh, nga 550 sish, e nevojshme për të ndryshuar Kushtetutën e Turqisë, nga sistemi qeveritar në sistem presidencial. Në zgjedhjet e 7 qershorit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ka marrë vetëm 258 ulëse. Në këtë rezultat qëndron edhe dështimi i dytë: partia e Erdoganit nuk ka siguruar shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme. Turqia duhet të shkojë në qeveri koalicioni. Partia kryesore në opozitë, Partia Popullore Republikane, ka kaluar mirë në zgjedhje, por është larg të qenët shumë mirë. Dy parti të reja opozitare kanë arritur rezultatet më të mira: Partia e Lëvizjes Nacionaliste, e udhëhequr nga Devlet Bahceli, dhe partia pro­kurde, e udhëhequr nga ai “djali i lezetshëm”. Secila ka fituar nga 80 ulëse, duke fituar rol në demokracinë turke. Pra, qeveria e një partie tashti është jashtë diskutimeve, edhe pse Partia për Drejtësi dhe Zhvillim mbetet më e fuqishmja në Parlamentin turk. Është ende e paqartë se kush me kë do të formojë koalicion. Lideri nacionalist, Bahceli, ka përjashtuar tërthorazi interesat e partisë së tij për koalicion.

“Koalicioni i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim me Partinë Popullore Demokratike është zgjidhja më e natyrshme”, ka thënë ai. Demirtas, “djali i lezetshëm”, në koalicionin qeveritar të Turqisë?! Suksesit të partisë pro­kurde i ka kontribuar shumë udhëheqja e Demirtasit. Me udhëzimet e liderit të burgosur të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, Abdullah Ocalan, edhe kjo e fundit, edhe Partia Popullore Demokratike, gjatë vitit të kaluar, ose edhe më gjatë, nuk i kanë kufizuar adresimet e tyre vetëm për popullatën kurde të Turqisë. Sidomos në këto zgjedhje, Partia Popullore Demokratike ka bërë përpjekje të përfaqësojë interesat e kurdëve, turqve, sunitëve dhe alavitëve. Në anën tjetër, krahu ushtarak, klandestin, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e udhëhequr nga Ocalani, është pajtuar për armëpushim dhe ka hyrë në bisedime jodirekte me Qeverinë turke, për një plan të paqes dhe pajtimit midis turqve dhe kurdëve. Kjo mund t’iu japë fund 35 vjetëve të aksioneve ushtarake midis Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, të cilën Perëndimi vazhdon ta konsiderojë si organizatë terroriste, dhe ushtrisë turke. Mund të përfundojë dekadat e urrejtjes etnike dhe të largojë rrezikun që Partia e Punëtorëve të Kurdistanit të shpallë pavarësinë për disa pjesë të Turqisë, duke çuar në shpërbërje të vendit. Kjo po ashtu mund të paraqesë një alternativë të paqes dhe bashkëjetesës në një rajon të përfshirë nga urrejtja etnike dhe fetare, separatizmi dhe goditja ushtarake. Pasi janë shpallur rezultatet e para mbrëmjen e 7 qershorit, Sirri Sureyya Onder, anëtar i shqur turk i Partisë Popullore Demokratike, u ka bërë thirrje mbështetësve “që të mos e humbin veten nga dehja e fitores”, por “të qëndrojnë me koka të ftohta”, të ruajnë paqen dhe stabilitetin e vendit dhe jetën e tij politike. Nga zgjedhjet parlamentare të Turqisë mund të nxirren mësime interesante.

Partia Popullore Demokratike dhe udhëheqja e saj kanë lënë prapa politikën e pastër etnike dhe kanë bërë përpjekje të bëhen një parti kombëtare për të gjithë qytetarët e Turqisë, pavarësisht nga përkatësia etnike apo feja. Një provë për këtë është se kur shoferi i Demirtasit është qëlluar për vdekje javën e kaluar, gjatë një proteste paqësore në juglindje të Turqisë, Demirtas ka bërë thirrje për qetësi dhe hetim serioz të vrasjes. Demirtas nuk e ka përdorur vrasjen si platformë për akuza të egra anti­turke apo anti­qeveritare. Autoritarizmi në rritje i Erdoganit dhe sjellja e “stilit Putin” kanë ndryshuar mendjen e shumë kurdëve dhe turqve. Në provincat juglindore kurde të Turqisë, Partia Popullore Demokratike është bërë partia kryesore. Shumë turq, të cilët nuk janë pajtuar me qëllimet e kurdëve, por kanë dashur të parandalojnë Erdoganin nga marrja e pushtetit absolut, kanë votuar për partinë pro­kurde. Kjo rrugë, nëse vazhdon, do të forcojë një politikë të dialogut dhe qeverisjes në Turqi, përtej asaj të etnisë dhe fesë. Shumica e analistëve dhe kolumnistëve turq e kanë portretizuar Demirtasin si yll të zgjedhjeve parlamentare të së dielës. 

*Drejtor rajonal në Radion Evropa e Lirë

SHKARKO APP