Djali i Toto Rinës, intervista që tronditi Italinë

Ka shkaktuar polemika mjaft të ashpra intervista e transmetuar dje në emisionin “Porta a Porta” të gazetarit italian Bruno Vespa në kanalin “RAI 1″. Gazetari i njohur ftoi për intervistë djalin e mafiozit më famëkeq të Italisë, Salvatore (Toto) Rina, Xhuzepe Rina.

Toto Rina, i arrestuar në vitin 1993 dhe i dënuar me burgim të përjetshëm njihet si “Shefi i Shefave” të familjeve mafioze siciliane. Ai akuzohet për dhjetëra krime dhe masakra, mes të cilave dhe vrasjen e prokurorëve Xhovani Falkone dhe Paolo Borselino. Po ashtu edhe djali i tij Xhuzepe Rina sapo ka përfunduar dënimin me 8 vjet burg për pjesëmarrje në organizatë mafioze. Xhuzepe Rina ka botuar muajt e fundit një libër. Libri i titulluar “Salvatore Rina, babai im” tregon historinë e familjes së tij dhe akuzave që u janë bërë për përfshirje në mafie.

Transmetimi i një interviste në emisionin më të ndjekur në Itali, me djalin e “Shefit të Shefave” ka sjellë një stuhi mediatike. Familjet e viktimave të Toto Rinës e kanë quajtur këtë intervistë si një “vrasje të dytë të tyre”. Vetë disa drejtues të RAI-t kanë qenë kundër transmetimit të saj.

“Të dëgjosh një rrëfim nga një djalë që nuk gjykon dhe nuk dënon veprimet e të atit të tij është e vështirë për tu pranuar. Nuk mund t’u japim në media të njëjtin dinjitet si viktimave ashtu dhe atuorëve”,- tha presidentja e RAI, Monica Maggioni.

Para transmetimit të intervistës, Partia Demokratike e Mateo Renzit, 5 Yjet e Bebe Grillos, Komisioni Antimafia i Parlamentit Italian dhe gruaja e Xhovani Falkones kërkuan që intervista të mos transmetohej. Drejtuesit e Komisionit Anfimafia kanë kërkuar takim me drejtuesit e RAI-t për të dhënë sqarime mbi motivet e transmetimit të një interviste që shkaktoi kaq shumë reagime.

Por pavarësisht kësaj bordi drejtuesi i “RAI 1” vendosi transmetimin. Gazetari Bruno Vespa nuk hoqi dorë nga intervista e cila u transmetua mbrëmë. Përballë kritikave ai solli vetëm një argument. “Për të luftuar mafien duhet ta njohim atë dhe ky rrëfim do të na bëjë të kuptojmë më mirë si funksion mafia”,- tha Vespa.

Por çfarë tha Xhuzepe Rina në Intervistë? I pyetur nëse e kritikonte të atin, ai deklaroi se: “Nuk më takon mua të gjykoj. Ai është babai im. Një fëmijë mund të mos bjerë dakord me ato që bën babai, por këto nuk mund t’i thotë në publik. Është babai im”.

I pyetur për vrasjen e Xhovani Falkones dhe Paulo Borselnos, Rina tha: “Çfarëdo që të them për ta do të keqpërdorej. Nëse shpreh një mendim ky mendim do të instrumentalizohet. Unë kam gjithmonë respekt për të vdekurit. Për të gjithë të vdekurit”.

Rina tha se ka kaluar një fëmijëri të qetë edhe pse prindërit nuk e kanë lënë të shkonte kurrë në shkollë. “Ne kemi qenë pak ndryshe, jetonin ndryshe dhe asnjëherë babai nuk na tregonte se cilat ishin shqetësimet e tij”,- tha Rina.

SHKARKO APP