Dosja Peza: Historia e një “shembulli” që duan ta shesin “për shembull”
Alfred Peza është në këtë rast një viktimë që politika e tërhoqi në moçalin e vet dhe aty po e mbyt si një viktimë. Dhe ky është faji i vetëm i tij, që ra në këtë kurth. Po të kish vjedhur si politikan, apo largqoftë të kish vrarë, do ta kishim në krye të vendit…
Nga Mero Baze
Alfred Peza po shkon para Gjykatës së Krimeve të Rënda, duke paguar kështu gjithë “gjynahet” e shtypit informal shqiptar dhe duke u bërë ilustrimi më i mirë, përse në Shqipëri askujt nuk i intereson që shtypi të jetë i formalizuar dhe konkurrent në treg, duke jetuar me mundësitë e veta, si mall që shitet e blihet. Gracka në të cilën politika ka futur shtypin shqiptar, zuri të parin Alfred Pezën, një shembull tipik i një gazetari të përdorur në maksimum për interesa të disa pronarëve të shtypit, si krijues dhe menaxher i suksesshëm i mediave, që ata kanë investuar me para informale.
Alfred Peza ka fituar gati një milionë euro për 15 vjet punë, si drejtues i mediave në së paku disa detyra kyçe që ai ka pasur si themelus dhe drejtues afatgjatë “Ora Neës”, gazetës “Korrieri”, revistës “Spektër”, Vizion Plus etj. Të ardhurat e tjera janë brenda kufijve normalë.
Të gjithë ne që e njohim historinë e tij, e dimë që ai është paguar rreth 10 mijë euro në muaj nga Ora Neës. Unë nuk e di sa fuqi ka sot pronari i Ora Neës ta deklarojë atë që na deklaronte kur e pyesnim ne për pagën e kolegut tonë dikur, por kjo është e vërtetë. E vërtetë po ashtu është që është paguar në “cash” si dhjetra drejtues të tjerë të lartë të medias shqiptare nga pronarët e tyre, që janë paguar me dy bordero.
Historia e shtypit shqiptar në tranzicion është e gjitha një histori e pisët korruptive, që buron nga lidhjet e shtypit me politikën dhe nga tinzaria e politikës, që nuk vendosi kurrë rregulla të qarta fiskale për shtypin dhe i ktheu botuesit në sundimtarë të jetës sonë politike, duke ua lidhur këtë zinxhirr tek këmbët.
Alfred Peza ka përgjegjësi personale që nuk ka këmbëngulur në formalizimin e të ardhurave të tij nga botuesit me të cilët ka punuar. Ka po ashtu përgjegjësi që në fillim të këtij debati, nuk doli të thoshte të vërtetën e thjeshtë, se kush e ka paguar dhe sa e ka paguar, por tentoi të merrej me letra formale, të cilat janë po ashtu të pafuqishme për të bindur askënd. Ai gaboi kur tentoi të mbrohej dhe të justifikonte një fenomen të shëmtuar të informalitetit në gazetarinë shqiptare, ku ai është viktimë. Ai thjesht duhet ta pranonte atë dhe të përballej ndoshta dhe me dorëheqje nga politika, për shkak të saj.
Por e vërteta e hidhur e tij, është e vërteta e çdo drejtuesi të lartë të shtypit shqiptar në raporte me botuesit e mëdhenj në Shqipëri.
Shtypi shqiptar është mbajtur nga politika si një kone me zinxhirr floriri, që të lehte për llogari të saj, dhe për këtë është paguar shtrenjtë, dhe po e paguan shtrenjtë. Viktima e parë e tij duket se po bëhet Alfred Peza, i cili nuk është as më i paguari, dhe as më tipiku i këtij fenomeni. Fituesit e mëdhenj të historisë korruptive të shtypit shqiptar janë botuesit e tij, janë ata që kanë nuhatur se rruga më e mire për t’u bërë të rëndësishëm në këtë vend, është të investojnë në media në rrugë informale dhe të kapin politikën dhe shtetin.
Alfred Peza dhe gazetarë të tjerë, të paguar kaq shumë, janë viktima dhe bashkëfajtorë të këtij sistemi, por jo përgjegjës për të.
