Dritëro Agolli shmang replikat me Stefanin

Dritëro Agolli ka shmangur debatet, pas shkrimit të ashpër ditën e djeshme nga ana e Andrea Stefanit, pas një intervistë të dhënë nga shkrimtari.

Familjarët e Agollit u shprehën se tashmë në një moshë të thyer, ai nuk dëshiron që të bëhet pjesë e replikave dhe kundëreplikave.

Ndonëse Agolli ishte njohur me replikën e bërë nga Andrea Stefani në drejtimin e tij, ai preferoi të heshtë.

Ndërsa në një bisedë familjare është shprehur se përpos kritikave që Andrea Stefani lëshoi në drejtimin e tij, ai e cilëson si një nga analistët më të mirë në vend dhe se si gjithkush tjetër ai ka të drejtën e shprehjes së mendimit të tij individual.

Familjarët e Agollit thanë për “Shekullin” se ai i qëndron katërcipërisht mendimeve të shprehura disa ditë më parë për “Shekullin” në lidhje me elitën politike në vend dhe ato nuk duhen marrë si një shprehje e një vlerësimi të tepruar nga ana e tij, por si një mesazh paqeje për politikën në vendin tonë.

Duke folur për ish- kryeministrin Berisha, Agolli e cilësoi si një nga njerëzit më të lexuar që ka takuar. Agolli bëri një koment të tijin për Edi Ramën si publicist dhe si kryeministër, duke u shprehur se e vlerëson për reformat që ka ndërmarrë dhe e mbështet atë në aksionin për të bërë shtet dhe për të vendosur ligjin.

Ndërsa kreun e ri të opozitës, Lulzim Basha, ai e cilësoi si një djalë të kulturuar. Shkrimtari u shpreh se e ka uruar Bashën edhe kur fitoi në zgjedhjet lokale para katër vitesh, ndonëse socialistët u mërzitën për këtë deklaratë.

Ai më tej e këshilloi Bashën, Veliajn dhe ligjvënësit e rinj të Parlamentit, të mos kopjojnë Berishën apo Ramën, por të demonstrojnë eksperiencën e tyre, duke i këshilluar qëtë lënë inatet personale.

“Të rinjtë kanë ambicie, por duhet të lënë anash zënkat dhe gjuhën vulgare të politikës së vjetër”, u shpreh Agolli.

Por vetëm pak ditë nga intervista shumë e komentuar e Agollit dhënë për “Shekullin”, analisti Andrea Stefani u shpreh mjaft kritik për njërin prej shkrimtarëve më të mëdhenj të vendit tonë.

Në një shkrim në të përditshmen “Dita”, Andrea Stefani shkruante se, ato që Agolli deklaroi lidhur me Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Edi Ramën, janë një tjetër ilustrim i asaj sëmundjeje të neveritshme që ka infektuar gjerësisht dhe elitisht në këto 25 vjet shoqërinë shqiptare.

SHKARKO APP