DW: Emmanuel Macron duhet të ndihmohet dhe jo t’i jepet mësim
Suksesi në zgjedhje i Emmanuel Macron është një shans për motorin gjermano-francez të Europës. Por këtë shans duhet ta kapësh, komenton e ftuara e DW-së, deputetja gjermane e Të Gjelbërve, Franziska Brantner.
Zgjedhja e Emmanuel Macron nuk kishte pak orë që kishte përfunduar, e që para betimit si President e hyrjes në Pallatin Élysée (të dielën 14.07 shën. red.) erdhën menjëherë këshillat për Macron nga partneri në anën e Rinit: Jo bashkim i borxheve, jo politikë shpenzimesh pa kuptim, jo trajtim special për Francën. Këtë ton kishin këshillat e politikanëve nga Unioni apo FDP-ja për presidentin e ri.
A e kuptoni çfarë po thoni? Ende nuk ka kaluar gëzimi për zgjedhjen e 39 vjeçarit të lëvizjes „En Marche” me një kurs të qartë proeuropian, i cili praktikisht pengoi rrënimin e BE, nga Marine Le Pen, fillon grindja, tregohen kartoni i verdhë apo vija e kuqe. Ndërkohë që për Gjermaninë tani bëhet fjalë, që së bashku me Francën të zhvillojë ide të reja për Europën. Në vend të tregohet me gisht, duhet të dëgjohet njëherë, se çfarë ka për të thënë Macron – këtë ta kërkon arsyeja dhe respekti.
Mjafton presioni si nga e Majta dhe e Djathta
Bashkëkombasit e mi të dashur: Jepini të paktën ato 100 ditët, që i jepen çdokujt që ngjitet i ri në një post. Apo doni që, Macron që në fillim të përplaset keq, të bjerë nën presionin si të populistes së djathtë, Marine Le Pen, ashtu edhe të majtistit Jean-Luc Mélenchon? Jo, kjo nuk është as në interesin europian dhe as atë gjerman.
Përgjegjësit në Berlin dhe Bruksel duhet që idetë reformuese të Macron t’i shohin pozitivisht, të jenë të hapur ndaj tyre. Po ashtu – me Parisin duhet folur si i barabartë. Të paktën, Angela Merkel ka bërë të ditur, se së bashku me Francën do të zhvillojnë iniciativa për investime dhe forcim të eurozonës. Emmanuel Macron ka bërë propozime, se si do duhet të jetë një BE më demokratike, më solidare, më e qëndrueshme, që gjen rrugët e daljes nga kriza. Edhe në Gjermani shumë vetë duan një Europë më të mirë, më solidare. Ky do të jetë kushti për rivitalizimin e motorit gjermano-francez, që ngec prej vitesh.
Mekanizmat e shpëtimit të euros u krijuan jashtë marrëveshjeve europiane në fuqi. Ato nuk gëzojnë kështu legjitimitetin demokratik, dhe mungon kontrolli efektiv parlamentar. Le të krijojmë një aleancë të parlamenteve! Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM) duhet më në fund të kthehet në një fond valutor të Europës, që ndodhet nën kontrollin demokratik të Parlamentit Europian. Ky është një sinjal i qartë për ata, që nuk janë anëtarë të euros: Forcimi i eurozonës nuk drejtohet kundër jush!
PO buxhetit të përbashkët të eurozonës
Macron mbron idenë e një buxheti të përbashkët për eurozonën. Një nismë me kuptim! Një buxhet i tillë duhet të mundësojë investime për ide innovative të përbashkëta dhe të mbështesë në rast nevoje vendet me probleme.
Momenti i duhur ka ardhur! Brexit ka bërë të zgjohen shumë europiane dhe europianë. Në Austri u bë president, një europian i bindur, Alexander Van der Bellen, në Holandë, të Gjelbrit arritën me një kurs proeuropian të marrin një rezultat rekod. Gati çdo javë mijëra qytetarë ndjejnë “Pulsin e Europës” duke marrë pjesë në lëvizjen gjithëeuropiane.
Në Europë mund të ecësh përpara vetëm i bashkuar! Veprimet e njëanshme të çojnë në izolim, nacionalizmit të ringjallur duhet t‘i përgjigjemi të vendosur. Ne duhet të vazhdojmë rrugën bashkë me partnerët europianë: Drejt një Europe, që mund t’u dalë ballë sfidave ndërkombëtare.