Dy Kosovat!

“Objektivi qe arritur. Por siç ndodh gjithnjë një ëndërr e realizuar, sjell një tjetër ëndërr. Siç thoshte Graham Grim, çdo besim që bjerrim na le gjithherë mundësinë të zgjedhim së dyti. Kosova e fitoi pavarësinë dhe hyri në betejën e një shteti të vërtetë dhe serioz. Të një shteti real siç ajo e kishte menduar”…

Nga Blendi Fevizu

Nga Kosova festoi 8- vjetorin e Pavarësisë de jure! De fakto e ka fituar atë që në vitin 1999, atë ditë kur trupat e NATO-s hynë në territorin e saj, duke nxjerrë jashtë trupat e Millosheviçit. Ishte largimi i parë i trupave serbe pas 87 vitesh, që nga tetori i 1912 kur në kuadër të luftës Ballkanike shkelën në territorin e saj. Kosova po feston edhe duke protestuar. Festa dhe protesta qëndrojnë bashkë, si dy pjesë të së njëjtës tablo. Një tablo që po ndryshon dhe që po merr një tjetër pamje: atë të Kosovës së viteve që vijnë.

Çfarë dua të them me këtë. Për shumë vite, thuajse një shekull, ëndrra e Kosovës ishte Pavarësia nga Serbia e bashkimi me Shqipërinë. Trungun amë prej nga e kishin shkëputur forcërisht lojërat gjeopolitike. Ëndrra e pavarësisë jetoi në disa gjenerata, mori shumë jetë, por edhe gjeneroi shpresë. Pavarësia dhe mëvetësia nga Serbia ishte ëndrra e madhe, kryesore, ëndrra e ëndrrave që i sfumonte gjithë të tjerat: vështirësitë ekonomike, dhunën, jetën normale e madje, edhe pasionet e shoqërisë aty.

Mëvetësia ishte besimi i pabesueshëm i disa brezave dhe një ditë ajo u arrit. Kosova ishte dhe është e lumtur për këtë. Ata që as e kishin menduar, ata që e kishin ëndërruar dhe ata që e kishin besuar, ishin të gjithë bashkë atë ditë ëndrre të qershorit 1999 apo Shkurtit 2008. Kosova ishte e lirë dhe shtet i pavarur. Objektivi qe arritur. Por siç ndodh gjithnjë një ëndërr e realizuar, sjell një tjetër ëndërr. Siç thoshte Graham Grim, çdo besim që bjerrim na le gjithherë mundësinë të zgjedhim së dyti. Kosova e fitoi pavarësinë dhe hyri në betejën e një shteti të vërtetë dhe serioz. Të një shteti real siç ajo e kishte menduar.

Për fat të keq, ajo që është arritur, sado e madhe qoftë, nuk mjafton më. Kanë kaluar 17 vjet nga pavarësia faktike. Në Kosovë janë rritur thuajse dy breza të tjerë. Njëri është brezi i fëmijëve të luftës që i kanë kujtimet e saj thjeshtë si një film të largët; i dyti është një brez tjetër që ka lindur atë vit apo pas luftës. Që ka pak të bëjë me të. Për këto breza madje edhe disa sipër tyre, pavarësia është një realitet. Për ta beteja nuk ka mbaruar aty, por aty ka nisur. Ata si kanë njohur sakrificat ose kanë qenë shumë të vegjël për t’i gjykuar ato.

Ky brez ka tjetër sfidë dhe e ka atë shumë të ngjashme me moshatarët e tyre kudo në botë. Ata kërkojnë jetë më të mirë; ata kërkojnë më pak korrupsion; ata kërkojnë një vend ku meritat e dikurshme në luftë, nuk kthehen në privilegj të përjetshëm; ata kërkojnë një vend ku klasa politike qeveris dhe nuk zvarritet; ata kërkojnë një vend me dinjitet dhe jo një shoqëri fisnore. Ata kërkojnë atë që besojnë se e meritojnë dhe që ata që qeverisin sot Kosovën duhet t’ua plotësojnë. Sot Kosova është një shtet i konkurrencës politike dhe jo i hierarkisë së meritave të dikurshme.

Përderisa këto dy pjesë të shoqërisë të harmonizohen mes tyre; përderisa pjesa më e madhe të kuptojë se ajo që ka shkuar, qoftë edhe shumë e lavdishme dhe historike nuk mjafton për të ndërtuar të ardhmen, në ditët e pavarësisë do të ketë edhe festë edhe protestë. Dhe këtu flas për protestën e qytetarëve, jo të partive opozitare. Për ata që protestojnë edhe me heshtje edhe me mosfestim, duke besuar tek një Kosovë më e mirë! (Opinion.al)

SHKARKO APP