Duhet ndryshuar Qeveria!
Ka plasur në PS. Të gjithë kundër Edi Ramës. Pas gazetës Shekulli të Koço Kokëdhimës, "kumbarit" të koalicionit PS-LSI, zërat brenda të majtës që kërkojnë ndryshime në qeveri po shtohen. Sërvet Pëllumbi në gazetën Panorama dhe Paskal Milo në Shqip e shohin të domosdoshëm rishikimin e përbërjes së qeverisë. Kryeministri Rama e pati përjashtuar këtë mundësi vetëm pak javë më parë. Por duket se pas takimit të së shtunës me kryeparlamentarin Meta, qëndrimi i tij ka ndryshuar. Dhe zërat e Pëllumbit e Milos ngjajnë më shumë si një alibi e tij për të justifikuar tërheqjen e tij nga ideja për të mos e ndryshuar kabinetin.
Sërvet Pëllumbi thotë se “ndryshimet qeveritare nuk janë qëllim në vetvete, por as nuk duhet mbyllur çdo mundësi e tillë, sidomos kur opinion publik ende vazhdon të jetë i prirë për nga vlerësimi në sens pozitiv të ndryshimeve përmirësuese të qeverisjes dhe të koalicionit për Shqipërinë Europiane.
Paskal Milo mendon se po atakohen vetëm ministrat e PS dhe jo ata të LSI dhe shprehet se “nëse ministrat e PS-së nuk janë të zotë të punës në dikasteret e tyre që dinë t’i zgjidhin të gjitha problemet dhe sfidat që kanë, por kërkojnë gjithnjë që t’u jepen receta sesi ato duhet zgjidhur, unë mendoj se do të ketë, siç ka edhe më shumë përfolje dhe nevojë, që pa dy vitesh të ketë një ristrukturim të qeverisë”.
Ndryshimet në qeveri duket se janë edhe çmimi për uljen e tensioneve mes dy aleatëve. Burime brenda mazhorancës thanë për lapsi.al se pritet që të ketë lëvizje në të paktën 4 ministri; përfshirë Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Ekonomisë. Për të gjitha këto ministri Rama e Meta duket se kanë shfaqur rezerva.
A do t’i sheshojnë këto lëvizje qejfmbetjet mes tyre? Edi Rama e Ilir Meta duken më të tërhequr në betejën e tyre politike që kulmoi javën e shkuar. Sërvet Pëllumbi thotë se nuk është në interes të PS-së largimi i Metës dhe bashkëpunimi me PD.
“Zhvillimet politike që lidhen me zhurëmn rreth akuzave ndaj z. Meta, sot për sot, nuk e rrezikojnë koalicionin qeverisës të Rilindjes dhe aq më pak mund të çojnë ujë drejt një aleancë qeverisëse PS-PD, apo një “koalicioni të madh”. Nuk do të ishte as i mundur dhe as në interes të PS-së dhe të armes së vendit”. Veç shmangies së problemeve me LSI, Pëllumbi i sugjeron Ramës të bëjë kujdes me zgjedhjet në parti, duke thënë se “është një gabim i rëndë dhe përçarës nëse shmanget zgjedhja e kryetarit të PS, një çështje kjo e ngritur me të madhe nga Ben Blushi”.
Nisur nga problemet në koalicion, Paskal Milo nuk sheh kushte të përshtatshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. “Vendimmarrja politike, aq më tepër ajo për të shkuar në zgjedhje të parakoshme, udhëhiqet gjithnjë nga interesat e partisë në pushtet për të qëndruar me çdo kusht dhe çmim nga interesat e grupeve të veçanta që bëjnë ligjin brenda këtyre partive dhe në mënyrë absolute aspak nga interesat publike dhe të së ardhmes demokratike të vendit… Unë besoj se në mungesë të moralit politik dhe për interesat që përmenda. Sot nuk ka ndër mend askush nga ata që marrin vendime për të shkuar në zgjedhje të parakohshme”.
Qëndrimet e dy figurave të së majtës dëshmojnë për një tërheqje të PS dhe LSI nga llogororet e konfliktit. Flamuri i bardhë i ngritur nga njëra palë është mirëpritur edhe nga pala tjetër dhe Pëllumbi, Milo e figura të tjera të së majtës shpresojnë se Rama e Meta do ta respektojnë atë deri në zgjedhjet e 2017 –ës.