Dorëzim i shpejtë i çelësave në Downing Street
Papritmas çdo gjë po ndodh shumë shpejt. Nuk kanë kaluar as tri javë, kur bota në Britaninë e Madhe ishte ende në rregull: ekonomia kishte marrë butë të përpjetën, papunësia kishte arritur nivelin më të ulët të gjitha kohërave. Në rrugën Downing Street 10, kryeministri David Cameron mund të gëzohej që kishte një shumicë të qëndrueshme në mandatin e tij të dytë dhe mund të qeveriste pa partnerë koalicioni. Ndarja e Skocisë sapo qe shmangur përsëri, dhe Irlanda e Veriut qe kryesisht paqësore.
Por brenda një nate të vetme vullneti i popullit tronditi gjithçka dhe David Cameron po përballet me një rrëmujë, për të cilën është përgjegjës vetë: deri në minutën e fundit ai kishte shpresuar se do ta fitote referendumin dhe kështu çështja e mundimshme e Evropës për të cilën në partinë e tij ka mosmarrëveshje prej dekadash, do të mbyllej.
Cameroni përpara kaosit
Por në vend ta paqtonte partinë e tij, Cameroni i vuri të gjitha në një kartë dhe e zhyti vendin kështu në krizë: pas votimit niveli historikisht më i ulët për paundin, panik në Londër, ku shumica janë kundër Brexit-it, Skocia kërcënon me separatizëm. Opozita laburiste po shqyen veten, dhe pothuajse çdo ditë ka dorëheqje të reja –një “leaver” pas tjetrit po largohet nga anija që po fundoset: Boris Johnson, Nigel Farage, dhe e fundit Andrea Leadsom.
Në fakt statutet e partisë parashikojnë që kur një udhëheqës i partisë konservatore dorëhiqet duhet të zhvillohet një fushatë zgjedhore. Baza e partisë duhet të kishte disa javë kohë për të zgjedhur, mes ministres së Brendshme Thereza May, e cila qe angazhuar për qëndrimin në BE, dhe Andrea Leadsom, mbështetëse e Brexit-it, e cila u bë e njohur vetëm gjatë fushatës zgjedhore. Tërheqja e papritur e Andrea Leadsom të hënën e prishi këtë rregull dhe partia vendosi shpejt që të mos ketë asnjë kundërkandid për Theresa May-in.
Votimi i anëtarëve vetëm pjesërisht demokratik
Edhe kjo është e drejtë. Baza konservatore nuk është gjithsesi një pjesë përfaqësuese e popullsisë. Ajo është më e vjetër në moshë dhe më e bardhë se mesatarja dhe gjendet kryesisht në jug të vendit – vota e tyre nuk do t’i jepte ndonjë legjitimitet demokratik kryeministres së re. Përveç kësaj askujt nuk do t’i shërbente nëse David Cameron do të qeveriste për disa javë, si një “lame duck“. Është mirë që tani gjërat po zhvillohen shpejt dhe David Cameroni do të largohet nga posti: që të mërkurën ai duhet t’i ketë paketuar gjërat e veta dhe detyrën e merr përsipër Theresa May.
Më e ndershme do të ishte në qoftë se Cameron do ta kishte bërë të qartë që në fillim se në rast të Brexit-it do të jepte dorëheqjen. Atëherë britanikët do të kishin një ide të vorbullës së ngjarjeve që do të pasonte vendimin e tyre. Në vend të kësaj ai pretendonte deri në fund se do ta çonte deri në fund atë që kishte nisur dhe se madje do të negocionte dhe me BE-në.
Krizë e gjërë besimi
Një pandershmëri e tillë është edhe një arsye e krizës së tanishme: politikanëve në parim nuk u besohet. Votimi për Brexit-in ka të bëjë për shumë vetëm pak me BE-në. Fjala ishte kryesisht për të shprehur ndaj qeverisë në Londër zemërimin, sepse njerëzit ndjehen të lënë pas dore prej globalizimit, kanë ndjenjën se vendi qeveriset vetëm se i bëhet mirë elitës moderne urbane dhe selive të bankave në London City.
Për shkak se qeveria e re nuk mund t’i injorojë këto pakënaqësi, Theresa May ka të drejtë kur merr pozicion të qartë: Brexit do të thotë Brexit, jo referendum të dytë, jo zgjedhje të reja – të paktën jo në një të ardhme të parashikueshme. Ajo premtoi se do ta pajtojë vendin dhe do ta kufizoje fuqinë e “big business“. Le të shohim nëse ajo do të gjejë kohë për këtë krahas negociatave me Bashkimin Evropian për Brexit-in. David Cameroni do të hyjë ndërkohë në histori si kryeministër tragjik: si ai që mban përgjegjësinë për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja, edhe pse ai vetë nuk e donte kurrë vërtet këtë gjë. DW