Djathi i Veleçikut dhe Shqipëria që bëhet
“Tani që nisi vera, këtë uroj që të mund të shoh përditë, zyrtarë, gazetarë, ministra, edhe kryeministrin të promovojnë çdo ditë nëpër rrjete sociale, ushqimin tonë, hotelet tona, restorantet tona, veriun tonë, jugun tonë, juglindjen magjike, që po bërtet për një rrugë”…
-Albanian Stories
Nga Rudina Xhunga
Në Shqipëri, ka njerëz që punojnë dhe që e jetojnë jetën në tërë plotninë e saj, pavarësisht zhurmës së modernitetit, vanitetit që krijon bota e televizionit dhe internetit, e pavarësisht përtacisë apo dembelisë. Xhunga shkruan për një familje në Han të Hotit, që ka ngritur një baxho të mrekullueshme
Xhovalini, bashkë me të atin, kanë një punishte djathi në Han të Hotit. E kanë quajtur Veleçiku, si mali. E nisi babai me dy dele, një lopë, pak djathë, pak gjalpë për shtëpinë dhe bujrum, kush donte dhe vinte.
Derisa Xhovalini mbaroi Universitetin. U kthye në fshat dhe nuk iu duk pa kuptim puna e babait. Nuk u ul te kafja e fshatit të qante hallet me shokët, për malësinë që nuk bëhej.
Ai vrau pak mendjen, si i bëhej të përfitohej më shumë nga puna e babait, se e shikonte që lodhej, po fitimi nuk ia vlente lodhjen.
Diku kishte lexuar se ia vlen të lodhesh për gjëra të mëdha, pasi lodhja është njësoj si për të voglat, por kompensimi i ndryshëm.
I tha babait, se kaq të mirë sa e bënte djathin, nuk mund ta mbante formulën për vete, duhej ta ndante me më shumë njerëz, të kërkonin tregun, të formonin kooperativën, të prodhonin varietete djathërash, me ngjyra, erëra, shije të ndryshme. Asokohe, fliste dhe as vetë nuk i besonte, fjalët që i dilnin vetë, jo më të shpresonte ta besonte i ati.
Por ja që babai e besoi. I besuan dhe ata ku shkuan të kërkojnë bashkëpunim, bashkim, zhvillim. Kërkuan e gjetën gjithë çfarë ju duhej për të prodhuar djathin e dhisë, lopës, djathin me dhjetëra shije Alpesh, nga ato që kur i provon njëherë, vështirë të mos iu kthehesh prapë.
Kanë marrë kredi, kanë kërkuar dhe gjetur eksperiencë të huaj, kanë krijuar kooperativë njerëzish që ju sjellin qumështin, siç e kërkojnë ata, apo mbledhin lulet e çajrat e malit, për përzierjet. Qindra njerëz punojnë me ta, tashmë, dhjetëra restorante dhe hotele të veriut, furnizohen vetëm prej tyre. Janë kudo ku ia njohin shijen djathit të mirë të Veleçikut, gjalpit, qumështit, kosit, e shumë produkteve të punishtes së tyre në Han të Hotit.
Xhovalini dhe të tjerë si ai, nga veriu në jug, janë shqiptarët e mirë të këtij vendi, që lodhen, që punojnë, që nuk kërkojnë gjë, që nuk njihen, që nuk duken. Ata janë Shqipëria e bukur që nuk bërtet, që nuk bën fotoshop, që është zhvilluar ndërsa ne shkëmbejmë lajme kronike të zezë. Ata ndërkaq, mundohen e gjejnë hapësirë dhe ecin, marrin rrugën për të bërë veten e tyre dhe pa e kuptuar se duke bërë veten, bëjnë edhe këtë vend, që është plot mundësi. Ata nuk kanë nevojë për medalje, për mediatizim, publicitet, ne kemi nevojë për ata, që të besojmë se ca nga ne, ia dalin të na ndryshojnë bindjen, se që këtej vetëm duhet ikur, se këtu është pis.
Në fakt këtu pis është, plot pamundësi, ka plot të fortë që i vënë syrin gjësë tënde dhe ta marrin, ka pushtetarë që vjedhin, ka injorante që drejtojnë, ka hajdutë, por ka edhe njerëz si Xhovalini, që iu shkëlqejnë sytë kur flasin për punën e tyre dhe të bëjnë të besosh se ata si ai do të shtohen.
Ndoshta jo sot, as mot, po ti jep një dorë të tregosh për ta, kur i ndesh rrugës tënde. Se e mira, të mirën tërheq. Mjaft ndamë lajme ekskluzivisht për jashtëqitjen tonë, se të zë era e saj.
Tani që nisi vera, këtë uroj që të mund të shoh përditë, zyrtarë, gazetarë, ministra, edhe kryeministrin të promovojnë çdo ditë nëpër rrjete sociale, ushqimin tonë, hotelet tona, restorantet tona, veriun tonë, jugun tonë, juglindjen magjike, që po bërtet për një rrugë.
Le ta bëjnë, siç promovojnë fasonët, të promovojnë turizmin, sepse fasonët do të ikin, turizmi do mbetet, prodhimi ynë më i mirë vendës, mrekullia jonë, “made in Albania”.
E nisim që këtë verë, pa reklama globale, mjafton mes nesh, për ne, sepse ditë më të mira do të vijnë për të gjithë, prej promovimit të bukurisë dhe mundësive të këtij vendi, që sa më shumë e zbulon, aq më tepër nuk bën dot pa të. MAPO