Dr Leonidha Peppo: Si e kujtoj profesor Sabitin!
POSTMORTUM
Nga Dr Leonidha Peppo-
Për të kujtuar të ndjerin Sabit Brokaj, për ta mbajtur në jetë atë që vdekja nuk mundi ta merrte dot edhe pse më mori një nga miqtë më të mirë, dhe profesorin më të dashur, më duhet të kthehem në vitet e hershme, atëherë ku ka nisur t’i pleks rrënjët njohja dhe konsolidimi i një miqësie.
Në gjysmën e vitit 1981, sapo u ktheva në Tiranë, ngaqë atëherë kur mbaroje studimet, ishte e detyrueshme të shkoje në zonat e vështira e të nevojtura të Shqipërisë, për të shërbyer sipas profesionit. Natyrisht dhe unë në profesionin mjek, si gjithë të tjerët, u emërova në krahinën e Mirditës, në zonën malore të Fanit. Shërbimi aty ndaj popullsisë malësore me jetesën e vështirë, më dha besimin dhe përgjegjësinë e profesionit të mjekut, për të bërë detyrën time, natyrisht të vështirë. Fshati Domgjon mbetet kujtim shumë i mirë i profesionit, por patjetër edhe i jetesës.
Kur erdha në Tiranë fillova nga e para në profesionin tim, ku zgjodha kardiologjinë, sepse këtë pëlqenin prindërit e mi. Atëherë ishte në praktikë që një herë në muaj kardiologët në të gjithë vendin mblidheshin në Tiranë dhe në bazë të një tematike të menduar mirë dhe të përgatitur seriozisht, nxirrnin dhe mësonin tema dhe praktika të zhvillimeve të reja botërore të kësaj fushe të klasit të parë. Këto tematika të mësimdhënies udhëhiqeshin nga profesor; Ylli Popa, shef i klinikës kardiologjisë, por në bashkëpunim të profesorëve të tjerë të mitë, si Pandeli Cina, Anesti Kondili, Sali Berisha, Myzafer Janina. Edhe të rinjve u bëjnë ngritje profesionale edhe të rangut më të lartë .
Meqenëse ishte shkollë e vërtetë e marrjes të të rejave shkencore, vinin edhe mjekë që kishin detyrime të tjera, por aty nuk mungonin. Po çfarë ishin këta?
Mjekë të caktuar në mbrojte të shëndetit udhëheqës në një klinikë të quajtur speciale, natyrisht këta shiheshin me admirim, sepse ishin të përgatitur, të specializuar jashtë shtetit me përgjegjësi për profesionin e tyre.
Dhe aty, në këto ngritje profesionale pashë dhe degjova nga mjekë, si Sabri Brokaj, Ahmet Kamberi dhe të tjerë të përmendur më lart.
Këta profesorë i shihja dhe në bibliotekën kombëtare, si i vetmi vend në atë kohë për komunikimet shkencore në gjuhën shqipe dhe ato botërore, të shfrytëzoheshin me shumë pasion. Ishte gjithashtu edhe biblioteka e Fakultetit të Mjekësisë, por ishte tjetër gjë nga biblioteka qendrore. Atje vinte dhe Sabit Brokaj, që ishte i njohur aty dhe na përzgjidhte literaturën shkencore mjekësore. Kështu avash-avash, duke u rritur profesionalisht, duke zgjuar admirimin për interesimin tim për sa më shumë përfitim dhe angazhim në fushën e rritjes si mjek, u miqësova me Sabit Brokaj, i cili vinte krenar me borsalinë që e meritonte plotësisht dhe na rriste kënaqësinë të bisedojë me të. Dhe për më tepër na pranonte miqësinë që i ofronim ne më të rinjtë, që përpiqeshim të kopjonin me të mirët, përfshirë dhe atë. I zgjidhnim mjeket e udhëheqjes, sidomos te Enver Hoxhes, natyrisht nga ana profesionale edhe njerëzore, pra ato i kishte të plota, Sabit Brokaj. Miqësia dhe besimin ndaj njeri-tjetrit, qe aq e fortë sa na pranonte në shtëpinë e tij për biseda dhe konsultime të mjekësisë, por edhe tematika shoqërore, ku ndër të tjera me interesanti ishte qe pak kush e di, kur në postin e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë u thoshte mjekëve specializantë në Tiranë: “ç’beni këtu, bashkohuni me shokët në Qytetin Studenti”. Pra flitet për protestat e studentëve në vitin ‘90, kurajë intelektuale dhe qytetare, e shfaqur nga plotë intelektualë të tjerë, që shtyu popullin në sukseset e viteve të mëpasshme.
Ndërsa unë edhe të tjerë vazhdonim miqësinë, madje ta forconim atë, derisa arriti që mu dha e drejta ta thërrisja me emër direkt, pa shtuar përpara pjesën që i nderon të tjerët.
Përse erdhi kjo? Sepse Sabiti ishte i sinqertë, i drejtpërdrejtë, bashkëpunues dhe ndihmues pa mendime të ndryshme që kanë shumë të tjerë. Aq shume u miqësuam, sa u bëmë e njëjta me familjen e tij, gruan Mirën dhe fëmijët, Inesën dhe Krenarin. Sillte hare dhe gëzim vajtja në shtëpinë e tij. Ishte i aftë të të krijonte harmoni dhe komoditet të mjaftueshëm të kohës, të kaluar aty në familje. Aty kam gjetur edhe personazhe të njohur të profesioneve të ndryshme dhe politikanë të spikatur, duke kërkuar edhe mendime nga ai.
Vitet kalojnë dhe ne mbetëm njëlloj në marrëdhëniet tona. Fjalë të ëmbla, probleme dhe mendime, koncepte të trajtuara midis nesh, shkonin në drejtimin e zhvillimeve pozitive e përparësive të nevojshme të bashkëjetesës. E kush s’do të donte të kishte marrëdhënie me këtë njeri kaq perfekt, me përmbajtje për tu admiruar, mbi të gjitha në sjellje, por edhe interesash reciproke. Apo qëndrimi dinjitoz edhe i vendosur i tij, duke dhënë mendimin pa ndrojtje për çdo pikëpamje, qoftë politike apo shoqërore, ku kryesorja ishte patriotizmi i tij.
Por jeta sjell të papritura. Nuk dua të shkruaj për ngjarjen e fundit që më hidhëroi shumë, jo vetëm mua, duke ma shprehur këtë keqardhje edhe shumë miq e shokë, të cilët e dinin miqësinë tonë.
Por ndërsa ai nuk është më, më mbetet në mëndje dhe në përfytyrime pamja e tij fisnike, e shëndetshme, gjallëria fizike dhe vitaliteti mendor.
Kështu do të mbetesh Sabit, ashtu siç të njoha!
Dr Leonidha Peppo
Kardiolog, Poliklinika Nr. 4, Tiranë.