Dy histori me Ramën dhe pamundësia e reformës
Nga Dritan Hila/
Kur Guvernatori Sejko ftoi Kryeministrin Rama në inaugurimin e ndërtesës së re të Bankës Qendrore, bëri kujdes mos të përfshinte në pritje ish -Guvernatorin Fullani, i larguar nga detyra për një aferë që ishte qershia mbi tortë e një drejtimi, ku përziheshin vjedhjet, abuzimet, shpërdorimet dhe pakujdesitë. Për Sejkon ishte e ditur armiqësia e Edi Ramës me familjen Fullani. Një episod publik që kishte lidhje me godinën që u inaugurua, ndodhi kur Adrian Fullani filloi rikonstruksionin e bankës. Edi Rama në atë kohë kryetar bashkie, i nisi Policinë Bashkiake për të bllokuar punimet pasi nuk ishte marrë firma e tij. Guvernatori nuk e përfilli. Rama e kapërdiu shpullën. Zgjatja e procedurave të rikonstruksionit tej limiteve, pagesa e qirave të zyrave, ku u strehua drejtoria e bankës gjatë rikonstruksionit në shuma marramendës, do të ishin shkak i mjaftueshëm që pasi u bë kryeministër, të rifillonte ndjekjen për abuzime të Fullanit. Nuk ndodhi. Përkundrazi, filloi një periudhë mjalti, aq sa Ramës i ra në sy mungesa e ish-guvernatorit në ceremoni dhe u “përdëllye” nga mungesa e njeriut që për sytë e publikut i kishte bërë gjëmën kavos së bankës dhe parave të taksapaguesve, por që i shtoi bukurinë Tiranës-siç ishte përjetimi i Ramës, këtë radhë i rilindur kryeministër.
Kush ka lexuar librin “Kurbani”, nuk mund t’i shpëtojë një fakt që autori i kushton disa paragrafë. Bëhet fjalë për ngjarjen, ku nëna e autorit paditi Kryeministrin e kohës, Berishën, për fyerje, dhe gjykatësja Arjana Fullani, e shoqja e Ardianit, e shpalli të pafajshëm Kryeministrin. Pezmi i drejtë i autorit, ku evokon edhe miqësinë e përbashkët me familjen Fullani, ndaj qëndrimit që mbajti gjykatësja, do të ishte një arsye më shumë për ta groposur familjen dikur mike.
Këto dy eksperienca personale, do të ishin të mjaftueshme që Edi Rama të ishte ndër ithtarët e reformës në drejtësi. Reformë, e cila minimalisht do të vendoste drejtësi edhe për dy njerëz, të cilët e kishin prekur Ramën në dinjitet dhe familje. Por Edi Rama nuk është Robespieri i Shqipërisë, por Barrasi i saj; nuk është ai që do ta pastrojë, por ai që ka përfituar dhe do të përfitojë më shumë nga sistemi. Në dy vjet qeverisje të tij, Rama dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bërë aq shkelje ligjore sa do të mjaftonte një e dhjeta të mbesin për kusurin e jetës dyerve të prokurorive dhe gjykatave. Tenderat e mbyllur, koncesionet e pajustifikuara, abuzimet me pronën dhe paranë publike, abuzimet me postin, janë të pa kapërdishme, edhe për standardet shqiptare. Një ditë, ai personalisht dhe bashkëpunëtorët e tij politikë apo financiarë, do të kenë punë me drejtësinë, pavarësisht se, një pjesë të akuzave po i mbyll nëpërmjet hetimeve sa për sy e faqe nga prokuroria, të cilat do të pushohen nga gjykata. Por koha gjithsesi është e pamjaftueshme, ndaj duhet të mos miratohet reforma në drejtësi që drejtësia të rrijë në këtë batak që është dhe mos krijojë armiqësi me asnjë anëtar në mesin e trupës gjyqësore, në dorë të së cilës mund të përfundojë një ditë, përfshirë Arjana Fullanin.
Pavarësisht investimit të ambasadorit amerikan, reforma është e pamundur të bëhet nga kjo klasë politike. Reforma në drejtësi do të thotë një drejtësi që mos shohë në sy askënd. Dhe një drejtësi e tillë, duhet së pari të thërrasë në bankën e të akuzuarve politikanët. Atëherë kush është ky politikan shqiptar që hap varrin me duart e veta? Është e vërtetë që shumë gjykatës shqiptarë janë ndër njerëzit e pasur të vendit. Por gjykatësit janë shqiptarë si ne. Kur panë se rrogat e tyre ishin mizerabël, se klasa politike ishte më e përlyer se hajdutët e xhepave që gjykonin, secili prej tyre vendosi të fuste duart në thesin apo xhepat e klientëve që sillte radha. Por nuk janë më kriminelë se ata që gjykojnë apo më të pistë se kush ju bën moral.
A mundet politika vërtet t’i reformojmë ata? Po cila politikë? A nuk ishte politika që ka dhënë koncesione para 2013-s dhe vazhdon; a nuk qelben era korrupsion këto koncesione? A nuk ishin firmat fituese në kohën e Berishës njerëz të afërt të tij dhe a nuk janë në kohën e Ramës miq të tij ata që fitojnë tenderë e koncesionet? Atëherë a do të munden këta njerëz që të ngrenë një sistem, i cili gjënë e parë që duhet të bëjë, është t’iu hapë procese për korrupsion, favorizim dhe përvetësim atyre të parëve? Indikatorët tregojnë se jemi në një sistem dhe shoqëri të korruptuar, në një vend që ndershmërinë secili e kërkon tek tjetri, por jo tek vetja, ku shtetasit nuk urrejnë pushtetin, por pamundësinë që të jenë ata që ta përdorin, nuk urrejnë korrupsionin, por pamundësinë që ta bëjnë ata, ku nuk janë njerëz antishtet, por duan që shtetin ta përfaqësojnë ata, se gjithkush do të jetë predikuesi, por askush të mbartë kryqin në Golgotën e ndershmërisë.
Është e sigurt se nuk do të ketë reformë në drejtësi, se nuk është kjo klasë politike që mund ta reformojë. Reformimin së pari duhet ta nisim nga vetja, nga shoqëria. Jemi në kohën që duhet të përkrahim çdo iniciativë të re politike, çdo individ apo lëvizje, larg skepticizmit dhe batakut, ku ndodhemi për shkak se votojmë një klasë politike, ku çdo eksponent i saj i ka fillesat 25 vjet më parë. Le të kërkojmë, le të votojmë një klasë të re politike që do të bëjë edhe një gjyqësor të ri. Përndryshe, le ti gëzojmë këta që kemi.