Dy kryeministra; në fakt veç i dyti
“Atëherë shtrohet pyetja: Vallë cili qenka kryeministri, ky që ka në dorë thesin e shtetit, apo ai tjetri?! Dje në Kuvend ishte momenti më i fundit kur “ai tjetri” dhe ky që ka gjithë barrën e shtetit dhe që po e quajmë “thesi”, u përplasen në foltoren e Kuvendit“…
Nga Frrok Çupi-
I dyti është Sali Berisha. Ky është zgjedhur Kryeministër i Republikës që nga vjeshta e vitit 2005 deri në vjeshtën e vitit 2013, në dy legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë. Tani nuk është më kryeministër i zgjedhur; prandaj po them se është kryeministër “i dytë”. “I pari”, i bie të jetë Edi Rama… Renditjen kryeministrore “i parë” dhe “i dytë”, po e formuloj në respekt të principit demokratik të zgjedhjes së kryeministrit në një Republikë Parlamentare, si në Republikën e Shqipërisë. Por në fakt, kryeministër i parë, edhe pse i pazgjedhur, mbetet Sali Berisha.
Edhe pse Sali Berisha, i larguar me votë nga qeverisja e vendit dhe i dorëhequr nga kryesimi i Partisë Demokratike, mbetet ai që e thotë fjalën e fundit në politikën e Kuvendit të Shqipërisë. Madje, po shtoj edhe një tjetër “edhe pse…”. Sali Berisha, edhe pse shumë njerëz e mallkojnë e nuk e duan (sidomos nga radhët e të majtëve ekstremë dhe të rilindësve), prapë se prapë këtë “përgjojnë” çfarë po iu thotë, këtë besojnë për çfarë thotë. Një militant i majtë në një qytet të Veriut, që kishte besuar në Rilindje, një nga këto ditë, para kryetarit të Partisë Demokratike, Basha, deklaroi kështu: “Kur isha kundër Berishës, isha një shitës mishi; tani kam kaluar roje mishi!”. Tashmë në atë qytet të vogël verior, askush nuk hyn në dyqanin e tij për të blerë, shitësit i duhet veç të bëjë roje…
Ka shumë kohë që njerëzit, demokratë a socialistë, i drejtohen “ish- kryeministrit” dhe i kërkojnë “çfarë po ndodh me ne kështu?!”; i tregojnë ku mbjell drogë qeveria dhe devotët e saj të afërt; i tregojnë sapo të niset avioni nga Italia për t’u ngarkuar me drogë në Divjakë; i tregojnë kush e vrau cilin; i tregojnë cili kriminel fshihet nën petkun shtetëror; edhe që nga Holanda i tregojnë se “u arrestua një i dënuar përjetë” por që këta po e fshehin…. I zbrazin gjithë “thesin e shtetit”. Dhe ky e zbraz thesin në organin që ka zgjedhur populli dhe që quhet Kuvend i Shqipërisë. Gjithçka “ish- kryeministri” ka dëshmuar ose denoncuar në emër të popullit, ka dalë e vërtetë.. Kaq e thjeshtë.
Atëherë shtrohet pyetja: Vallë cili qenka kryeministri, ky që ka në dorë thesin e shtetit, apo ai tjetri?!
Dje në Kuvend ishte momenti më i fundit kur “ai tjetri” dhe ky që ka gjithë barrën e shtetit dhe që po e quajmë “thesi”, u përplasen në foltoren e Kuvendit.
