Donald Trump mbyll dyert – ndalen myslimanët e parë
Ndalen myslimanët e parë në aeroportin e Nju Jorkut, „Kennedy“. Dekreti i Trumpit për ashpërsimin e politikës së refugjatëve bëri të ndaleshin dy irakianë. Ndërkohë rriten kritikat për vendimin e presidentit.
Vetëm pak pas dekretit të presidentit, Donald Trump për ndalimin e hyrjes në SHBA të refugjatëve dhe të myslimanëve nga 7 vende myslimane, janë ndaluar myslimanët e parë në aeroportin „Kennedy”. 2 irakianë janë ndalur nga policia, ndërkohë që avokatët kanë bërë kërkesën për lirimin e menjëhershëm të tyre. Njëri nga irakianët, Hamid Chalid Darvish, ka punuar për amerikanët në 10 vitet e fundit, ndërsa personi tjetër i ndalur, Haider Samir Abdulhalek Alshavi, kërkonte të vizitonte në SHBA gruan dhe djalin. Gruaja e tij ka punuar për një firmë amerikane. Njoftohet se avokatët nuk janë takuar me klientët e tyre.
Padi nga aktivistë të të drejtave të njeriut
Disa aktivistë për të drejtat e njeriut kanë ngritur padi ndërkohë për ndalimin e udhëtimit të myslimanëve në SHBA. Ata kërkojnë lirimin e dy irakianëve në Nju Jork, ndërkohë është aplikuar edhe për një padi kolektive, me qëllim që të përfaqësohen edhe refugjatë të tjerë që mund të ndalen nga autoritetet. Presidenti amerikanë ndali të premten me dekret hyrjen e të gjithë refugjatëve në SHBA për 120 ditë. Edhe për myslimanët nga 7 vende myslimane është e bllokuar hyrja në Shtetet e Bashkuara. Dekreti hyri menjëherë në fuqi.
Rriten kritikat ndaj Trump
Ndërkohë politikanë dhe organizata humanitare kanë kritikuar ashpër vendimin e Trumpit. „Në faqet e statujës së lirisë po derdhen lotë”, tha kreu i opozitës demokrate në senat, Charles Schumer. Edhe kreu i „Ligës Nacionale të Evangjelistëve”, Leith Anderson kërkoi që Trump të mos ndalë programet për refugjatët. Shumica e refugjatëve në SHBA vijnë nga Lindja e Mesme dhe janë gra e fëmijë.
Ndërsa presidenti i Shoqatës Humanitare për Hebrenjtë, HIAS, Mart Hetfield u shpreh se dekreti është „i shëmtuar poshtërues”. Më shumë se 1700 rabinë kanë kërkuar nga Trump “t’i mbajë hapur dyert e Amerikës”.
Edhe nga Europa vijnë po ashtu zëra kritikë. Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn kritikoi se Trump me masat e tij po e ndan botën myslimane në të mirë dhe të këqinj. “Vendimi është një vendim negativ edhe për Europën, sepse në botën myslimane do të forcohet zemërimi dhe urrejtja kundrejt perëndimit”, tha Asselborn për gazetën gjermane “Tagesspiegel am Sonntag”.
Kritika vijnë edhe nga Amnesty International dhe Kombet e Bashkuara. OKB kërkoi që megjithë kufizimet e reja në lirinë e udhëtimit, SHBA duhet të mbeten një liman i sigurtë për refugjatët. Organizata për refugjatët e OKB.së, UNHCR në një deklaratë të saj shprehet se praktika e kulturës së mirëseardhjes ka shpëtuar shumë jetë dhe ka pasuruar shoqërinë amerikane.
Ndërkohë presidenti amerikan, Donald Trump zhvilloi për herë të parë të shtunës një telefonatë me kancelaren Angela Merkel dhe me presidentin rus, Vladimir Putin.