Dom Ernest Troshani, kleriku që u burgos për meshën për Xhon Kenedin

Ai është nga të mbijetuarit e fundit të burgjeve komuniste. Në moshën 86 vjeçare, Dom Ernesti do të dëshmojë para Papës Françesk në audiencë vuajtjet e tij të gjata.

Nga Lindita Çela

Dom Ernest Troshani është burrë i fortë. Në moshën 86 vjeçare, pavarësisht jetës plot vuajtje, vijon të presë besimtarë në fshatin Trush të Shkodrës dhe të japë meshë.

Shërbesat i jep në Famullinë e Shën Prendës, ndërsa në banesën e tij, një ndërtesë të vjetër njëkatëshe, praktikon  një rit të vjetër fetar, nëpërmjet të cilit  synohet nxjerrja e djallit nga trupi i njeriut, ekzorcizmin.

Në këtë vend, me altarin e improvizuar në shtëpinë e tij modeste, Dom Troshani ka gjetur paqen me zotin duke predikuar çdo ditë fjalën e Krishtit. Ai nuk flet për shkaktarët e jetës së tij të dhimbshme, thotë se i ka falur. Me përjashtim të një emri…

Jeta e Dom Troshanit u lidh në mënyrë të pandashme me Urdhërin Françeskan, kur hyri në kolegj në moshën 10 vjeçare.

“Jam shkëputur prej familjes prej 70 vitesh dhe këtë bëj,” thotë ai. “Gjithçka është në emër të madhit Zot dhe qëllimi kryesor është me dash Zotin, me dash njerëzit e me fituar jetën e amëshueme,” Troshani shpjegon.

Djaloshi shkodran kishte zgjedhur kohën më të vështirë për t’iu përkushtuar Krishit. Ishte vetëm 20 vjeç kur Komunizmi mori pushtetin në Shqipëri dhe nisi një fushatë të gjerë spastrimi kundër çdo lloji rezistence, laike apo fetare. Katolikët dhe në veçanti, Urdhëri Françeskan u përball që në fillim me dhunën e regjimit të ri për arsye në dukje praktike.

Si organizata fetare më e mirëstrukturuar në Shqipëri, me lidhje të shumëfishta me anën tjetër të Perdes së Hekurt dhe me një klasë klerikësh të arsimuar më së miri, kisha Katolike qe institucioni që u pa si më i rrezikshmi në Shqipëri.

Kur Dom Ernesti filloi praktikimin në moshën 20 vjeçare, regjimi Komunist kishte pushkatuar Sakaq At Anton Harapin, priftin politikan që qe regjent gjatë kohës së pushtimit Gjerman të vendit, kishin futur në burg At Viçens Prennushin, shkrimtar, kishin dënuar me vdekje At Gjon Shllakun, kishin arrestuar At Çiprian Nikën dhe pjesën dërrmuese të hierarkisë së Kishës Katolike.

Ndalimi i fesë me ligj qe ende dy dekada larg prej kësaj kohe por hapi i parë i qeverisë së kohës qe që të negocionte me klerin katolik që i mbijetoi valës së parë të pushkatimeve dhe burgosjeve, një marrëveshje për një status ligjor të Kishës. Si regjim me paranoja, qeveria komuniste vendosi si kusht të prerë për marrëveshjen shkëputjen e marrëdhënieve të varësisë së katolikëve shqiptarë me Vatikanin dhe krijimin e një kishe të mëvetshme. Ky qe një kusht i papranueshëm për njerëzit si Dom Ernest Troshani, një mosmarrëveshje për të cilën shqiptarët dinë shumë pak, por që theksohet me krenari edhe sot nga Dom Ernesti. Asnjë prej klerikëve nuk e pranoi.

Mbajtja e besimit u vështirësua me kalimin e viteve, bashkë me tallazet e shtetit,  prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik më 1962 dhe kriza ekonomike që pasoi këtë ngjarje.

Gjatë asaj periudhe, të flisje në emër të Kishtit dhe të mbaje meshë ishte një krim që mund të ndëshkohej edhe me vdekje.

