Dorëzimi i parave tek noterët, një lajthitje tjetër shqiptare

“Një shumë e tillë një noteri shqiptar, i cili e ka zyrën sa një kioskë të mbyllur me një qepen teneqeje mu në buzë të rrugëve të pluhurosura të Tiranës, mendoj se ia prish mendjen kollaj. Dhe vërtetë miku im noter, si më shaka e si prej vërteti, më tha se gruaja ia kishte futur zekthin duke i thënë: “Po sikur ti marrim e të çajmë ferrën!”…

Nga Zef Shtjefni-

Kam vite që punoj në disa vende europiane, por që të blesh një shtëpi nga i zoti dhe të shkosh t’ia dorëzosh paratë noterit, nuk e kisha dëgjuar! Nuk e di nga e kanë marrë këtë model politikanët dhe ligjbërësit tanë, por mua kjo më duket vërtetë një lajthitje alla shqiptare.

Ja sepse: Po bisedoja këtë javë pikërisht për këtë temë me një noter në Tiranë. Më tregoi se një ditë i ishin mbledhur në llogari mbi 600 mijë euro. Një shumë e tillë një noteri shqiptar, i cili e ka zyrën sa një kioskë të mbyllur me një qepen teneqeje mu në buzë të rrugëve të pluhurosura të Tiranës, mendoj se ia prish mendjen kollaj. Dhe vërtetë miku im noter, si më shaka e si prej vërteti, më tha se gruaja ia kishte futur zekthin duke i thënë: “Po sikur ti marrim e të çajmë ferrën!”

Tani, imagjinoni, me ligjin e ri do të ketë noterë që nëpër llogari do t’u mblidhen shuma marramendëse, me disa milionë euro. Çdo kujt mund t’i prishet mendja, që t’i marrë e të çajë ferrën nga ky vend. Po ua krijojnë të gjitha mundësitë ligjvënësit tanë që ta provojnë e ta realizojnë një gjë të tillë. Nuk do të shkojë gjatë e do të ndodhë kjo, më besoni. Nëse nuk do të merren masa të menjëhershme, kjo biles nuk ka se si të mos ndodhë. Tjetri punon gjithë jetën, merret vesh me shitësin apo blerësin dhe detyrohet nga ligji të shkojë t’ia dorëzojë lekët noterit, i cili as ka meritë dhe as ka lidhje me çfarë kanë bërë e vendosur shitësi e blerësi. Ai nuk është tjetër gjë, veçse një dëshmitar ligjor i një aktmarrëveshje mes personave që shesin e blejnë. Çfarë absurditeti, çfarë lajthitje duket kjo e dorëzimit të lekëve të shitblerjes tek noterët tanë!

Kur në çdo vend europian noterët janë veç dëshmitarë ligjor, pse noterët shqiptarë duhet të bëhen edhe arkëtarë të shumave të tilla marramendëse, edhe zyrtarë tatimesh, edhe bankierë!? Pse duhet të bëhen përgjegjës për paratë e të tjerave!? Nuk besoj se është e vështirë të kuptohet pse ua kanë ngarkuar këtë detyrë absurde. Unë mendoj, se e kanë bërë vetëm sepse strukturat tatimore të shtetit tonë janë të paafta të bëjnë detyrën për mbledhjen e taksave dhe kështu i bien shkurt që ti kapin përmes noterëve. Pra, me një fjalë, duan të qërojnë gështenjat me duart e tjetrit. Nuk duan t’ia dinë se kështu po rrezikojnë rëndë pasurinë dhe kursimet e një jete të tërë të qytetarëve. Kam dyshim të madh se ky absurditet ligjor alla shqiptar do t’u sjellë shumë andralla shqiptarëve. Do t’u sjellë pasiguri kur t’ia dorëzojnë paratë noterit e jo të zotit, frikë se mund t’i humbin kursimet e një jete, vonesa në pagesa e në akte, kosto shtesë etj. Po kështu edhe noterëve të ndershëm do tu sjellë veç telashe, strese, kosto, kohë të humbur, sepse kush don që të ngatërrohet me paratë e tjetrit.

Në pjesën më të madhe të vendeve europiane, detyrat e noterëve sa po vijnë e thjeshtohen. Qytetarët sa vijnë e po bëhen më të lirë nga burokracitë e kostot burokratike, me teknologjitë e reja. Ata po i bëjnë shumë akte vetë tashmë, pa pasur nevojë për kostot shtesë të noterit. Bile dhe tek ne, deri QKR-ja ka filluar t’i pranojë vendimet e asambleve të kompanive dhe statutet e tyre të pa noterizuara. Edhe pse janë gjëra shumë të rëndësishme këto, është krejt normale që kështu të ndodhë. Po, ama gjithë zinxhiri i ligjeve duhet të funksionojë normal. Dhe këtu është ngërçi ynë, prandaj shteti shqiptar edhe zyrën e noterit po përpiqet ta kthejë ose ta përdorë si zyrë tatimesh, duke e larguar nga detyra kryesore e tij, si dëshmitar ligjor mes palëve.

SHKARKO APP