Drejtësia:ikën Naço, vjen Manjani (Zeri i Amerikes)
Armand Mero.
(Zeri i Amerikes)
Në mënyrë të papritur ministri i Drejtësisë Nasip Naco dha sot dorëheqjen pas dy vitesh në detyrë. Ai ka patur një takim me kryeministrin Edi Rama, të cilit i ka komunikuar vendimin, edhe përmes një letre. Arsyet e dorëheqjes nuk janë bërë ende publike, ndërkohë që zoti Rama ka patur një takim dhe me kryetarin e parlamentit Ilir Meta. Zoti Meta është kryetari i Lëvizjes socialiste për integrim, dhe zoti Naco ishte një ndër 5 ministrat e kësaj force politike, aleatja kryesore e socialistëve të zotit Rama. Javët e fundit zoti Meta kishte folur disa herë për nevojën e “impulseve të reja në qeverisje” duke mohuar publikisht se dicka e tillë lidhej domosdoshmërisht me ndryshime në ekzekutiv.Në deklarimet e tij, pak pas takimit me kryeministrin, zoti Meta la të kuptohej se arsyet e dorëheqjes së ministrit nuk ishin personale, sic u spekulua fillimisht në media, porse ato kishin si shkak një marrëdhënie jo të përshtatshme dhe një pakënaqësi, lidhur me procesin e reformës në Drejtësi
“Më duhet të vlerësoj aktin e dorëheqjes së Ministrit te Drejtësisë z. Nasip Naço si një akt të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, si një akt qytetar i cili ka dhënë kontributin e tij gjatë gjithë kësaj periudhe në të mirë të qeverisjes dhe të reformave. Por njëkohësisht me këtë akt, ai ka gjykuar se jep një kontribut për të ndihmuar në realizimin e një bashkëpunimi të kërkuar prej kohësh dhe më të gjerë dhe në nivel të ri për të çuar përpara gjithë reformat dhe sidomos reformën në fushën e drejtësisë”, u shpreh kryetari i LSI-së
Nevojës së një bashkëpunimi të ndryshëm nga ai i deritanishmi, zoti Meta i mëshoi edhe kur foli për pasuesin e zotit Naco: “Besoj se emri i ri që do të propozojë Kryeministri, do të jetë një emër që do të çojë në një bashkëpunim më të gjerë e më të ri”.
Në fakt, deklarimet e zotit Meta, nuk qenë vecse një konfirmim i arsyeve që vetë zoti Naco kishte paraqitur në tekstin e dorëheqjes, i bërë publik vetëm në mbrëmje. “Duke qenë i bindur se Reforma në Drejtësi dhe përmbushja e një roli më thelbësor të Ministrisë së Drejtësisë në përmirësimin e mirëqeverisjes dhe funksionimit të drejtësisë kërkon një nivel më të lartë të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të të gjithë aktorëve, jap dorëheqjen time si Ministër i Drejtësisë”, shkruan zoti Naco duke shtuar se shpresonte “që në çdo rast ky akt të ndihmojë në krijimin e klimës së bashkëpunimit të kërkuar për reformimin e sistemit të drejtësisë”.
Por arsyet e pakënaqësisë në raport me Reformën në Drejtësi nuk duken fort bindëse nëse mbahet parasysh se procesi i kësaj reforme ka nisur që prej gati një viti, dhe asnjëherë më parë zoti Naco nuk ka shprehur ndonjë rezervë, me përjashtim të vendimit të LSI-së për të paraqitur, pak javë më parë, krahas propozimeve të grupit të ekspertëve të angazhuar në Komisionin parlamentar të refomës, disa propozime të saja alternative. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e ministrisë së Drejtësisë rezulton të kenë qenë të angazhuar në të gjitha fazat e procesit, madje gjatë kësaj jave dhe javën e ardhshme janë parashikuar të organizohen, me ministrinë e Drejtësisë edhe dy tryeza lidhur me reformën.
Largimi i zotit Naco, u shoqërua menjëherë me hipotezat e ndryshimeve të mundshme brenda kabinetit qeveritar. Por kryeministri, i ka qëndruar besnik pozicionit të tij të përsëritur se nuk ka arsye për të bërë ndryshime në qeveri, dhe brenda pak orësh, ka vendosur për zvëvendësuesin. Detyra e ministrit të ri të Drejtësisë i është ngarkuar përfaqësuesit tjetër të LSI-së Ylli Manjani. Në një deklaratë të qeverisë lidhur me takimin që kryeministri ka patur me ministrin e ardhshëm bëhet e ditur se “Reforma në Drejtësi, përmirësimi i punës në zyrat e hipotekave, rritja e cilësisë së shërbimit në burgje, si edhe ritmi i asistencës teknike të Ministrisë së Drejtësisë në procesin e hartimit të akteve ligjore e nënligjore në funksion të reformave, kanë qenë në fokus të bashkëbisedimit”.
Kjo është dorëheqja e dytë në kabinetin e zotit Rama që prej ardhjes së tij në pushtet në shtator të 2013. Vitin e kaluar, u tërhoq ministri i atëhershëm për Marrëdhëniet me parlamentin Ilirjan Celibashi, Ai ishte përfaqësues i partisë socialiste dhe u zëvendësua menjëherë nga socialistja tjetër, Ermonela Felaj.