Dritëhijet mbi ndërtimin e Aeroportit të Vlorës

Petrit Sulaj
Petrit Sulaj

Nga Petrit Sulaj  (Ish-drejtor i Aviacionit Civil)

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës ka qenë në vëmendjen e qeverive shqiptare së paku nga viti 2003. Janë bërë dhe studime që datojnë që nga ajo kohë mbi nevojën e një aeroporti të dytë ndërkombëtar në vendin tonë.

Rritje e numri të pasagjerëve që përdorin aeroportin e Tiranës, megjithëse me një trend të lartë prej 11% në vit, nuk përbën tregues se ndërtimi i aeroportit të Vlorës do të ketë një fluks të tillë në pasagjerë, që do të justifikonte nga ana ekonomike një ndërmarrje të tillë. Pra, pyetja kryesore është; a do e justifikonte veten ky investim nga pikëpamja ekonomike me këtë trend të numrit të pasagjerëve.

Që të japim përgjigje në lidhje me këtë pyetje duhet të dimë se sa përllogaritet shuma e këtij projekti të qeverisë dhe mënyra se si do realizohet ky projekt.

Mjafton të themi se në momentin që aeroporti “Nënë Tereza” u dha me koncesion në vitin 2004, aeroporti kishte mbi 700.000 pasagjerë si dhe një borxh të marrë nga KFW prej 40 milionë markash për riparimin e pistës.

Arsyeja që japim këto të dhëna është se ritmi i shtimit me rreth 300 mijë pasagjerë që përdorin ajrin si rrugë transporti, nuk paraqitet me logjikë ekonomike. Së dyti dhe ky numër në rritje nuk mund të pretendohet se do të thithet i tëri nga aeroporti i Vlorës.

Logjika kërkon 3 faktorë kryesorë në ndërtimin e një aeroporti. Ato janë transport i zhvilluar, tregtia dhe turizmi. Vetë të dhënat transportit ajror këto vite tregojnë se mundësia për transport tregtar mallrash nga aeroporti i Vlorës, për më tepër që ndodhet dhe porti pranë, janë minimale, pra bie një nga arsyet madhore të nevojës për një aeroport.

Turizmi ynë me kapacitet akoma minimale të akomodimit nuk siguron një burim të qëndrueshëm pasagjerësh që do kenë si nevojë aeroportin e Vlorës. Vetë tregu i transportit ajror në Shqipëri është i pazhvilluar dhe për shkak të politikave penguese të vetë qeverisë në këtë drejtim, gjë që nuk jep siguri për ndërtimin e këtij aeroporti.

Gjithsesi qeveria mund të ketë qëllim strategjik ndërtimin e një aeroporti në Vlorë dhe kjo është gjë pozitive, por sa kohë nuk bëhet transparent kostoja e këtij projekti dhe mënyrat e shlyerjes së tij, frika se një gjë tillë përveçse zhurmë, nuk do sjellë ndonjë zhvillim konkret është mëse e ligjshme.

Nga ana tjetër, certifikimi për operime i këtij aeroporti, kur pothuaj stafi aktual i aviacionit civil nuk ka kapacitetet profesional për një gjë të tillë, e bënë këtë projekt akoma më të vështirë për tu realizuar. Stafi aktual i Autoritetit të aviacionit është jo vetëm i pa përvojë, por dhe i pa diplomuar dhe përzgjedhur në këto vende jashtë çdo kriteri profesional, qëllimisht që askush të mos ketë idenë në lidhje me projektin në fjalë, çka rrit akoma dhe më shumë hijet e dyshimit mbi Aeroportin e Vlorës.

Ndërkohë që Aeroporti “Nënë Tereza” Tiranë po arrin shifrën e mbi 3 milionë pasagjerëve në vit, askush nuk flet në lidhje me zgjerimin e terminalit ekzistues apo dhe në lidhje me investimet e parashikuara sipas kontratës koncesionare, të cilat nuk janë zbatuar. Në këtë mënyrë taksapaguesi Shqiptar, jo vetëm është i paqartë për paratë e hedhura në emër të tij, por tarifohet pa transparencë për shërbimet e ofruara. Dhe e ashtuquajtuara kompani e flamurit Air-Albania është 1 shtojcë e Turkish Airline në kurriz të operatorëve Shqiptarë të cilët diskriminohen në çmim e shërbim nga Albcontrol që është aksionere në Air-Albania në emër të qeverisë Shqiptare.

Urojmë që kjo nismë të mos ketë fatin e kompanive të tjera të ngjashme, që megjithëse me reputacion shumë herë më të madh, si Adria Malev etj, falimentuan duke krijuar mbi vete një borxh tejet të madh. E në këtë rast ky borxh do t’u rëndojë përsëri taksapaguesve Shqiptarë duke i varfëruar ata edhe në shumë.

SHKARKO APP