Duka: Një mesazh i rëndësishëm vjen për Shqipërinë nga një shtet themelues i BE-së
Nga Agron Duka
Sot, në ditën e Europës, e cila përkujton nisjen e rrugëtimit integrues të vendeve të dala të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën, një mesazh i rëndësishëm vjen për Shqipërinë nga një shtet themelues i BE-së. Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul, ka deklaruar se:
‘Zbatimi i ligjeve është veçanërisht i rëndësishëm. Ligjet shqiptare, për shembull, ndalojnë blerjen e votave. Megjithatë, nuk ka ndjekje penale nga zyra e prokurorit publik dhe nuk ka arrestime kundër atyre personave të cilët kanë dëshmuar se kanë blerë votat me anë të regjistrimeve të përgjimit. Nëse nuk ka progres të vërtetë këtu shumë shpejt, grupi im nuk do të jetë në gjendje të pranojë hapjen e negociatave të pranimit. Sepse kjo është një çështje themelore e sundimit të ligjit dhe është ajo që duhet të garantohet.’
Ky qëndrim i qartë adreson një aspekt të rëndësishëm, jo vetëm për çeljen e negociatave, por edhe për krijimin e besimit të nevojshëm midis palëve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Rruga drejt zgjidhjes së krizës politike, drejt BE-së, drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme pengohet nga muri i pandëshkueshmerisë së krimeve zgjedhore. Është koha që ta rrëzojmë këtë mur.