Dy fitoret e serbëve nga vizita e Aleksandër Vuçiçit në Tiranë

 

 

Sokol Shameti

Askush nuk e vuri re, sesi serbët përmes insistimit se droni ishte një provokim na detyruan me stil të mos merremi me faktin se një stadium i tërë kërkonte vdekjen e shqiptarëve atë natë në Beograd.

Se kjo ndodhi shumë kohë para shfaqjes së dronit dhe se ndoshta droni ishte reagim i detyruar prej kësaj etjeje masive për gjak.

Se droni ishte vepër e vetëm një njeriu ndërsa urrejtja e hapur për shqiptarët, rrahja e futbollistëve tanë dhe klima e përgjithshme raciste në atë stadium, ishte vepër e krejt shoqërisë së tyre.

E pra, shoqëria jonë mund t’i rezervonte sot nëpër rrugët e Tiranës të njëjtën urrejtje reciproke delegacionit serb.

Por ne nuk e bëmë.

Serbët e devijuan me mjeshtëri vëmendjen dhe na detyruan ne kështu të ndjehemi fajtorë dhe kaluan në pozita superiore a thua është diçka normale t’i ofendosh shqiptarët dhe anormaliteti ndodh nëse ata ta kthejnë me të njëjtën monedhë.

Gjithashtu, ajo që ra në sy sot ishte fitorja e dytë serbe në këtë vizitë: ajo u duk në barazimin e padrejtë të çështjes së Kosovës me utopinë e Shqipërisë së Madhe që ata e realizuan me mjeshtëri.

Liderët tanë me papjekuri dhe mendjelehtësi ishin të paaftë të vendosnin një vijë të qartë ndarëse midis projektit fantastik dhe antishqiptar të bashkimit nën Shqipëri të trojeve ku sot s’ka më shqiptarë nga njëra anë dhe nga ana tjetër të korrigjimit të një padrejtësie të njohur ndërkombëtarisht siç është ndarja e Kosovës prej Shqipërisë.

Vuçiç po ashtu pati arrogancën të injorojë genocidin serb mbi popullin shqiptar në Kosovë, të mos kërkojë falje (siç ka bërë fjala vjen në Kroaci) si dhe të shmangë debatin nga pajtimi drejt dallavereve ekonomike a thua me para do të na bëjnë të harrojmë çfarë bënë në Kosovë.

Lidershipi ynë mendjelehtë që ndodhet në fazën e vetëkënaqjes nga zbulimi për herë të parë i historisë franko-gjermane, dëshmoi se është thjesht një njohës sipërfaqësor i kësaj historie.

Franca dhe Gjermania u pajtuan vërtet, por kjo ndodhi vetëm pasi vendi agresor (Gjermania) kërkoi falje, pagoi dëmshpërblimet dhe u de-nazifikua.

Vetëm atëherë ajo u pranua në familjen e perëndimit si e barabartë dhe e rehabilituar nga e kaluara kriminale.

Ajo çka Rama i kërkon Serbisë, është që Serbia të pranojë përfitimet prej nesh, pa kërkuar ndjesë, pa paguar asgjë për dëmet që ka shkaktuar dhe pa u de-fashistizuar.

Me thënë të vërtetën, po nis të mendoj se “Gjermania” në këtë histori konflikti, paskemi qenë ne.

SHKARKO APP