DW: BE përballet me një recesion më të thellë sesa pritej

Kriza e koronavirusit do ta zhysë Evropën në një recesion më të thellë nga sa mendohej fillimisht, tha Komisioni Evropian. Por disa ekonomi pritet të jenë më mirë se të tjerat.

Sipas një parashikimi ekonomik të përditësuar të Komisionit Evropian ekonomia e eurozonës do të bjerë këtë vit në një recesion më të thellë nga sa mendohej fillimisht dhe rimëkëmbja në vitin 2021 do të jetë më pak e fuqishme.

Në dokumentin në fjalë parashikohet që ekonomia e 19 vendeve që përdorin euron do të tkurret në vitin 2020 me 8.7% para se të rikuperohet vitin e ardhshëm me 6.1%.

Për 27 vendet që përbëjnë BE-në, në vitin 2020 pritet një rënie prej 8.3%, pasuar nga një rritje prej 5.8% në vitin 2021.

Kjo do të thotë që në vitin 2021 Evropa do të jetë akoma më keq sesa para shpërthimit global të COVID-19 që detyroi kombe në mbarë globin të merrnin masa kufizuese dhe ta reduktonin në mënyrë drastike tregtinë.

Në maj Komisioni kishte parashikuar për vitin 2020 një rënie të përgjithshme prej 7.7% dhe një rritje prej 6.3% për vitin e ardhshëm.

“Ndikimi ekonomik i masava kufizuese është më i rëndë sesa prisnim fillimisht,” tha nënkryetari i Komisionit Valdis Dombrovskis në një deklaratë të lëshuar bashkë me parashikimet e përditësuara.

Dallime drastike midis vendeve të BE-së

“Parashikimi i verës tregon, para së gjithash, se rruga për rikuperim është akoma e shoqëruar me pasiguri,” tha komisioneri i BE-së për ekonominë Paolo Gentiloni në një konferencë për shtyp në Bruksel. “Dallimet që priteshin midis vendeve anëtare janë bërë gjithashtu më të mëdha.”

Ekonomitë e Francës, të Italisë dhe të Spanjës pritet të tkurren me mbi 10% para se të shënojnë një rimëkëmbje të pjesshme vitin e ardhshëm.

Coronavirus in China Weifang Shandong Arbeiter in Fabrik (picture-alliance/Zuma/Tpg)
Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, duket se do të pësojë një tkurrje relativisht të butë prej 6.3% këtë vit pasuar nga një rritje prej 5.3% në vitin 2021.

Holanda dhe Polonia gjithashtu parashikohet të kenë tkurrje më pak ekstreme, thuhet në raport.

“Përgjigja e politikave në të gjithë Evropën ka ndihmuar në zbutjen e goditjes për qytetarët tanë, megjithatë kjo mbetet një histori e rritjes së divergjencës, të pabarazisë dhe të pasigurisë,” tha Gentiloni.

SHKARKO APP