Le t’i marrim disa fakte me radhë. Si mund të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda një gazetar, që është mirëpaguar për interesa të pronarit të tij, dhe të mos hetohet as një botues shtypi për origjinën e parave në biznesin e tij në shtyp. Alfred Peza dhe gjithë kolegët e sërës së tij si kryeredaktorë apo drejtorë gazetash e televizionesh, janë paguar nga pronarët. Kjo tregon se shkalla e informalitetit në ato redaksi ka qenë maksimalisht e lartë dhe ato janë toleruar nga politika shqiptare si një koncesion për botuesit. Mendoni ju se tatimet kanë pasur fuqi të shkelin në derën e Kokëdhimës, Frangajt, Ndroqit apo dikujt tjetër për të kërkuar llogari? E pamundur. As do kishin arritur të ktheheshin mbrapsht në zyrë. Botuesit janë ende të paprekur dhe nuk u ka hyrë gjëmb në këmbë, ndërkohë që një kryeredaktor shkon të lajë gjithë mëkatet e tyre. Kjo është dhe arsyeja që ndaj Pezës ka kaq pak solidaritet nga botuesit dhe gazetarët e mirëpaguar. Te gjithë kanë frikë se dikush do t’u drejtojë gishtin dhe duan të bëjnë sikur “nuk janë si Peza”
Le të nisë një hetim serioz si janë ngritur perandoritë e mediave të mëdha në Shqipëri, si kanë arritur kapitalet e tyre në miliona euro, si kanë përfituar nga paratë publike dhe pronat publike, nga lejet e ndërtimit apo lidhjet me politikën, dhe aty del lehtë se kush ka përfituar më shumë, botuesit apo gazetarët që janë përdorur nga ta si të rekrutuar. Kjo është sikur të dënojmë Fatos Lubonjën, Adi Krastën, Andi Bejten apo Sonila Meçon, pse pranuan një pagë 20 mijë euro në muaj e më shumë në disa raste, nga pronari italian i Agon Channel, ndërkohë që ai është në hetim për evazion fiskal në Shqipëri, apo që njerez te afert te familjes se tij jane dënuar për lidhje me mafien e plehrave në Itali. Sido që të jetë e vërteta, drama e gazetarëve shqiptarë është që janë përdorur nga tipa të tillë, qofshin shqiptarë apo italianë, dhe ky është një çmim që po e paguan autoriteti i tyre në shoqërinë shqiptare, por nuk janë ata që e kanë vendin para Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Së dyti, duhet të shikojmë sjelljen politike të qeverive ndaj mediave ku ka punuar Alfred Peza. “Spektri” ka qenë revistë e Kokëdhimës, e lidhur ngushtë me ish- qeverinë socialiste të viteve 2000, “Korrieri” ka qenë pjesë e grupit Klan, të lidhur në atë kohë me Fatos Nanon, deri në vitin 2005. Alfred Peza ishte drejtues prej fillimit të gazettes, derisa ajo u shit. Ai është paguar formalisht dhe jo formalisht prej tyre. Pastaj pas vitit 2006 ka punuar si drejtror i Ora Neës, televizion i ri, që u ngrit prej tij dhe hyri në treg falë tij, dhe për mua është e justifikueshme ajo pagesë. Problemi është se ai është paguar në rrugë informale, jo se ka pas dëshirë, por se ashtu i është imponuar statusi i tij si drejtues i asaj media në atë kohë. Të vetmit që i kanë dhënë pagë të lartë, afërsisht 10 mijë dollarë në muaj, janë pronarët e “Vision Plus”, të cilët e kanë deklaruar pagën dhe kanë paguar tatimin në burim.
Tani si është e mundur që botuesit e tyre të bëjnë sikur nuk ka ndodhur gjë, dhe partneri i tyre të shkojë para Gjykatës së Krimeve të Rënda? Shpjegimi është thjeshtë tek vazhdimi i nevojës që ka politika për një shtyp informal, që ta ketë në dorë sa herë të ketë nevojë.
