Drejtuesit e opozitës duhet të bëhen udhëheqës të njerëzve

Nga Desada Metaj – Interpelanca me Ministrin e Brendshëm për grabitjen në Aeroportin e Rinasit, krijimi i grupeve të reja parlamentare apo fjalimi i Edi Ramës në Kuvend, sado të stisura dhe të ngjyrosura me bojën rilindase nuk mund ta zbehin dot vendimin e PD për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të qershorit. Për kushtet e opozitës për pjesmarrjen në zgjedhje, Kryeministri u përgjigj me batutën e radhës, që edhe pse bëri për të qeshur deputetët dhe ministrat e tij, vështirë se mund të ketë ngrohur zemrat e atyre socialistëve që pretendojnë të garojnë dhe të fitojnë në përballjen elektorale të qershorit.

Sado entuziast dhe qejf paprishur të shfaqet Edi Rama, sado opozitarë bojaxhinj dhe hallexhinj të jenë të gatshëm të prodhojnë fasadën—për të cilat Rama është ekspert i njohur—Kryeministri dhe shumë politikanë të tjerë e kanë të qartë se mospjesmarrja e PD-së, LSI-së dhe aleatëve të tyre në zgjedhjet e Qershorit është një ngërç i madh dhe i patejkaluesheëm në kushtet e Shqipërisë.

Mospjesmarrja në zgjedhje është veprim që nëse konkretizohet do të shënojë herën e parë që opozita nuk merr pjesë në një proçes zgjedhor. Ky është një hap edhe më i skajshëm se djegia e mandateve dhe palët kanë dyshime dhe pasiguri për zhvillimet nga tani e tutje, sado që përpiqen të duken të sigurta në pozicionet e tyre.

Së pari, dyshime dhe pasiguri të mëdha, ka opozita e cila tani për tani duket se të vetmen fuqi dhe energji e gjen tek protestat, të cilat janë kthyer në mekanizmin e vetëm të përballjes politike.

Largimi nga parlamenti, për të shkëputur çdo fije që e lidhte me pushtetin, duket ta ketë afruar opozitën me një pjesë të pakënaqurve jo militantë. Por është fare e qartë se asaj i duhet të bëjë shumë më tepër për të afruar këtë grupim jetik për fitoren e saj zgjedhore.

Adrenalina e protestës është frymëzuese për votuesit besnikë të PD-së, por për të siguruar mbështetje përtej militantëve, opozitës i duhet të ketë platformën e saj të qartë për daljen nga kriza. Bashkë me këtë alternativë ajo duhet të shpjegojë qartë si do të zbatohet ajo konkretisht, pa klishe dogmatike dhe dhe krekosje online, duke treguar qartë veprimet konkrete dhe njerëzit që do i ndërmarrin ato.

Vetëm në këtë mënyrë, qytetarët që nuk janë të ndjeshëm ndaj gazit lotsjellës, apo nuk e pëlqejnë Lulzim Bashën për udhëheqës, por që në thelb duan që politika dhe qeverisja të ndryshojë, ta gjejnë zgjidhje tek alternativa e opozitës dhe ta mbështesin atë.

Forca dhe jehona e protestave, së bashku me një platformë konkrete për daljen nga kriza, janë mekanizmat që mund dhe duhet të çmontojnë vetësigurinë e shtirur të shumicës, e cila po shkërmoqet përditë nën peshën e krizës, skandaleve dhe krimit dhe trysnia ndërkombëtare që ka arritur kulmin me vendimin holandez për rivendosjen e vizave dhe me gjasa bllokimin e hapjes së negociatave.

Por tronditja e Edi Ramës nuk ka arritur ende në nivelin sa ai të mos ketë qartësinë, mundësinë dhe qetësinë për të stisur opozitën fasadë. Menaxhimi që Edi Rama po i bën krizës së rëndë me një strategji të qartë dhe efektive, pavarësisht goditjeve që ai ka marrë nga krimi dhe korrupsioni, dëshmojnë se Edi Rama do të kërkojë të mbajë pushtetin me çdo çmim, dhe se ai nuk është ai frikacaku që përflitet në tavolinat afër dhe larg pushtetit.

Heshtja dhe mungesa e çdo lloj kundërshtie nga të vetët dëshmon gjithshtu se njerëzit e tij nuk janë të mërzitur me pushtetin dhe aq më pak me njeri tjetrin, se sherret e brendshme zbehen para dëshirës dhe vullnetit për të marrë dhe mbajtur çdo pushtet, qoftë edhe duke blerë ca shtiranë “demokratë” për të sajuar me ta pluralizmin dhe opozitën fasadë.

Sot, më shumë se kurrë më parë, opozita, ka mundësinë për të ndryshuar gjendjen mbytëse politike, ekonomike dhe shoqërore ku jetojmë, duke e drejtuar pakënaqësinë e përgjithshme poullore drejt një ndryshimi radikal të formës së qeverisjes. Që të mos e humbë këtë mundësi, udhëheqja e opozitës duhet të shohë përtej protestuesve dhe militantëve që e brohorasin.

Ajo duhet të bëhet udhëheqësja edhe e njerëzve të heshtur që nuk e shohin shpëtimin thjesht tek ndërrimi i Kryeministrit, por tek ndryshimi rrënjësor i politikës./exit.al

SHKARKO APP