I pari, domethënë kryeministri i zgjedhur, u ngjit në foltore dhe tha disa fjalë, ose shumë fjalë, por asgjë nuk u mbajt mend. Tha diçka si në zënkën e fëmijëve në lagje, alias “hë mo, firmose reformën e drejtësisë, hë mo Sali, o Sali, firmose o Sali”… Tha edhe një absurd tjetër, sikur ndërtimi i rrugëve në vend “nuk ka ndonjë vlerë kushedi, veç sa një betoniere!”. Mbaroi këto fjalë dhe iku nga salla. U pa me një fytyrë shumë të prishur, qeskat e syve që thonë se i ka operuar për t’u dukur bukur, i ishin lëshuar përsëri; bebëzat i rrotulloheshin fort… Por iku menjëherë. Kryeministri i zgjedhur e ka gjithnjë favorin që mund të ikë sa herë të dojë nga salla ose edhe nga Shqipëria, ose edhe nga Europa…
Ndërsa “ish- kryeministri” nuk mund ta lërë sallën. Këtu është një nga ndryshimet mes tyre. Sepse njëri ndjehet i ngarkuar me barrë shteti dhe nuk lëviz kollaj; tjetri, d.m.th “i pari”, lëviz sa herë të dojë; si flutur, pa asnjë peshë. Ngrihet e ikën “puf!”.
“Ish- kryeministri” qëndroi dhe foli me kryeministrin që nuk ishte më. Domethënë nuk ndodhej më në sallën e Kuvendit.
“Ish- kryeministri” i tregoi për rrugët kryeministrit “të parë”. E këshilloi të mos e quajë rrugën veç para, përfitim a buldozer. “Rruga është vizion”, i tha. Kur Berisha ishte kryeministër i parë, u hapën rrugët në gjithë vendin, madje edhe në fshatra. Me aq mbetën rrugët. “Rruga është interes kombëtar!”, i tha ky kryeministrit tjetër. I tregoi se kur u largua nga posti i kryeministrit të parë, shtator 2013, i la këtij 100 rrugë në proces. “Rilindja” është ankuar pse “Saliu la 100 rrugë pa mbaruar”. “Po!”, tha dje Berisha. “I lashë njëqind rrugë, sepse ishin nisur, po të mos niseshin nuk do të mbeteshin. 100 rrugë të nisura janë pasuri, pa mendoni sikur të ishte një rrugë e panisur!”…. Kryeministri që u zgjodh në vitin 2013, në vend që të përfundonte rrugët, i fshiu dhe u ankua para popullit se “na i ka lënë rrugët Saliu!”. Siç e thonë shpesh “devoted” e Ramës, “pse na e le gotën gjysmë-plot?”.
Berisha qeshi dhe i tha tjetrit: “Shko thuaji popullit se nuk duhen më ato rrugë!”.
… Kjo ishte përplasja e fundit publike mes dy kryeministrave dje në Kuvend. Edhe pse kryeministri “i parë” e kishte lenë sallën, përsëri aty shfaqeshin dy, njëri që ishte, tjetri që nuk ishte.
Në gjithë aktualitetin tonë po mësohemi të ndodhemi përballë dy kryeministrave njëkohësisht. “Ish- kryeministri” përzgjidhet si bashkëbisedues nga ambasadorët e aleatëve të mëdhenj, duke u nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. “Ish- kryeministrit”, kryeministri “i parë” i lutet që të firmosë reformën në drejtësi. “Ish- kryeministri” flet me qytetarët në formë dixhitale, një formë që ky e ka zgjedhur për të shmagur censurën e qeverisë. “Ish- kryeministri” denoncon korrupsion e krime, paralajmëron të keqen, jep sinjale ku po shkon vendi në një qeverisje të mbrapshtë.
“Ish- Kryeministri”, ose i dyti, shfaqet në tribuna si i ngarkuar, pa pyetur si po duket, pak i kërrusur, i sigurt në atë që thotë, një njeri ngjashëm me tipikun e shoqërisë sonë. Ndërsa kryeministri “i parë” shfaqet veç “spic”; i veshur si lordët kur shkojnë në ballo; i bukur, i bukur!; i kuruar, i kuruar!; i pushuar në plazhet më të kushtueshme; me një jetë luksoze pasanikësh. Ngjan si askush nga këta të popullit që ky qeveris.
… Tjetri e mban thesin e shtetit!