Së treti, të shikojmë dhe procedurën ligjore. Alfred Peza duhet të ishte gjykuar një here në Gjykatën e Lartë për pjesën civile të hetimit, pastaj të shkonte tek Krimet e Rënda, nëse kishte vepër penale. Duke shkuar tek Gjykata e Lartë, hetimi për pjesën civile do të vërtetonte gjithë këto që thashë më lartë, do të vërtetonte informalitetin e shtypit shqiptar, mungesën e dokumentacionit, boshllëkun që kanë kompanitë në dokumentacion pas pesë vitesh, dhe në fund do nxirrte një faturë dëmi që i kanë shkaktuar informaliteti i tij, që në fakt nuk është vetëm i tij, ndaj taksave të shtetit. Dokumentacioni në redaksi ruhet deri në dhjetë vjet, dhe tani ai nuk ka ku të gjejë listat e honorareve për të cilat pronarët s’kanë paguar tatimet, as shpërblimet apo përqindjet e reklamave. Ai nuk mund të bëhet përgjegjës për diçka që nuk e ka më në dorë dhe që e ka kryer i diktuar nga rrethanat në të cilat zhvillohej shtypi shqiptar.
Duke e çuar tek Gjykata e Krimeve të Rënda, me një procedurë ekstra ligjore, që aplikohet për herë të parë për një rast si ky, barra e provës i kalon Alfed Pezës për ta provuar dhe ai nuk ka çfarë provon, përveç një deklarate të sinqertë, që paratë ja kanë dhënë “cash” dhe për këtë të ballafaqohet me pronarët.
Vendime të tilla ekstreme “për të bërë shembull” dikë që në fakt nuk ka ndonjë rëndësi politike dhe nuk është më në media, është një akt tinzar, i pandershëm dhe që tregon se si gjithë palët duan të lajnë duart nga një fenomen me të cilin kanë bashkëjetuar dhe kanë përfituar.
Siç e ka përshkruar dhe vetë Peza, “i vetmi aktivitet që unë kam ushtruar, që është edhe veprimtaria ime e vetme ekonomike, është gazetaria.” Dhe ne jemi të bindur se ai këto para i ka fituar si drejtues mediash. E kuptoj këtë irritimin populist pse ai ka fituar aq shumë e pse disa gazetarë kanë fituar pak, por nuk dua të bie në banalitetin e një populizmi të tillë. Ai është paguar se dikush ka pas nevojë për të, ta paguante aq, për t’i bërë punën, dhe ai e ka bërë.
Në këtë histori ka vetëm një dëm ekonomik ndaj shtetit shqiptar për faj të pronarëve, për të cilin ai është edhe vetë fajtor. Nëse dikush tjetër ka fakte se Alfred Peza ka bërë para me drogë, apo punë të tjera të padeklaruara, mund t’i paraqesë, por nuk ekzistojnë. Ai është përgjegjës që nuk ka këmbëngulu të formalizohet paga e tij, por si ai janë qindra gazetarë shqipatrë, si ata që janë paguar shumë mirë, dhe ata që janë paguar shumë keq. Kaq sa i përket gjykimit ndaj tij si gazetar.
Si politikan është çështje tjetër. Kjo histori e dëmton atë politikisht, por kurrsesi të trajtohet si një kriminel, ndërkohë që botuesit e tij dhe ata që e kanë paguar janë njerëz “të respektuar” nga poltika dhe drejtësia, që vazhdojnë të zhvasin para publike e prona publike, dhe para të cilëve politikanët dhe njerëzit e drejtësisë shpesh përulen.
E kaluara e tij informale si gazetar, e bën atë një politikan në siklet, por jo një politikan kriminel, siç duan ta bëjnë shembull. Nëse doni ta pastroni politikën nga krimi, apo median nga krimi, ka rrugë shumë më të thjeshta për të verifikuar ata që janë milionerë pa punuar asnjë ditë. Alfred Peza është në këtë rast një viktimë që politika e tërhoqi në moçalin e vet dhe aty po e mbyt si një viktimë. Dhe ky është faji i vetëm i tij, që ra në këtë kurth. Po të kishte vjedhur si politikan, apo larg qoftë të kishte vrarë, do ta kishim në krye të vendit. Ndoshta dhe duke na kërcënuar.
Gazeta TemA