‘Në ato vite unë kam  shërbyer në fshatrat  Kakarriq,  Gocaj , Kukul,  Barbullush, të Shkodrës, mirë po të gjithë aktivitetin tim e kishin fotografuar ato të Sigurimit të Shtetit” rikujton ai.

“Më arrestuan në vitin 1963 për shkak se mbajta meshë për Xhon Kenedin [John F. Kennedy]”, thotë Dom Ernesti.

“Kur më çuan në gjyq [ata] më thanë se kisha mbajtur meshë për kriminelin më të madh të botës,” thotë Troshani. “Më akuzuan për përmbysjen e pushtetit popullor,” kujton ai.

Prifti i ri shqiptar pati dëgjuar se Papa i Romës pati mbajtur meshë për Presidentin Kennedy. J.F. Kennedy qe vrarë në Dallas në nëntor. Ai qe i pari dhe i fundit president katolik i SHBA-ve.

“Ata më thanë se i kishin incizuar të gjitha dhe më akuzonin se kisha vjellë [vrer] kundër partisë,” shton Troshani.

I arrestuar ditën e Krishtlindjeve, atë e shtrënguan në paraburgim që të lëshonte akuza ndaj klerikëve të tjerë duke e kërcënuar me varje në litar. Pasi Troshani refuzoi, u mbaj një gjyq i shpejtë në Shkodër me dëshmitarë të rremë dhe ai u dënua me 18-vjet heqje lirie.

Pas dënimit Troshanin e dërguan në kampin e punës së Rubikut, dhe prej andej në Laç, më vonë Elbasan dhe në fund e burgosën në kampin famëkeq të Spaçit.

“Në Rubik punoja në ndërtim. Ishim 800 të burgosur. Mbaja  në krahë  150 thasë në ditë të cilat duhet të ngriheshin 8 metra lartë,” kujton Troshani.

Në Spaç e transferuan pasi u hap miniera e re dhe kishte nevojë për krahë pune.  Sipas Troshanit të burgosuri punonin në tre turne dhe me raste nuk ishin në gjendje të mësonin nëse jashtë ishte natë apo ditë.

“Në dhomë ishim pesëdhjetë e ca veta, kishte dërrasa dhe një dyshek kashte, asgjë tjetër,” thotë ai.  “Nuk di si kemi shpëtuar por ishin punët e zotit me shpëtuar.”

Ditën kur u lirua nga burgu më 20 dhjetor të vitit 1981 e ka akoma të freskët në memorie.

Ai u lirua nga burgu, por u detyrua të ecë për dhjetë orë nga Spaçi deri në qytetin e tij të lindjes në Shkodër ku me vështirësi gjeti shtëpinë e tij, prej së cilës ishte ndarë prej aq shumë vitesh dhe vuajtjesh.

Dhimbjen dhe torturat e kaluara nëpër burgjet komuniste thotë se i ka harruar.

Ata që dëshmuan kundër tij, për ta burgosur në moshën 35 vjeçare, i ka falur të gjithë, megjithëse askush prej tyre nuk i ka kërkuar falje kurrë.

“Askush nuk më tha më fal për rininë e humbur dhe torturat e 18 viteve burg,” thotë ai.

Më 5 shtator të vitit 1990 ka qenë përballja e tij e fundit me Sigurimin. Për ironi të fatit, ai qe thirrur sërish në të frikshmen Degë të Punëve të Brendshme ku u detyrua të presë për pesë orë me frikën se do të arrestohej dhe burgosej sërish. Por pikërisht aty, në institucionin që shkaktoi aq shumë vuajtje për shqiptarët, ai u njoftua se kishat do të hapeshin sërish dhe se qeveria pati vendosur të lejonte shqiptarët të besonin.

“Ishin fjalë aq të ndritshme sa nuk mund t’i besoja” Troshani thotë “ Kur mbajta meshën e parë me 30 qershor të vitit 1990, në Velipojë, ka qenë dita më e lumtur e jetës sime,” përfundoi ai.

BIRN

SHKARKO APP